Personalitet

Si t’i thuash dikujt JO dhe të mos ndihesh fajtor për këtë

Për një fjalë kaq të thjeshtë, “jo” shpesh mund të jetë e vështirë për ta thënë. Ky është një problem i zakonshëm për njerëzit që kërkojnë të kënaqin të tjerët, për ata që sapo kanë nisur karrierën dhe përballen me kërkesa të shumta nga eprorët e tyre. Por, ndonjëherë, vendosja e kufijve është e domosdoshme.

Nëse ndiheni të bllokuar apo nervoz përpara se të refuzoni një kërkesë, shkencëtarja e sjelljes dhe profesoresha e asociuar në Universitetin Cornell, Sunita Sah, ka një këshillë: ndaloni së menduari për reagimin e personit tjetër dhe përqendrohuni në përfitimet që ky vendim do të sjellë për ju. Në podkastin “Hello Monday” të LinkedIn, ajo ndau përvojat dhe këshillat e saj për të thënë “jo” në mënyrë më të lehtë dhe efektive.

Fuqia e refuzimit: Një praktikë, jo një personalitet

Sah ndan se, si shumë njerëz, ajo u rrit duke u mësuar të jetë e bindur. “Ju kushtëzoheni të mendoni se pajtueshmëria është e mirë dhe sfida është e keqe. Dhe shpërbleheni për të qenë të bindur,” tha ajo. Megjithatë, të refuzosh punën shtesë, ose detyrat, kur ke një orar të mbushur nuk të bën dembel, por tregon se vlerëson shëndetin mendor dhe produktivitetin afatgjatë.

“Kundërshtimi nuk është një karakteristikë e pandryshueshme; është një grup aftësish që mund të praktikojmë dhe ta zhvillojmë,” thekson Sah.

Fraza që mund të lehtësojnë “jo”-në

Për ata që hasin vështirësi të shprehin refuzim, Juliet Funt, autore e librit “A Minute to Think,” sugjeron disa fraza:

  • “A mund të marr një ditë për t’u kthyer tek ju?”
  • “Mund ta bëj këtë herë, por nuk mund ta bëj gjithmonë.”
  • “Nuk mundem të kthej përgjigje tani, por mund ta shqyrtojmë më vonë.”
  • “Nuk mundem, por këtu është një alternativë për ju.”

“Fjalët që përdorni janë të rëndësishme. Shmangni justifikimet e gjata, ose tonin e pasigurt dhe përqendrohuni në qartësi dhe sinqeritet,” sugjeron ajo.

Një “jo” e thjeshtë është e mjaftueshme

Ekspertja e komunikimit Jessica Chen, në librin e saj të fundit “Smart, Not Loud,” rekomandon të mbani një ton të vërtetë dhe të shpjegoni arsyen e refuzimit. Sugjeroni zgjidhje alternative, kur është e mundur, por mos harroni se ndonjëherë, një “jo” e thjeshtë është mjaft e fuqishme.

Siç përfundon Funt: “Një ‘jo’ është një deklaratë e plotë. Mos kini frikë ta përdorni atë pa e tepruar me shpjegime.”

Praktikimi i aftësisë për të thënë “jo” mund të sjellë ndryshime të mëdha në mirëqenien dhe produktivitetin tuaj. Filloni nga pak dhe mos harroni se është një shkathtësi që zhvillohet me kohën.

cnbc.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top