samiti i tretë i diasporës

Zhvillohet Samiti i tretë i Diasporës në Tiranë

U zhvillua në Tiranë Samiti i tretë i Diasporës, ku krahas liderëve të Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit, morën pjesë edhe sipërmarrës dhe drejtues të organizatave të ndryshme në diasporë.

Kryeministri Edi Rama në fjalimin e tij theksoi se sot shqiptarët janë në pozita që nuk kanë qenë asnjëherë më parë në të gjitha vendet ku jetojnë në rajon.

Sipas tij, shqiptarët janë në rrugën e duhur për t’u ngjitur në majën ku do i lejojë të shkruajnë fjalët e tyre në historinë e botës.

Nga samiti i Diasporës i zhvilluar në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se duhet që 22 Nëntori, dita e alfabetit të jetë festë kombëtare edhe në Shqipëri. Duket se sugjerimin kreut të qeverisë ia ka dhënë Presidenti Bajram Begaj.

Aktualisht e festuar si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Rama tha se beson se edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’ia dërgojë këtë sugjerim kryeministrit të saj, Albin Kurti.

Në fjalën e tij në Samitin e Diasporës, kryeministri Edi Rama paralelizoi suksesin e shqiptarëve në botë, të cilët njihen nga të gjithë, me njerëzit e thjeshtë, historitë e të cilëve shpesh nuk thuhen. Ai rrëfeu historinë e një djali emigrant, i cili siç thotë Rama punoi fort për ëndrrën e tij modeste, por pas shumë lodhjesh ja arriti.

“Ndërkohë që mendohesha se çfarë do thoja këtu, m’u kujtua historia reale ne një djali, që ishte minoren kur iku nga një zonë e thellë e Shqipërisë në Greqi, kaloi kufirin ilegalisht dhe punonte si mbledhës frutash e kursente çdo lek që merrte, aq sa flinte në pemë. Në pemën e arave ku punonte. Dhe pse i kursente? Se kishte dhe ai një ëndërr, kur kishte shkuar atje për herë të parë, ishte larë më ujë të ngrohtë në vaskë dhe kishte ëndërr ta blinte e ta çonte në fshat e të lante babain.

Dhe ma ka treguar se si arriti të mbledhë lekët, të blente vaskën dhe të paguante transportin, të bënte gjithë rrugën me mallrat aty afër vaskës që të ishte i sigurt që do arrinte në destinacion, të merrte pastaj një tjetër kamionçinë dhe kur futi vaskën në shtëpi, gjtihë familja e priste, panë atë formën e çuditshme dhe menduan se djali qenka çmendur, e instaloi, hodhi dhe sapunët dhe e futi babain në vaskë. Më tha nuk doja që ai të vdiste pa provuar të lahej njëherë si njeri!

Sa janë këto histori e sa ka ndryshuar sot jeta e të gjithë atyre që në vitet ’90 u larguan dhe u përballën me vulën në ballë si njerëz të padëshiruar, por mësimi i të gjithëve është sa shumë mund të bëjmë kur realisht jemi gati ta ndjekim ëndrrën dhe të kuptojmë se nëse vendet tona ku ne kemi fuqinë shtetbërëse, nuk kanë arritur për shumë e shumë kohë aty ku duhej të ishin sot, kjo ka të bëjë me aftësitë tona.”

I pranishëm në Samitin III të Diasporës ishte edhe Shqiprim Arifi, kreu i Komunës së Preshevës. I lindur vetë në Diasporë, duke iu drejtuar gjithë shqiptarëve në vende të huaja, ai tha se janë shembull që nuk përshkruhen me fjalë pasi edhe me mosprezencë kontribuojnë në vazhdimësi për vendin tonë.

Në një ditë të rëndësishme si Samiti i Diasporës nuk mund të mungonte fjala e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja Osmani theksoi ndër të tjera se mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jetojnë apo veprojnë shqiptarët duke arritur në këtë mënyrë suksese.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha në Samitin e Diasporës se komunitetet e shqiptarëve kudo nëpër botë i kanë Shqipërisë një shtrirje globale më të madhe se përmasat e saj. Sipas tij, diaspora është promotorja më eficente e kulturës dhe identitetit shqiptar. Begaj theksoi se Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë Diasporën.

 

tvklan.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top