Piana

536 vjet Hora e Arbëreshëvet, përurohet shtatorja dhuratë nga mërgimtarët

Më 30 gusht 2024, në një ceremoni të veçantë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili, u përurua shtatorja madhështore e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo datë ka një rëndësi të veçantë për komunitetin arbëresh, pasi përkon me themelimin e qytetit të tyre në vitin 1488, duke shënuar 536 vjet nga kjo ngjarje historike.

 

Shtatorja, një vepër arti e realizuar nga skulptori nga Prishtina, Gëzim Muriqi, është një dhuratë nga mërgimtarët shqiptarë, në shenjë mirënjohjeje për arbëreshët e Horës për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Vendosja e saj përballë bashkisë së qytetit është një akt simbolik që nderon jo vetëm të kaluarën, por edhe përkushtimin e arbëreshëve për të mbajtur gjallë identitetin e tyre.

 

Kryetari i bashkisë, Rosario Petta, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke uruar të gjithë bashkëqytetarët arbëresh, afër dhe larg.  “Kanë kaluar plot 536 vjet që nga 30 gushti 1488, data e themelimit të Horës, dhe ende sot, ashtu si atëherë, feja, riti, gjuha, kultura dhe traditat janë përcjellë nga brezi në brez. Pasuria kulturore e ne arbëreshëve në tokën italiane është unike dhe duhet të ruhet e të vlerësohet”, tha ndër të tjëra ai.

 

Shoqata “Hora e Skënderbeut”, e cila u angazhua për gati dy vite për realizimin e kësaj shtatoreje, e përshkruan ngjarjen si një moment kulminant në historinë e komunitetit arbëresh, duke theksuar se trashëgimia kulturore arbëreshe në tokën italiane është unike dhe duhet të ruhet dhe vlerësohet me kujdes.

 

Ky përurim i veprës së Skënderbeut është një dëshmi e fortë e lidhjes së pashkëputshme midis shqiptarëve të mërguar dhe rrënjëve të tyre historike dhe kulturore, duke shërbyer si një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

 

diasporashqiptare.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top