Diaspora shqiptare do të votojë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme elektorale në Shqipëri, të cilat do të zhvillohen me 11 Maj të këtij viti. Në një studim të tij, Instituti I Studimeve Politike, ka nxjerrë në pah pozicionimin e grave dhe të rinjve në fushatë zgjedhore.
Partitë politike kanë premtuar se të rinjtë, gratë dhe vajzat, diaspora dhe kategori të tjera të gjera të popullsisë do të jenë pjesë e listës së tyre të kandidatëve në zgjedhje. “Përfaqësimi sa më i gjerë dhe pluralist e forcon nivelin e legjitimitetit dhe i bën partitë më të ndjeshme ndaj kategorive që përbëjnë shumicën votuese dhe aktive në sistemin tonë përfaqësues”, sipas ISP.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po monitoron standardet e integritetit te partitë politike, proceset e brendshme dhe vetë procesin zgjedhor në Shqipëri. Instituti vë në dukje elementët kritikë të modelit të përfaqësimit dhe elementët pozitivë të tij.
Elementë kritikë lidhur me modelin e përfaqësimit politik:
- Partitë nuk kanë struktura funksionale rinore / të grave;
- Partitë nuk kanë përcaktuar formula / kuota përfaqësimi;
- Partitë nuk kanë përfaqësues të diasporës në kryesi;
- Partitë nuk kanë rregulla integrimi për diasporën;
- Forumet rinore / grave nuk kanë kryer procese zgjedhore;
- Sekretariatet politike dublojnë/mbivendosen mbi forumet;
- Mungojnë aktet e brendshme rregullatore dhe transparente;
- Mungojnë praktikat e ndarjes së financimit elektoral.
Elementë pozitivë lidhur me modelin e përfaqësimit politik:
- Vota e diasporës rrit peshën e tri kategorive të cituara;
- Rinia dhe gratë kanë gjithnjë e më shumë figura publike;
- Vota e diasporës ka marrë rëndësi primare në fushatë;
- Rinia dhe diaspora përdorin teknologjitë e reja zgjedhore;
- Forumet rinore kanë rol dhe ndikim tek votuesit e rinj;
- Të rinjtë, gratë dhe diaspora janë aktiv në debate publike;
- Sondazhet ofrojnë mbështetje për këto tri kategori;
- Tri kategoritë kanë akses dhe lidhje ndërkombëtare.