Në Uashington është mbajtur një diskutim mbi komunizmin në Shqipëri dhe pasojat psikologjike të tij, gjatë të cilit studiuesja Lindita Komani prezantoi gjetjet e një hulumtimi mbi ndikimin e diktaturës tek viktimat e komunizmit dhe fëmijët e tyre.
Zonja Komani është shprehur se ka vërejtur prirje shqetësuese të ankthit tek kjo kategori e shoqërisë.
Sipas hulumtimit të studiueses Lindita Komani, rreth 22 % e fëmijëve të viktimave të komunizmit në Shqipëri vuajnë nga ankthi, një prirje shumë herë më e lartë krahasuar me grupet e tjera të popullsisë, ku kjo shifër është 3.8 %.
Nivel shqetësues ankthi, gati 40 %, vërehet edhe tek pasardhësit e viktimave të komunizmit që janë shpërngulur në Shtetet e Bashkuara, thotë autorja e studimit.
Sipas studimit, rreth 80 % e baballarëve dhe 70 % e nënave që janë viktima të komunizmit vuajnë nga trauma.
Këto të dhëna zonja Komani i prezantoi në një diskutim mbi komunizmin në Shqipëri dhe pasojat psikologjike të tij, të organizuar në mjediset e Muzeut të Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Uashinton.
“Ankthi është vetëm një pjesë e problemeve psikologjike që ka ndeshur kjo popullsi, fëmijët e viktimave të komunizmit dhe para tyre viktimat e komunizmit, sepse probleme të tjera janë depresioni, një zemëratë shumë e madhe brenda për gjërat që akoma janë të pazgjidhura sot e kësaj dite, një distancim nga shoqëria e të tjera të ngjashme. Me sa kam studiuar, pjesa më e madhe e njerëzve që kanë qenë viktima të komunizmit dhe fëmijët e tyre janë larguar nga Shqipëria. Sepse kanë dashur që të mbyllin një kapitull të jetës së tyre dhe të fillojnë një jetë nga e para diku tjetër”, thotë zonja Komani.
Për gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, Shqipëria u përball me një nga diktaturat më të ashpra ku mijëra vetë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën e internuan. Populli shqiptar ishte i izoluar nga pjesa tjetër e botës, plotësisht i varur dhe i nënshtruar nga partia dhe diktatori, me njerëzit që jetonin nën frikë të vazhdueshme.
Sipas studiueses Komani ndër pasojat e dukshme të shoqërisë janë mosbesimi tek njëri tjetri, dorëzimi para udhëheqësve të fuqishëm, frika për t’u shprehur dhe mungesa e vullnetit për ta përmirësuar gjendjen në vend.
“Mentaliteti i izolimit mendoj se mund të ketë mbetur tek brezat shumë të vjetër, që edhe pas rënies së komunizmit nuk kanë pasur mundësinë të lëvizin dhe të shohin botën përreth. Por brezat e rinj janë përballur me botën, shumë kanë qenë emigrantë. Kanë njohur se si është të jetosh në një realitet tjetër dhe nuk është se janë më të izoluar. Por ajo që ka mbetur është ideja e udhëheqësit të palëkundshëm, të pamposhtshëm e udhëheqësit që është i padiskutueshëm. Pra njerëzit vazhdojnë sot fatkeqësisht, të kërkojnë një figurë të fortë që të jetë aty gjithmonë dhe të kujdeset për t’i zgjidhur punët”, thotë zonja Komani.