Gastronomia shqiptare

Eksporti i munguar i gastronomisë shqiptare. Global Albanian Gastronomi: jemi gati t’i tregojmë botës kuzhinën shqiptare.

Kuzhina e fqinjit italian në botë kap vlerën e 228 miliardë euro në vit.

“Sot në restorantin e një shqiptari në Berlin, pronari ngurroi të na fliste shqip, sepse banorët e zonës duhet të mendonin se ai ishte italian, ndryshe i prishej biznesi. Janë mbi 20 000 gastronomi shqiptarësh nëpër botë me kuzhinë italiane, greke, turke, spanjolle, franceze, meksikane, etj, por jo shqiptare”, është shprehur Altin Prenga, drejtues dhe zhvillues i agroturizmit “Mrizi i Zanave”. Ai e bëri publike këtë vrojtim ndërsa ndodhej në Berlin në Panairin e parë Ndërkombëtar të Gastronomisë Shqiptare, duke shprehur keqardhje për mungesen e promovimit të produkteve dhe brandeve vendase.

Sipas tij, “Sikur këto restorante të konsumonin vetëm 20% të produktit të trojeve tona dhe të shiteshin si shqiptar, Shqipëria dhe Kosova do ishin vende me dyfishin e ekonomisë aktuale”.

 

Panairi i Gastronomisë Shqiptare duket një hap i parë drejt motivimit të sipërmarrësve të prezantojnë dhe përdorin prodhimet shqiptare.

Për të kuptuar rëndësinë e kësaj në ekonominë tonë, le t’i referohemi fqinjit tonë, Italisë.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, gastronomia italiane në botë vlen 228 miliardë euro në vit. Sipas raportit të Foodservice Market Monitor “Frontiere evolutive per il settore del Foodservice”, përpunuar nga kompania e konsulencës “Deloitte” dhe prezantuar nga Il Sole 24 Ore, “kuzhina italiane në botë ka arritur 228 miliardë euro gjatë vitit 2023, duke u rritur 11% në një vit. Vlera para pandemisë ishte 236 miliardë euro”.

I gjithë tregu i restoranteve në nivel global, sipas këtij raporti, kap vlerën 2.6 trilionë euro, ku Italia ka pozicionin më të mirë.

Sigurisht, kjo nuk ka ardhur në një ditë. Prodhimet ushqimore, të industrisë, dhe në veçanti ato të agro-industrisë, vlerësohen me një vëmendje të dedikuar fillimisht brenda vendit, Italisë.

Duke nisur nga emisionet e gatimit në televizionet italiane, vereni kujdes të veçantë për të promovuar produktet artizanale italiane, pasi saktësohet vendi i origjinës, koha e prodhimit, teknika e prodhimit, mënyra e ruajtjes, kombinimi në konsum, deri tek servirja e duhur e produktit. Kjo kulturë e hershme gjendet tek individi, familjet fermere, si dhe tek politikat rajonale e kombëtare të Italisë. prezantimi me admirim dhe delikatesë i ushqimit lidhet me një vlerësim të fortë për veten dhe përkujdesjen ndaj shëndetit. Italia është ndër të paktat shtete ku reklamat më të mira të transmetuara në publik, kanë si protagonstë anëtarët e familjes prodhuese. Kujtojmë këtu reklamën e biskotave “Balocco”, apo djathi “Parma”.

Kjo dashuri dhe vëmendje për ushqimin, ka bërë sot që prodhimet italiane dhe restorantet italiane nëpër botë, të jenë ndër më të vlerësuarit.

Ekonomia shqiptare është e vogël, por e shtrirë në një treg shqipfolës në Ballkan dhe me një diasporë disa herë më të madhe, do të përfitonte direkt në eksporte, nëse promovon këtë linjë prodhim-shërbimi.

Ekspertët e ekonomisë theksojnë se prodhimi për turizëm, brenda dhe jashtë vendit, është ndër eksportet më të mira që Shqipëria mund të bëjë, pasi është eksport 100% dhe nxit njëkonësisht edhe zhvillimin e turizmit.

Sigurisht, që nuk mungojnë rastet e suksesshme të restoraneve shqiptarë nëpër botë, siç është “C’ka Ka Qellu” në SHBA, apo rrjeti i “Burek King” në Zvicër, “Tony&Tina Burek” në SHBA, etj. Megjithatë, mungon një plan i koordinuar i promovimimit të kulinarisë shqiptare nëpër botë, e cila nis me prodhimin e qëllimshëm që në vend, me politika që e mbështesin.

Global Albanian Gastronomi, zhvilluar në Berlin, duket një hap i parë drejt këtij rrugëtimi.

Eventi dy ditor në fakt vuri në dukje se, “kompanitë shqiptare janë gati për tregun evropian dhe kanë investuar si në rritjen e sigurisë dhe cilësinë e produkteve. Forcimi i markave “ Made in Albania” apo “Made in Kosova” kërkon një përpjekje të përbashkët gjithëpërfshirëse.”

LEXONI EDHE Marketerja që lë koorporatën për një lëvizje që nxit përdorimin e veshjeve të përdorura

“Në vitin 2024 ne duhet ta themi me krenari që jemi shqiptar, të hapim sa më shumë restorante me bazë kuzhinën shqiptare dhe t’ja u tregojmë atë botës. P.sh. një pjatë e parë që mund të futej në shumë restorante italiane-shqiptare është pasta Arbëreshe, si një lidhje mes dy vendeve”, theksuan organizatorët.

Festivali Global Shqiptar i Gastronomisë, që pritet zhvillohet çdo vit, mblodhi në Berlin 100 kompani, rreth 1000 vizitorë dhe ekspozues dhe 50 panelistë dhe 10 kuzhinierë të njohur.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top