Objektivi i klimës 1.5°C ka vdekur. Pse po flitet ende për të në COP29?!

 

Politikanët dhe mbrojtësit e mjedisit duan të fokusohen te kufizimi i ngrohjes globale me 1.5°C, megjithëse shkencëtarët thonë se planeti është tashmë në rrugën e kalimit tw kwtij kufiri.

Lufta për të mbajtur ngrohjen globale brenda 1.5 gradë Celsius ka qenë një thirrje për veprim klimatik për gati një dekadë. Tani, me planetin që është pothuajse i sigurt për të kaluar këtë qëllim, diplomatët dhe aktivistët në samitin COP29 e gjejnë veten duke u mbajtur ngushtë pas një qëllimi që tashmë nuk ka kuptim.
Dëshmitë po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u injoruar. Ky vit do të jetë sërish më i nxehti në histori, pasi emetimet e gazrave serrë vazhdojnë të rriten dhe Toka do të regjistrojë ndoshta një mesatare prej 1.5°C më shumë se nivelet para-industriale për herë të parë. Një studim i publikuar këtë muaj, duke përdorur një teknikë të re për matjen e rritjes së temperaturave, tregon  se bota ka qenë tashmë 1.49°C më e ngrohtë në fund të vitit 2023.

“1.5°C ka “vdekur me kohë”, tha Zeke Hausfather, një shkencëtar klimatik në Berkeley Earth. Shumë nga kolegët e tij bien dakord. Kombet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se bota është në rrugë për të u ngrohur rreth 3.1°C para fundit të shekullit nëse nuk ndryshon asgjë. Ky raport u publikua menjëherë para se përfaqësuesit nga pothuajse 200 shtete të mblidheshin në Baku, Azerbajxhan, për konferencën vjetore të klimës globale të OKB-së, ku ata kanë qenë të përfshirë në negociata të ashpra për mënyrat e mbledhjes së fondeve për të ndihmuar vendet në zhvillim të luftojnë ngrohjen globale.

 

Humori në Baku nuk ka qenë aspak shpresëdhënës. Liderët e shumicës së ekonomive kryesore, të përfshirë në lufta politike të brendshme, dështuan të shfaqen. SHBA, ekonomia më e madhe e botës dhe ndotësi i dytë më i madh, pritet të tërhiqet nga bashkëpunimi ndërkombëtar klimatik gjatë mandatit të dytë të Donald Trump si president. Dhe presidenti i vendit mikpritës, Ilham Aliyev, ka kaluar më shumë kohë duke mbrojtur karburantet fosile dhe duke u përfshirë në përplasje me shtete të tjera, sesa duke nxitur një marrëveshje ambicioze.

Megjithatë, njerëzit në COP29 nuk mund të ndalin së foluri për 1.5°C. Ky numër mbetet i shkruar në tabela dhe fletushka kudo, edhe pse gjërat duken të errëta. “Qartazi, 1.5°C po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” u tha gazetarëve para fillimit të samitit ,Wopke Hoekstra, komisioneri i klimës i Bashkimit Evropian. “Pavarësisht sa e vështirë është, unë nuk dua të heq dorë nga ky qëllim, duke e ditur mirë se çfarë dëmi ka përtej 1.5 gradw celcius rritje”
Kjo është një frazë e zakonshme dhe dëshmi se sa efikase ka qenë 1.5°C si mjet për të përcjellë rreziqet e ndryshimeve klimatike. Pas marrëveshjes mes shteteve në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për të tentuar të kufizojnë ngrohjen globale nën 2°C, dhe idealisht në 1.5°C, OKB-ja kërkoi nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës të hetojnë ndikimet e kalimit të këtyre kufijve. Raporti special që rezultoi nga ky kërkim, i publikuar në vitin 2018, detajoi sa i madh do të ishte ndryshimi që do të sillte ajo gjysmë grade. Një botë me 1.5°C do të kishte rritje më të ulët të nivelit të detit, më pak valë të nxehta ekstreme dhe katastrofa të tjera krahasuar me një botë me 2°C rritje.

 

Kjo ndikoi dukshëm në veprimet për klimën: Vendet dhe kompanitë po vendosnin gjithnjë e më shumë objektiva agresivë për klimën dhe filluan të derdhin para në burime të rinovueshme dhe teknologji të gjelbra. “Nuk ka kaluar shumë kohë që ishim në një trajektore prej 3C, 4C,” tha Samantha Gross, drejtoreshë e iniciativës për sigurinë e energjisë dhe klimën në Brookings Institution, “dhe tani nuk jemi më aty.”

