Banka e Shqipërisë ka njoftuar së fundi, se ka licensuar kompaninë e parë në bankingun e hapur, e cila është EasyPay. Bankingu i hapur (Open banking) është një risi e praktikave bankare bashkëkohore, që u mundëson qytetarëve të kenë akses tek të dhënat e llogarisë së tyre dhe të nisin pagesa nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit të palëve të treta.
Ndryshe nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt me një ofrues tjetër shërbimi për të shtuar përfitimet e klientëve nga përvojat inovative financiare.
Kjo do të thotë se klientët mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht vetëm nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky licencim i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar.
“Në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit aplikimet e institucioneve financiare për t’u pajisur me licencën në fushën e bankingut të hapur me qëllim krijimin e më shumë vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare”, thekson BSH në njoftimin e saj zyrtar.
Operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), e cila do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët.
Sipas BSH, përveç përfitimeve personale të konsumatorit, në një plan më të gjerë, kjo risi sjell dobi të shumta në rrugën drejt formalizimit të ekonomisë dhe përfshirjes financiare. Banka e Shqipërisë do të mbetet gjithmonë promotore e iniciativave pararojë dhe nxitjes së inovacionit që kërkon koha për rritjen e mirëqenies së shoqërisë shqiptare.