Foto nga: Helena Smith/The Guardian
Më i miri në klasë, greku 80 vjeçar nis shkollën e natës pas një jete pune të mundimshme
Vasillis Panayiotaropoulos gjithmonë ka pasur etje për dijen, por iu desh të braktiste shkollënnë moshën 12 vjeçare për të ndihmuar babain e tij në fushë
“Çdo gjë që mësoj është interesante,” thotë Vasillis Panayiotaropoulos. “Të jesh këtu hap mendjen.”
Është ora 7:45 pasdite. Kjo është ora kur ka filluar një klasë tjetër dhe bota e Greqisë klasike i bën thirrje pensionistit që ka vendosur me kujdes çantën e tij të lapsave dhe librat në një tavolinë të vogël druri.
Me kostumin e tij të errët dhe në këpucët e pastruara, Panayiotaropoulos, jo vetëm që është një figurë elegante në një dhomë, ku muri i pasëm është spërkatur me grafite, por është gjithashtu nxënësi më i vjetër që frekuenton shkollën e dytë të natës në Athinë Qendrore. të paktën gjysma e shokëve të tij të klasës janë në moshën e nipërve të tij.
Kanë kaluar pothuajse 70 vjet që nga hera e fundit që ai ka qenë në shkollë.
“U largova në moshën 12 vjeçare për të ndihmuar babain tim në fusha”, thotë ai, duke kujtuar fëmijërinë e tij në një fshat në Peloponez. “Por, në mendjen dhe shpirtin tim gjithmonë kam pasur dëshirën për t’u kthyer prapë. Është një dëshirë që nuk ka ikur kurrë.”
Ai shpenzoi pothuajse 50 vjet si kamarier dhe pronar taverne para se të riniste arsimimin e tij.
Foto: Helena Smith/The Guardian
Kur mbushi 80 vjeç, ish-pronari i tavernës i tha gruas së tij, Marisë, rrobaqepëse në pension, se do të realizojë dëshirën e tij.
Sot, ai është regjistruar në një klasë që zakonisht ndiqet nga një 15-vjeçar, një mendim që i bën fytyrën të mbushet me buzëqeshje, para se të shpërthejë në një të qeshur. “Ah, të isha 15 vjeç përsëri,” thotë ai. “Kam pasur gjithmonë këtë ëndërr të ushqehem me dije, por nuk e kam menduar kurrë që do të vinte dita kur ta jetoj atë.”
Vendimi i Panayiotaropoulos u bë viral kur ai, si mbajtës i flamurit që udhëhoqi një paradë shkolle në përvjetorin e Ditës së Oxi muajin e kaluar – që përkujton vendimin e Greqisë për të rezistuar ndaj forcave italiane dhe për të hyrë në Luftën e Dytë Botërore në anën e aleatëve – u filmua duke marshuar me krenari përpara parlamentit grek. Disa zyrtarë të qeverisë nuk u besuan syve ndërsa pensionisti me flokë të bardha, i shoqëruar nga dy studente, marshoi pranë tyre.
“Ai mori nderin për të mbajtur flamurin sepse ishte studenti më i mirë në klasë,” thotë Evangelia Pateraki, drejtoresha e shkollës. “Ai është jashtëzakonisht i përpiktë dhe ofron shumë për studentët e tjerë. Është shumë emocionuese të shohësh njerëz që nuk kanë pasur mundësi të njëjta, që kanë pasur nevojë të punojnë, që kthehen në shkollë. Dhe gjithashtu ka qenë një mësim. Unë shkova dhe studova jashtë, fëmijët e mi shkuan në universitet dhe morën punë të mira. I merr këto gjëra si të mirëqena deri sa takon ata që nuk kanë pasur mundësi të tilla.”
Në një komb ku popullsia pritet të zvogëlohet ndjeshëm gjatë çerek shekulli të ardhshëm, vendimi i pensionistit ka një rezonancë të caktuar. Deri në vitin 2050, rreth 35% e popullsisë së Greqisë do të jetë mbi 65 vjeç, sipas Eurostat.
“Ne në shoqëri si e jona, ku shpresa e jetës po rritet, dërgojmë një mesazh për njerëzit e moshës së tij se në jetë nuk është kurrë vonë,” thotë Dr. Pavlos Baltas, demograf në Qendrën Kombëtare për Hulumtime Sociale.
“Përveç kësaj, ndihmon ata që janë më të rinj të përballen me diskriminimin e moshës.”
Koha, thotë ai, ka ardhur për të ri-përcaktuar “shenjuesit artificialë” që përcaktojnë procesin e plakjes. “Përkufizimi i 65 vjeç si pikë fillimi e moshës së tretë është shumë artificial dhe duhet ta rishikojmë atë,” thotë ai.
Greqia regjistron mesatarisht 70,000 lindje në vit, por niveli i vdekshmërisë, është dyfish, 140,000 në vit.
Normat e ulëta të fertilitetit janë të tilla sa, si në Itali, shkollat në zonat e largëta të vendit janë detyruar të mbyllen për mungesë nxënësish.
Babai i dy vajzave që të dyja kanë shkuar në universitet, Panayiotaropoulos thotë se “me zor pret” që të diplomohet në shkollën e mesme në qershor.
“Mësimet e mia të preferuara janë gjuha e lashtë greke dhe matematika,” thotë ai. “Ka fakte që kanë qenë pak të ngatërruara në mendjen time. Për shembull, nuk isha i sigurtë, më parë, kur ka filluar ose ka mbaruar Perandoria Bizantine. Është kaq e mrekullueshme të kesh përgjigje.”
Qeveria qendrore e djathtë e Greqisë thotë se është e vendosur të forcojë shkollat e natës në një kohë kur kudo në Evropë ato gati po zhduken. Problemi demografik i vendit është përshkruar si “një minë me sahat” nga kryeministri, Kyriakos Mitsotakis.
“Ne po fokusohemi në nevojat dhe kërkesat e studentëve që diplomohen prej tyre, si dhe të stafit mësimor,” thotë zv.ministrja e arsimit Zetta Makri për The Guardian. “Është me të vërtetë e lavdërueshme kur çdo i rritur, në çdo moshë, vendos të kthehet në një bankë shkolle… këto ëndrra, përpjekje dhe besim meritojnë çdo mbështetje.”
Por, Panayiotaropoulos, që si shumë të tjerë të brezit të tij në vitet e varfëra 1950-lë, braktisi jetën në fshat për në qytet, nuk dëshiron të shihet si një nxënës model apo si një shembull për t’u kopjuar.
“E vërteta është që kam qenë gjithmonë kurioz dhe gjithmonë kam dashur të lexoj,” thotë ai. “Dhe kultura e kafeneve nuk ishte për mua. Por, nëse doni të shkruani që ëndrrat nuk mbarojnë, se edhe në moshën time ato mund të bëhen realitet, do të jem në rregull me këtë.”