50 krerë shtetesh dhe qeverish do të mblidhen për të festuar rihapjen e Notre-Dame, katedralës gotike të shekullit të 12-të në Paris, që u shkatërrua nga zjarri pesë vjet më parë, e restauruar me një shpejtësi dhe mjeshtëri të jashtëzakonshme. Donald Trump do të jetë aty për t’i dëshmuar Frances në më të mirën e saj. Ajo ka realizuar, me kohë dhe brenda buxhetit, një arritje të jashtëzakonshme të mjeshtërisë dhe rinovimit që sigurisht nuk do të mund ta realizonte asnjë vend tjetër.
Megjithatë, e njëjta Francë madhështore është gjithashtu e bllokuar në një krizë të thellë politike. Qeveria u shkarkua nga parlamenti më 4 dhjetor. Kryeministri i saj, Michel Barnier, provoi të kalonte buxhetin për vitin 2025, por u ndesh me realitetin e egër të jetës pa një shumicë dhe u bë kryeministri me mandatin më të shkurtër të Republikës së Pestë. Në një pakt të pandershëm politik, Marine Le Pen, drejtuesja e partisë së djathtë ekstreme Rassemblement National (RN), u bashkua me një aleancë të majtë, të dominuar nga Jean-Luc Mélenchon.
Problemi i Francës sjell disa mësime. Partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të djathtë të vendit janë fragmentuar. Në zgjedhjet e fundit presidenciale, gjysma e votuesve kanë zgjedhur ekstermistët në raundin e parë. President pas presidenti ka dështuar në menaxhimin e buxhetit. Një popullsi në plakje dhe kërcënime gjithnjë e më të mëdha për sigurinë kombëtare do të thotë se barra fiskale do të rritet. Diskursi politik i papërgjegjshëm dhe pengues i vendit vetëm sa përshpejton kalimin në ekstremet politike—dhe kështu e bën zgjidhjen më të vështirë. Në një mënyrë a tjetër, shumë pjesë të Europës janë të kapura në të njëjtin kurth të mjerë.
Rezultati, të paktën në Francë, është bllokimi. Pa asnjë parti ose aleancë afër shumicës në Asamblenë Kombëtare, Franca përballet me mundësinë e një serie qeverish pakice, që do ta kenë të vështirësi të realizojnë diçka. Gjashtë muaj më pare, Emmanuel Macron thirri zgjedhjet e parakohshme, që ishin një gabim i rëndë. Ndaj, Franca nuk mund të thërrasë zgjedhje të reja deri në korrik të vitit të ardhshëm—dhe edhe atëherë, nuk ka garanci që ndonjë parti ose koalicion do të fitojë shumicën. Edhe pse mund të shmanget një ndërprerje e qeverisjes, (pasi buxheti i këtij viti mund të aplikohet edhe vitin tjetër), situata ndalon çdo reformë.
Problemi thelbësor është se shumica e votuesve francezë nuk janë të gatshëm të përballen me realitetin ekonomik. Ashtu si vendet e tjera europiane që po plakën dhe që përballen me konkurrencë nga Amerika dhe Azia, Franca po shpenzon në mënyrë të pasistueshme. Pothuajse për këtë vit, deficiti i buxhetit parashikohet të kalojë 6% të PBB-së. Zoti Barnier, me urdhrin e presidentit Macron, po përpiqej ta rregullonte këtë. Paketa e tij, me shkurtim shpenzimesh 40 miliardë euro (42 miliardë dollarë) dhe rritje taksash prej 20 miliardë eurosh, do të kishte ulur hendekun, edhe pse vetëm për një pikë përqindje ose më pak. Edhe kjo ishte shumë për të djathtën dhe të majtën e papërgjegjshme, të cilat do të preferonin të kërkonin pushtet, duke nxitur pakënaqësinë popullore.
