Një studim i Qendrës për transparencë dhe informim të lirë mbi nevojën e ngritjes së kapaciteteve në mediat audiovizive për përdorimin e inteligjencës artificiale në pajtim me standardet etike dhe profesionale të gazetarisë, u paraqit dje në Universitetin e Shkodrës në prani të studentëve të gazetarisë.
Studimi nxjerr në pah faktin se televizionet në Shqipëri janë në hapat e parë të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe se redaksitë, gjatë përdorimit të saj, duhet të marrin parasysh etikën në fushën e gazetarisë.
Studimi i Qendrës për transparencë dhe informim të lirë, mbështetur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, analizon edicionet e lajmeve në 9 televizione në Shqipëri, duke arritur në përfundimin se gatishmëria për përdorimin e inteligjencës artificiale është ende e ulët, në masën 25 për qind.
Ndërkohë, thotë drejtuesi i qendrës, Sami Neza, mediat perëndimore kanë avancuar në përfshirjen e AI gjatë përgatitjes së lajmeve dhe përshtatjes së kodeve të etikës, që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në ndërtimin e lajmeve.
“Redaksitë televizive në përgjithësi janë ende të papërgatitura për përdorimin e inteligjencës artificiale. Kur themi të papërgatitura kjo nuk do të thotë se nuk kanë njohuri, por nuk kanë ende këto objektiva dhe nuk kanë ndërtuar strategji në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale. Kjo është shumë e rëndësishme sepse, përpara se t’a përdorësh AI-në duhet të jesh shumë i qartë se ku do ta përdorësh dhe për çfarë do ta përdorësh”.
Studimi thekson faktin se, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti, janë regjistruar vetëm 4 raste të përdorimit të AI në ndërtimin e lajmeve.
Drejtuesi i Qendrës për transparencë dhe informim të lirë, Sami Neza, thotë se inteligjenca artificiale pritet të ndikojë gjithnjë e më shumë edhe në prodhimet televizive në Shqipëri, duke paraqitur njëherazi edhe sfida për gazetarët, sidomos në lidhje me etikën, besueshmërinë dhe integritetin e gazetarisë.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për mediat audiovizive që të përforcojnë kodet e etikës në mënyrë që të përballojnë zbatimin e inteligjencës artificiale, ose të përballojnë ato probleme që lindin përgjatë përdorimit të inteligjencës artificiale sidomos në çështjet e lajmeve, pasi dihen disa problematika që prodhon përdorimi i inteligjencës artificiale në newsroom siç është njëanshmëria, disinformimi, keqinformimi, lajthitja e AI-së për shkak se nuk ka informacionin e duhur”.
Për drejtuesin e departamentit të letërsisë dhe komunikimit në Universitetin e Shkodrës, Arben Prendin, duke patur parasysh përvojat e mediave perëndimore, është e rëndësishme përgatitja që në Universitet e brezit të ri të gazetarëve me përdorimin e Inteligjencës artificiale, përparësitë dhe rreziqet që paraqet ajo.
“Sidomos në programin gazetari dhe komunikim kjo lëndë do të ishte mjaft e dobishme dhe pjesë e formimit të veçantë të studentëve të këtij programi. Po, besoj se lënda e inteligjencës artificiale duhet të futet masivisht në programin e bachelor-it madje edhe në programet master dhe duhet të jetë një mundësi më shumë për specializimin e studentëve në mënyrë që ata, këtë instrument të fuqishëm, t’a përdorin në të gjitha punët dhe projektet e tyre në fushën e gazetarisë”.
Sipas studimit, në fazën e tanishme asnjë televizion në Shqipëri nuk është i përgatitur plotësisht për përdorimin e inteligjencës artificiale, ndërsa dy prej tyre janë të vonuar. Sporadike, sipas studimit, janë edhe nismat e vetë reporterëve apo grafistëve në këtë fushë.