Bashkimi Europian

Shqipëria hap bisedimet për kapitujt e politikës së jashtme në procesin e anëtarësimit në BE

 

Shqipëria nisi sot bisedimet për një tjetër grupkapitull, pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ato u zyrtarizuan me mbajtjen e Konferencës së tretë ndërqeveritare në Bruksel. Grupkapitulli VI, “Marrëdhëniet me jashtë”, përfshin Kapitullin 30 “Marrëdheniet e jashtme” dhe Kapitullin 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”. Dy muaj më parë, Shqipëria nisi bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë. I quajtur “Themeloret”, ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, duke qenë se prek tema me peshë që nga gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar. Në total janë 6 grupkapituj të cilët përmbledhin 35 kapitujt që përbëjnë arkitekturën ligjore të Bashkimit europian.

“Në dy muaj janë hapur dy grupkapituj. Dhe kjo shpejtësi është e paprecedentë. Më shumë ka ndodhur në këto dy muaj se sa në 15 vjet”, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, vendi i të cilit po mbyll gjashtëmujorin e presidencës së Bashkimit Europian, duke sjellë në vëmendje faktin se Shqipëria ka bërë aplikimin e saj për anëtarësim që në vitin 2009.

“Ky vendim i sotëm është dhe një sinjal për Shqipërinë e rajonin e Ballkanit Perëndimor e më tej, se zgjerimi është prioritet për BE dhe ne jemi të përkushtuar për të marë rezultet të tjera e të mundemi ta forcojmë Bashkimin tonë në bazë dhe të ndryshimeve gjeostrategjike”, u shpreh nga ana e saj Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, bisedimet për këtë grupkapitujsh nuk parashikohen “fort të vështira, sepse Shqipëria ka qenë në harmoni me politikat e jashtme të BE-së, sa i takon diplomacisë e sigurisë. Dhe vetë shqipëtarët janë mbështetës për këto lloj politikash”.

Shqipëria duket se po kërkon të përfitojë nga momenti i favorshëm gjeostrategjik, ku për shkak të agresionit rus në Ukrainë, BE-ja ka rikthyer vëmendjen ndaj zgjerimit, siç nuk ndodhte prej një kohe shumë të gjatë. Për këtë arsye, zoti Rama edhe sot përsëriti se “ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tonë ta shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027. e me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade”.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top