Është e vështirë të shihet se si mund të zgjidhet kjo. Derisa votuesit të risjellin vlerat e kursimit, ata do të vazhdojnë të votojnë për fantazitë që shesin ekstremistët. Buxhete të arsyeshme, pra të dhimbshme, nuk do të miratohen. Rritja ekonomike do ta bënte të gjithë këtë më të lehtë, por Franca po rritet me vetëm 1% në vit—jo shumë keq për zonën e euros, por jo mjaftueshëm për të zgjidhur problemin buxhetor. Borxhi i Francës është alarmant, 110% e PBB-së. Evropianët e veriut dikur shihnin me përçmim PIGS—Portugali, Itali, Greqi dhe Spanjë—për shpenzimet e tyre të papërgjegjshme. Tani, Franca është bërë një PIG, ndërsa PIGS-të janë reformuar kryesisht.
Deri tani, tregjet financiare kanë mbetur të qeta. Norma e interesit për borxhin sovran francez është rritur pak, por qeveria mund të marrë hua ende me më pak se një pikë përqindje më shumë sesa Gjermania. Krahasoni këtë me shpërndarjet mbi dhjetë pikë përqindje që Greqia kishte gjatë krizës së zonës së euros. Deklarata e Mario Draghi-t në vitin 2012, që Banka Qendrore Evropiane ishte gati të bëjë “çdo gjë që duhet” për të mbrojtur euro-n, mbetet në fuqi edhe sot.
Megjithatë, premtimi i Draghi-t është vetëm një periudhë pushimi nga problemet kronike të Francës dhe Europës, jo një zgjidhje. Ekonomitë e Europës nuk po rriten mjaftueshëm për të financuar kërkesat ndaj tyre. Zona e euros parashikohet të rritet me vetëm 0.8% në vitin 2024.
Trump kërcënon me tarifa 10%- 20% për të gjitha importet në Amerikë, me shumë më tepër për vendet si Kina. Kjom mund të çojë në vërshim të produkteve në Evropë.
Në të gjithë kontinentin, kërkesat për shpenzime të qeverisë janë rritur. Mbrojtja është një shembull i mirë. Franca, ashtu si Gjermania, vetëm sa e arrin objektivin e shpenzimeve të vendosur në vitin 2014 prej 2% të PBB-së, dhe kjo është qartë e pamjaftueshme në një botë ku Vladimir Putin kërcënon fqinjët e tij. Në të njëjtën kohë, Trump ka të drejtë të ankohet se anëtarët evropianë të NATO-s janë shfrytëzuesit më të mëdhenj të buxhetit të mbrojtjes së Amerikës. Vendet evropiane do të duhet të gjejnë shumë më tepër para për shpenzime sigurie.
Fatkeqësisht, politikanët udhëheqës të Europës janë të paaftë të krijojnë një konsensus mbi mënyrën e financimit të kërkesave ekzistuese dhe të ardhshme. Në të gjithë Europën, fragmentimi politik po çon në qeveri të paqëndrueshme, ose sepse krijon koalicione të brishta, si në Gjermani ose Holandë, ose qeveri me pakicë si në Francë ose Spanjë. Pabarazia e tyre ndikon gjithashtu në BE-në si një e tërë, pasi, pa udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë, asgjë ambicioze nuk mund të ndodhë në Bruksel.
Kërcënimi i pritshëm
Në të kaluarën, pakënaqësia e votuesve do të kishte çuar në një ndryshim të shëndetshëm të qeverisë. Por, Franca është një paralajmërim i qartë për atë ku të çon politika e zhgënjimit sot. Kur votuesit janë lodhur nga koalicionet e qendrës ose qeveritë e dobëta të pakicës, e vetmja zgjedhje tjetër para tyre janë ekstremet politike. Ka mundësi për një qeveri të udhëhequr nga RN në Francë vitin e ardhshëm, ose edhe një presidencë Le Pen në vitin 2027, kur duhet të mbahen zgjedhjet e ardhshme. Nëse Macron e befason Francën, dhe dorëhiqet, mund të ndodhë edhe më shpejt.