Studim

Çfarë mund të tregojë studimi i gjumit për shëndetin tuaj mendor?

Mënyra se si ne flemë flet shumë për mirëqenien tonë. Vështirësia për të fjetur, gjumi i tepërt, ose zgjimi disa herë gjatë natës mund të ndikojë në shëndetin tuaj mendor ose të jetë një shenjë e një shëndeti mendor jo optimal.

“Truri rikarikohet dhe bën një pjesë të konsiderueshme të përpunimit emocional dhe kujtesës gjatë natës,” thotë Dr. Alex Dimitriu, themelues i Menlo Park Psychiatry & Sleep Medicine, i cili e konsideron gjumin një element tregues jetik, ashtu si presioni i gjakut, ritmi i zemrës dhe frymëmarrja.

Gjumi është i domosdoshëm për të gjithë ne, por çfarë mund të tregojnë zakonet tuaja të gjumit për shëndetin tuaj mendor? Shumë gjëra, në fakt.

Nëse keni vështirësi me gjumin, mjeku juaj mund t’ju rekomandojë një test polisonografie, që njihet ndryshe edhe si studim i gjumit gjatë natës. Ky test kryhet zakonisht në një laborator ose klinikë mjekësore. Gjatë këtij studimi, një teknik do të monitorojë frymëmarrjen, aktivitetin e trurit dhe lëvizjet tuaja gjatë gjumit.

Rezultatet e testit, të cilat analizohen nga një mjek specialist për gjumin, mund të tregojnë nëse keni ndonjë problem me gjumin, si për shembull pagjumësinë (vështirësi për të fjetur ose qëndruar në gjumë), narkolepsinë (gjendje që shkakton gjumë të papritur gjatë ditës), sindromën e këmbëve të shqetësuara (ndjenjë e parehatshme në këmbë që ju detyron t’i lëvizni vazhdimisht), apne të gjumit (ndalim i frymëmarrjes për pak kohë gjatë gjumit), ose ndonjë çrregullim tjetër të gjumit.

Ky test mund t’ju japë informacion të vlefshëm mbi disa tregues të rëndësishëm, si:

  • Nivelet e oksigjenit në gjak gjatë gjumit
  • Ritmin e zemrës suaj
  • Numrin e herëve që ndalon ose ngadalëson frymëmarrjen (indeksi apnea-hipopnea)
  • Sa mirë flini (efiçenca e gjumit)
  • Sa kohë kaloni në gjumë REM (faza e gjumit ku shihni ëndrra dhe truri juaj është më aktiv).

Edhe nëse nuk keni një çrregullim të gjumit, por përjetoni gjumë të dobët në mënyrë të vazhdueshme, mund të jetë e dobishme të vizitoni një profesionist të shëndetit mendor për të diskutuar shkaqet e mundshme dhe për të parë nëse ato mund të kenë lidhje me shëndetin tuaj mendor.

Të gjithë kemi pasur netë kur nuk kemi fjetur mirë. Kjo mund të ndikojë te gjendja shpirtërore, nivelet e energjisë dhe sjelljet tuaja, duke ndikuar në marrëdhëniet, performancën në punë dhe aspekte të tjera të jetës. Nëse kjo ndodh natë pas nate, mund të ketë një ndikim të rëndë në shëndetin tuaj mendor.

Sipas Dr. Dimitriu, gjumi i dobët në mënyrë të vazhdueshme mund të çojë në një sërë gjendjesh, duke përfshirë ankthin, depresionin, ADHD-në (vështirësi në përqendrim), përkeqësimin e kujtesës, përdorimin e tepërt të substancave, ngrënien e tepruar ose kontrollin e dobët të impulseve.

E keni lexuar? 10 mënyra për të rritur produktivitetin tuaj

“Çdo problem me gjumin, si vështirësitë për të fjetur ose për të qëndruar në gjumë, ose zgjimi i shpeshtë gjatë natës, duhet hulumtuar nëse ka vazhduar për më shumë se një ose dy javë,” thotë Dr. Dimitriu. Gjithashtu, çdo simptomë që është shumë e lodhshme gjatë ditës, si përgjumja, lodhja, ose mungesa e motivimit, duhet të shqyrtohet.

