Organizatat mjedisore shqiptare që morën pjesë këtë vit në regjistrimin botëror të shpendëve të ujit thonë se tre vrojtime të pazakonta u regjistruan në rezervuarin e Bulos në Gjirokastër, në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Sipas organizatave në rezervuarin e Bulos u vrojtuan 2 lejlekë të zinj (Ciconia nigra), një dukuri jo e zakontë kjo, pasi lejleku i zi është një lloj verues në Shqipëri dhe në këtë periudhë duhet të ishte në Afrikë.
Në parkun e Butrintit, sipas organizatave, u vrojtua një tufë prej 12 krillash (Grus grus). Vrojtimi i krillës në këtë periudhë është, sipas organizatave, sërish i pazakontë, pasi ky lloj normalisht dimëron në Afrikë.
Megjithatë, thonë organizatat, gjatë dimrave të butë, individë të këtij lloji janë regjistruar si dimërues edhe në Gjermani, France, dhe më shumë në vendet më në jug si Spanjë, Portugali, dhe Turqi.
Në peisazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë u has një individ i laroshes së kuqërremtë (Tadorna ferruginea) e cila nuk ishte evdientuar më parë në Shqipëri.
Të tre këto vrojtime sipas organizatave lidhen me faktorët e klimës në Shqipëri pasi dimri i këtij viti ka qenë i butë dhe kjo ndikon në sjelljen e shpendëve.
Regjistrimi i shpendëve të ujit u krye në Shqipëri mesin e janarit, në kuadër të një programi ndërkombëtar të monitorimit të shpendëve të ujit që e ka zanafillën në vitin 1967 dhe ku marrin pjesë 143 vende.
Regjistrimi u bë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe disa organizata mjedisore ku morën pjesë 120 specialistë dhe ekspertë ornitologë të cilët u vendosën në 34 pika të përcaktuara për numërimin e shpendëve, për të realizuar një studim që vijon në Shqipëri prej 32 vitesh.
Regjistrimi i këtij viti u krye ne Shqiperi mes shqetësimit për përhapjen e gripit tek shpendët e egër ku në disa Ligatina të vendit analizat laboratorike provuan përhapjen e sëmundjes në shpendët e gjetur të ngordhur.