Pse situata në Los Angeles po përkeqësohet dita ditës

Disa ditë pasi Shërbimi Kombëtar i Motit në Los Angeles paralajmëroi për një rrezik ekstrem të zjarreve në mes të një stuhie ere “kërcënuese për jetën dhe shkatërruese,” shpërthyen një seri zjarresh shkatërruese në zona të ndryshme të rajonit, veçanërisht në zonat malore ku ishin parashikuar erërat më të forta.

Këto zjarre shpërthyen të martën dhe u përhapën me shpejtësi në kushtet e thata të janarit, të shtyra nga erëra të forta, që arritën deri në 145 km/orë. Në mëngjesin e së mërkurës, zjarri Eaton në kodrat në verilindje të Pasadena-s kishte përfshirë mbi 10,000 hektarë, duke shkaktuar dy viktima, dëmtuar shumë njerëz dhe shkatërruar 100 struktura. Po ashtu, pati evakuime në zonat urbane në pjerrësitë e zjarrit.

Një tjetër zjarr, i njohur si Zjarri Hurst, përfshiu 500 hektarë në lagjen Sylmar të San Fernando Valley, duke filluar vonë të martën dhe duke detyruar mbylljen e pjesëve të Autostradës 5. Ndërkohë, Zjarri shkatërrues Palisades, në anën perëndimore të Los Angeles-it, u zgjerua në mbi 11,000 hektarë, duke djegur 1,000 shtëpi dhe duke kërcënuar zona të dendura si Santa Monica, Brentwood dhe Malibu.

Sjellja ekstreme e këtyre zjarreve e ka bërë thuajse të pamundur kontrollin e tyre. Video të shpërndara në internet tregojnë flakë të fuqishme që përhapen nga erërat.

 

Çfarë i shkaktoi zjarret?

 

Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar për një stuhi ere me erëra deri në 80 km/orë dhe shpërthime që kalonin 130 km/orë, duke e krahasuar situatën me një stuhi të dhjetorit 2011 që shkaktoi dëme të mëdha në Pasadena, por me një rrezik më të ulët zjarri atë vit. Meteorologët e përshkruan situatën si një “skenar potencialisht katastrofik.”

Rënia e pakët e shirave, pas një vere jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të thatë, ka krijuar një peizazh jashtëzakonisht të rrezikuar nga zjarret në Kaliforninë Jugore. Në Los Angeles dhe San Diego kanë rënë më pak se 0.6 cm shi gjatë vjeshtës dhe dimrit, duke lënë bimësinë të tharë dhe të gatshme për t’u djegur.

Alex Hall, një shkencëtar klimatik në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, tha se mungesa e shirave ka zgjatur sezonin e zjarreve nga tetori deri në janar.

“Normalisht, shirat e para nëntorit do të ndihmonin në shuarjen e kësaj vale të nxehtë,” tha Hall. “Por këtë vit, kemi përjetuar erërat tipike Santa Ana pa reshje, duke zgjatur rrezikun.”

 

Por, cilat janë pasojat dhe ndikimet klimatike

 

Mbi 300,000 konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike në Kaliforninë Jugore, ndërsa Southern California Edison ndërpreu energjinë për rreth 75,000 klientë për të shmangur vatra të reja. Rreziku i zjarreve do të vazhdojë, duke u përhapur më tej në jug, përfshirë qarkun San Diego, ku erërat e forta dhe lagështia e ulët pritet të përkeqësojnë situatën.

Një raport i fundit nga Climate Central tregoi një rritje të dukshme të ditëve me rrezik zjarri në Kaliforninë Jugore që nga vitet 1970. Zjarret e nxitura nga era në Perëndim po përhapen më shpejt dhe po djegin më shumë hapësira për shkak të tharjes së bimësisë, një pasojë e ndryshimeve klimatike.

Washingtonpost.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top