Ballkan

Në 2024 pati rënie të madhe të migrantëve të parregullt në Ballkan, 78% më pak se 2023

Numri i migrantëve të parregullt që hynë në vendet e Ballkanit me synim për të kaluar drejt vendeve europiane gjatë vitit 2024 ishte 78% më pak se viti 2023, sipas të dhënave vjetore të publikuara nga Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, FRONTEX.

Rreth 21 mijë migrantë të parregullt kryesisht nga Siria, Turqia dhe Afganistani u ndaluan nga policitë kufitare në të ashtuquajturën “Rruga ballkanike” e kalimit të migrantëve që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave dhe Shqipëria.

Ndërkohë, sipas të dhënave vjetore të FRONTEX-it pavarësisht presionit të vazhdueshëm të migracionit, bashkëpunimi i vendeve të Bashkimit Europian dhe partnerëve kundër rrjeteve të kontrabandës ka reduktuar me 38% krahasuar me vitin 2023 kalimet e migrantëve të parregullt në kufijtë e jashtëm të Evropës.

Sipas FRONTEX-it në total kalimet e migrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Europian ishin rreth 239000 gjatë vitit 2024.

FRONTEX-i vëren se rënia e përgjithshme e numrit të migrantëve të parregullt është duke arritur nivelin më të ulët që nga viti 2021, kur migrimi ishte ende i prekur nga pandemia COVID.

Sipas FRONTEX-it krahas rënies më të madhe të shënuar në Ballkan rënia e numrit të përgjithshëm u shkaktua kryesisht nga një rënie prej 59% e mbërritjeve përmes rrugës së Mesdheut Qendror, për shkak të më pak nisjeve nga Tunizia dhe Libia.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top