Në botën e modës, inovacioni dhe kreativiteti janë dy elementë të rëndësishëm që përkufizojnë suksesin. Një shembull i shkëlqyer i kësaj është Sara Xhylani, një stiliste 19-vjeçare nga Peja e Kosovës, e cila po befason me krijimet e saj të jashtëzakonshme.
Sara ka ndarë me ne sekretin e saj të ri: përdorimin e silikonit për të ndërtuar korsetë. Ky material, që zakonisht nuk lidhet me modën, ka krijuar një revolucion në dizajnin e veshjeve të saj.
“Mendoj se shumë ide të bukura dhe mbresëlënëse të artistëve vinë shumë spontanisht. Ideja nuk është një gjë që mund ta sforcosh, apo ta vendosësh se kur do vi, thjeshtë unë kam pasur guximin që idenë time ta realizoj dhe ta prezantoj te publiku. Vetëm në këtë formë dalin gjëra të bukura”, është shprehur Sara.
Sara ka zbuluar se pasioni për këtë fushë filloi kur ishte duke përgatitur fustanin e saj për mbrëmjen e maturës.
Korsetët e realizuar nga Sara janë më shumë se thjesht veshje. Ato ofrojnë një përputhje perfekte dhe janë të jashtëzakonshëm për përdorim të përditshëm.
Sara përpiqet të bëjë një miks të mirë të ideve të saj dhe është e përkushtuar për të ofruar krijime që janë në përputhje me kërkesat e klientëve. Pyetjes sesi është të jesh një stiliste e re nga Kosova, ajo u shpreh:
“Të jesh një stiliste nga Kosova për mua është krenari. Ndonëse jemi shtet i vogël, por kemi shumë vlera dhe plot talente që bëjnë krenar shtetin tonë, patjetër që për mua është kënaqësi shumë e madhe të jem një ndër ta.”
Ajo gjithashtu ka krijuar një fustan të ri, i cili përmban elemente të punuara me silikon dhe po e prezanton për herë të parë në këtë intervistë me ne. Ky fustan, padiskutim tregon edhe një herë vizionin dhe aftësinë e saj për të revolucionarizuar industrinë e modës.
Me një sens të mprehtë të estetikës dhe një qasje inovative, Sara Xhylani po ndihmon në formësimin e së ardhmes së modës dhe është padyshim një emër që do të vazhdojmë të ndjekim me interes në vitet në vijim.