Rreziku është kaq i lartë dhe kaq shumë është folur për 1.5C, saqë largimi nga ky objektiv rrezikon të dëmtojë lëvizjen klimatike. “Nuk pres që shumica e qeverive ose organizatave joqeveritare të pranojnë shpejt realitetin e 1.5”, tha David Victor, drejtor i Iniciativës për Zhbërjen e Karbonit të Thellë në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. “Nuk ka kontekst ku mund të flasin për diçka tjetër përveç 1.5 dhe të mos akuzohen për kthim pas.”

 

Problemi kryesor, sipas ekspertëve të shkencës dhe politikave klimatike, është se askush nuk e di se cili objektiv duhet të përqafohet më pas. A duhet të jetë 1.6C, 1.7C, apo edhe më i lartë? Çfarë është realiste, por gjithashtu motivuese? A duhet që një objektiv i ri të jetë përsëri një objektiv temperature apo diçka tjetër?

Investitorët miliarderë në klimë kanë pasur pikëpamjet e tyre. Në COP28 vitin e kaluar, Bill Gates tha se realisht edhe 2C nuk është më shumë i mundshëm, dhe bota duhet të sigurohet që të mbetet nën 3C. Magnati australian i minierave, Andrew Forrest, përqendrohet më shumë te “real-zero” — që do të thotë ndalimi i emetimeve, jo kundërbalancimi i tyre — dhe thotë se ky duhet të jetë objektivi. “Ne e shohim net-zero si një dështim,” tha ai në një intervistë në COP29. “Ne e shohim real-zero si diçka që mund ta masim.”

 

Disa politikanë dhe ekspertë kanë filluar tashmë të ndryshojnë mënyrën se si flasin për 1.5C. Njerëzit po “flasin gjithnjë e më shumë për mënyrat se si mund të kufizojmë tejkalimin,” tha shkencëtarja e klimës Kim Cobb nga Universiteti Brown. Ajo po i referohet një teorie shkencore disi të komplikuar — se ka një të ardhme të mundshme ku ngrohja globale e kalon 1.5C, por mjaft emetime karbonike hiqen nga atmosfera, përmes pemëve dhe teknologjive të kapjes së karbonit, që të mund të ftohin përsëri planetin.

Por, tejkalimi dhe pastaj kthimi në 1.5C nuk është e njëjta gjë si të mos kalohej kufiri që në fillim. Hulumtimet sugjerojnë se disa nga pasojat që priten të ndodhin në 1.5C dhe më lart, si rritja e nivelit të deteve dhe zhdukja e specieve, nuk do të kthehen mbrapsht, edhe nëse temperaturat në fund do të kthehen përsëri më poshtë.

 

Aktualisht, shumë pak nga vendet që emetojnë sasi të larta gazrash serë kanë politika të miratuara ose objektiva klimatikë për dekadën e ardhshme që përputhen me objektivin e 1.5C, sipas organizatës jofitimprurëse Climate Action Tracker. Madje edhe Partia e Punës e Australisë, që ka një qasje më progresive për klimën dhe ka kandiduar për të organizuar COP31 në vitin 2026, ka paraqitur vetëm një objektiv për uljen e karbonit deri në vitin 2030 që është më afër një bote me 1.6C ose 1.7C se sa me 1.5C.

Takimi i COP30 vitin e ardhshëm në Brazil do të jetë një provë e vërtetë e qëndrueshmërisë së 1.5C si ylli polar për veprimet globale ndaj klimës. Pritet që vendet të mbërrijnë me objektiva të rinj për reduktimin e emetimeve deri në vitin 2035. Kjo do të thotë se disa nga ndotësit më të mëdhenj të botës, përfshirë SHBA-në dhe Kinën, do të duhet të rrisin ndjeshëm ambicien e tyre aktuale për klimën.

Për vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, braktisja e objektivit të 1.5C nuk është një opsion. Takimet vjetore të COP janë mundësia e vetme për to për të mbajtur përgjegjës vendet e pasura, të cilat me ndotjen e tyre, janë përgjegjëse për motin më ekstrem që tani kërcënon ekzistencën e tyre. Përfshirja e objektivit të 1.5C në Marrëveshjen e Parisit ishte një fitore e madhe për vendet e varfra dhe ato që janë më të prekura nga klima, dhe mbetet një mjet kyç për to që të kërkojnë më shumë ndihmë financiare dhe të nxisin ekonomitë e mëdha të marrin masa më agresive për të ulur emetimet.

Bloomberg

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top