Petrit Halilaj një artist kosovar, që jeton në Berlin, vazhdon të mahnisë me projektet e tij kudo në botë. Së fundmi ai ka realizuar një vepër të veçantë duke marrë një vëmendje të jashtëzakonshme.
Bëhet fjalë për pikturën e pulave, nga fshati i artistit Runik, vepër kjo që është pjesë e ekspozitës së tij “Runik”‚ në Ameriken Latine, në Muzeun Tamayo te Meksikës, e cila është e hapur deri më 7 prill 2024.
Kjo vepër me mbishkrimin,“Nga Runiku me dashni”, mbulon krahët e aeroplanit gjigant Boeing 737 të Aeromexico dhe po fluturon në shumë vende të botës.
Për këtë sukses të artistit nuk kishte si të mungonte dhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, i cili u shpreh:
“Krahët e aeroplanit Boeing 737 të kompanisë ajrore Aeromexico u mbuluan me veprën e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Aeroplani fluturoi mbi Meksikën, Brazilin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikes, duke i dhënë krahë veprë së Halilajt. Me mbishkrimin “Nga Runiku me dashni!” pulat e fshatit të Runikut, Komuna e Skenderajt, fshatit të artistit, të cilat i trajton shpesh në veprën e tij, fluturuan të lira në tre shtete e dy kontinente, sfiduan ligjet e natyrës, rrethanat politike e pengesat geografike“.