flamuri

Shqipëria sot feston 112– vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Si sot 112 vite më parë më 28 Nëntor 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë, duke nënshkruar një ngjarje historike të paharruar për popullin shqiptar. Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë, duke shpallur shtetin shqiptar të pavarur dhe sovran.

Në atë moment, Ismail Qemali si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe shtetet ballkanike, përfshirë Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë si rezultat i vullnetit të popullit shqiptar. Po ashtu, më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit të pavarur shqiptar.

Aktin e shpalljes së Pavarësisë e shoqëronte një proces i rëndësishëm: formimi i një qeverie që përfshinte ministra nga të gjitha trevat shqiptare, duke u bërë kështu një shenjë e unitetit kombëtar. Ky akt përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, i cili ishte një rezultat i luftërave dhe përpjekjeve shekullore për të mbrojtur trojet dhe identitetin kombëtar.

Shpallja e Pavarësisë i dha Shqipërisë të drejtën për t’u njohur si një shtet i pavarur, i barabartë me kombet e tjera të Evropës, dhe shënoi fundin e sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane. Ajo gjithashtu hapi mundësitë për zhvillimin e Shqipërisë në plane politike, ekonomike dhe kulturore, duke i dhënë një mundësi të re për t’u avancuar në të gjitha fushat dhe për të arritur progresin që kishte munguar gjatë periudhës së sundimit të huaj. Pavarësia ishte një fitore e madhe, jo vetëm kundër Perandorisë Osmane, por edhe kundër politikave shkatërruese të monarkive ballkanike që synonin copëtimin e Shqipërisë.

Kjo ditë është e shënuar si Dita e Flamurit e cila njihet dhe festohet nga shqiptarët kudo që ndodhen.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top