Në një postim në mediat sociale, Trump është shprehur se ideja që shtetet BRICS po përpiqen të largohen nga dollari është e papranueshme. Shtetet BRICS përfshijnë Kinën, Rusinë, Brazilin, Indinë, Afrikën e Jugut, Iranin, Egjiptin, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Politikanët në Brazil dhe Rusi kanë sugjeruar krijimin e një monedhe të përbashkët për BRICS, për të reduktuar dominimin e dollarit në tregtinë globale, por ka pasur mospajtime të brendshme që kanë ngadalësuar përparimin. Trump ka theksuar se këto shtete duhet të angazhohen se nuk do të krijojnë një monedhë të re ose të mbështesin ndonjë valutë tjetër që do të zëvendësonte dollarin, përndryshe do të përballen me tarifa 100% dhe do të humbasin mundësinë për të shitur në ekonominë amerikane.
Disa aleatë të Trump kanë sugjeruar se këto kërcënime mund të jenë taktika negociuese. Sipas senatorit republikan Ted Cruz, kërcënimet për tarifa mund të përdoren për të ushtruar presion dhe për të nxitur veprime nga vendet e tjera.
Tarifat janë një taksë vendore që aplikohet ndaj mallrave që hyjnë në një vend dhe ato përllogariten në përpjesëtim me vlerën e importit.
Trump ka përdorur tarifat si një mënyrë për të mbrojtur ekonominë amerikane, për të rritur të ardhurat dhe për të mbrojtur vendet e punës, megjithatë ekonomistët shpesh e shohin këtë si një keqkuptim, pasi kostoja e tarifave i bie zakonisht konsumatorëve amerikanë, jo eksportuesve të huaj.