Piramida Tirane

Piramida në Tiranë: Dikur muze për Enver Hoxhën, sot qendër e teknologjisë

Dikur muze dedikuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë tani është kthyer në qendër të teknologjisë dhe në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipëri.

Piramida është bërë pjesë e shëtitjes së mbrëmjes të qytetarëve të Tiranës, e ambicieve të të rinjve për t’u bërë pjesë e qendrës së teknologjisë aty, si dhe cak i turistëve të huaj që duan ta shohin nga afër se si është shndërruar simboli i së shkuarës.

“Shtëpia e diktaturës, tani shtëpi lirie”

Ilda Qazimllari, drejtore e Investimeve në bashkinë e Tiranës, thotë se shndërrimi i Piramidës tregon se si mund të ruhet historia e një objekti, duke iu përshtatur nevojave të një epoke të re. Sipas saj, nga shtëpi e shtypjes dhe diktaturës, Piramida po kthehet në “shtëpi lirie”.

“Nëse ëndrrat e së ardhmes janë kodimi, robotika, mekatronika, dizajni, softueri, atëherë duhet të përgatitemi sot. Qendra TUMO, që zë hapësirë në Piramidën në Tiranë do ta kryejë më së miri funksionin dhe qëllimin e saj në ambientet e reja të Piramidës”, thotë Qazimllari.

Qendra e Inovacionit “Tumo Tirana” ishte hapur në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Por, ajo u zhvendos në hapësirat e Piramidës në maj të këtij viti, pas rinovimit të Piramidës.

Drejtorja e Investimeve në bashkinë e Tiranës tregon se në TUMO mësojnë fëmijë të grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Qëllimi i qendrës është që t’iu ofrojë fëmijëve zhvillimin të aftësive të tyre digjitale.

“Njohuritë që ata fitojnë i ndihmojnë ata në krijimin e një portofolio personal në fushat e programimit, animacionit, zhvillimit të Lojërave kompjuterike, dizajnit grafik, filmografisë, robotikës, muzikës dhe modelimit tredimensional”, thotë Qazimllari.

Ajo shton se fëmijët mund edhe të marrin pjesë në seminare të zhvilluara nga ekspertë vendorë e ndërkombëtar. Brenda Piramidës do të ketë edhe ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore, por edhe hapësira për biznese. Qazimllari thotë se, për shumë arsye, ky objekt është kthyer në një ndër më të vizituarit në Tiranë.

“Historia që mbart, funksioni i ri dhe lehtësia në qasshmëri në çdo pjesë të saj  si në ambientet e brendshme, po ashtu edhe në pjesën e jashtme e bën atë tërheqëse dhe lehtësisht të vizitueshme edhe nga turistët”.

Çdo ditë, Piramida tërheq vizitorë të shumtë vendës dhe të huaj.

 

evropaelire.org

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top