Aeroporti ndërkombëtar në Dunedin, një qytet në ishullin e Jugut të Zelandës së Re, ka vendosur një limit prej 3 minutash për përqafimet, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përmirësuar sigurinë dhe për të mbajtur fluksin në zonën e ndarjes së udhëtarëve.
Një shenjë e vendosur në zonën e ndarjes paralajmëron: “Koha maksimale për përqafim 3 minuta. Për përshëndetje më të ngrohta, lutemi përdorni parkimin.”
Kryeekzekutivi i aeroportit të Dunedin, Dan De Bono, shprehet se mesazhet paralajmëruese që dëgjohen në atë zonë mund të jenë shumë të forta dhe paralajmërojnë pasagjerët për bllokimin e automjeteve ose për të vendosur gjoba nëse njerëzit qëndrojnë për një kohë të gjatë. Ai thekson se aeroporti dëshiron të shmangë këto lloj mesazhesh të ashpra, duke pasur parasysh se ato mund të krijojnë një atmosferë të pakëndshme për pasagjerët.
“Kemi tentuar ta bëjmë më argëtues. Ky është një aeroport dhe ato vende ndarjesh janë të zakonshme për ndarjet e emocioneve,” tha De Bono, duke shtuar se shumë njerëz po qëndronin shumë gjatë në zonën e ndarjeve.
“Pjesa më e madhe e vendit nuk mbetet e lirë për të tjerët,” tha ai. “Është për të lejuar të tjerët të kenë mundësinë për përqafime.”
Ndonjëherë, udhëtarët po e përdornin zonën e ndarjeve për veprime të tjera të fundit, tha De Bono.
“Aeroportet janë vende plot emocione… stafi ynë ka parë disa gjëra interesante gjatë viteve.”
Mos humbisni edhe Tre ndryshime për udhëtarët në të gjithë aeroportet e BE-së
De Bono tha se kjo nismë ka shkaktuar shumë reagime. Kritikat në një postim në Facebook, i cili ka pasur dhjetëra mijëra shikime dhe komente, i kanë thënë aeroportit se nuk mund të diktojë se sa kohë lejohet për përqafime, me një komentues që e përshkroi rregullin si “të pabesueshëm”. Të tjerë e kanë lavdëruar aeroportin për këtë qasje miqësore, në një kohë kur aeroporte të tjera në botë po imponojnë tarifa për vendin e ndarjeve.
Aeroporti nuk do të ketë një njësi të veçantë për të monitoruar përqafimet, tha De Bono, por stafi mund të kërkojë me mirësjellje nga ata që qëndrojnë gjatë të kalojnë në parkim.
“Ne nuk jemi këtu për të thënë se sa gjatë duhet të përqafoheni, është më shumë mesazhi për të kaluar dhe ofruar hapësirë për të tjerët.”