“Ne e konsiderojmë gjumin një tregues thelbësor për shëndetin mendor, si një paralajmërim i hershëm,” thotë Dr. Dimitriu. “Një nga sfidat në psikiatri është se shumë simptoma janë subjektive, ndërsa gjumi është objektiv.”

Çrregullimet e shëndetit mendor shpesh shkaktojnë probleme me gjumin, ndaj rezultatet e një studimi të gjumit mund të ndihmojnë për të kuptuar cilat simptoma po përjetoni dhe pse po i përjetoni ato.

“Problemet psikike mund të shkaktojnë gjumë të keq, dhe problemet psikike mund të rezultojnë nga gjumi i dobët. Pra, marrëdhënia është rrethore, si yin-yang, prandaj praktika e gjumit dhe psikiatrisë është kaq thelbësore së bashku,” shpjegon Dr. Dimitriu.

Pagjumësia është shumë e lidhur me ankthin, depresionin, çrregullimin bipolar dhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor. Për shembull, për pacientët me depresion, pagjumësia është një nga simptomat më të zakonshme.

Ndër personat e diagnostikuar me skizofreni, shumica përjetojnë cilësi të dobët të gjumit. Gjumi jo i qetë, së bashku me simptoma të tjera për një afat të gjatë kohor, mund të jetë gjithashtu një faktor parashikues për të përcaktuar se kush do të zhvillojë psikozë.

Mekanizmat fiziologjikë që shkaktojnë pagjumësinë ose hipersominë (gjumin e tepërt) mund të shkaktojnë edhe çrregullime të shëndetit mendor, gjë që mund të shpjegojë pse bashkë-shfaqja e çrregullimeve të gjumit dhe çrregullimeve të shëndetit mendor është kaq e zakonshme.

Nëse keni probleme me gjumin në mënyrë të vazhdueshme, është e rëndësishme të flisni me një profesionist të shëndetit mendor. Ndryshimet e gjumit mund të lidhen me ndryshimet në stilin e jetesës, me bërjen prind, zhvendosjen në një lagje të re, ose me përballimin e një muaji stresues në punë, por ka shumë gjasa të jenë të lidhura me shëndetin tuaj mendor. Edhe një ndryshim në stilin e jetesës mund të kërkojë vëmendje dhe mbështetje speciale për shëndetin tuaj mendor, që nga ana e vet mund të përmirësojë gjumin tuaj dhe mirëqenien tuaj të gjithëanëshme.

Si të përmirësoni zakonet e gjumit

Ju mund të keni vështirësi me gjumin, por cila është arsyeja e vërtetë? Një studim i gjumit nuk do t’ju japë domosdoshmërisht këtë përgjigje, por do t’ju japë më shumë informacion mbi cilësinë e gjumit që po merrni dhe do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë po ndodh me trupin tuaj gjatë gjumit.

Nëse po ndjeni se shëndeti juaj mendor nuk është në formën më të mirë, kjo do të ndikojë në gjumin tuaj.  Për të përmirësuar gjumin tuaj, është e rëndësishme të praktikoni zakone të shëndetshme të gjumit. Këto përfshijnë:

  • Fikjen e pajisjeve elektronike më shumë se një orë para gjumit
  • Shmangien ose kufizimin e alkoolit, kafeinës dhe nikotinës
  • Ushtrimin fizik të përditshëm
  • Shmangien e ushqimit para gjumit
  • Uljen e temperaturës në dhomën tuaj që të jetë më e freskët

Disa praktika të tjera si vendosja e telefonit në një dhomë tjetër ose mbajtja e një ditari para gjumit mund të ndihmojnë, por nëse po përballeni me një çrregullim të padiagnostikuar të shëndetit mendor, këto ndryshime nuk do të trajtojnë problemin themelor. Prandaj është e rëndësishme të flisni me një profesionist të shëndetit mendor nëse po përjetoni probleme të vazhdueshme me gjumin.

Nëse jeni thjesht të stresuar, seanca të rregullta terapie mund t’ju ndihmojnë të zhvilloni strategji më të mira menaxhimi të tij, si dhe strategji më të mira për të fjetur, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit tuaj mendor.

 

verywellmind

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top