Sara Dozhlani ishte gjatë vitit të kaluar në programin e trajnimeve Women Startup, zhvilluar nga Qendra Kallz. Edhe pse u përzgjodh në 10 finalistët që do të bënin prezantimin e idesë së tyre të biznesit, Sara tha, “Unë nuk ndihem plotësisht gati. Dua ta punoj më tej planin e biznesit dhe të investoj më shumë para se ta bëj publike”. Ky qëndrim flet për hapat e matur dhe përgjegjësinë me të cilën Sara ka vendosur të bëjë biznes. Por kjo nuk është e vetmja vlerë e saj. Ajo zgjodhi të investojë në qytetin e saj të lindjes Tropojë, ndërsa të gjithë të rinjtë i drejtohen metropolit, apo zhvendosen jashtë vendit. Ne kemi zhvilluar një intervistë me Sarën rreth sfidave dhe pritshmërive të saj.
Cila ishte nxitja fillestare për të zhvilluar biznes?
Pas përfundimit të studimeve të larta në departamentin e Shkencave Politike kuptova se për mua ishte i domosdoshëm krijimi i stabilitetit ekonomik dhe nga kjo nisi një dëshirë e madhe e imja për të filluar me një biznes sado të vogël nën drejtimin tim, biznes ky i cili do rritej krahas rritjes dhe formimit tim.
Cilët ishin hapat që ndërmore dhe me kë bisedove fillimisht?
Iu futa kërkimit mbi mënyrën se si funksiononte kjo fushë e pastrimit të tekstileve dhe pyesja çdo pastrim kimik të mundshëm në çdo zonë ku puna me çonte, interesohesha për çdo detaj të mundshëm, isha përfshirë shumë dhe çdo takim që realizoja plotësonte mozaikun dhe më qartësonte me shumë mbi atë që doja të krijoja, diçka unike, autentike dhe ekologjike të mirë për shëndetin dhe mjedisin. Komunikimet e para i kam bërë me mentorë të ndryshëm biznesi, të cilët më kanë udhëzuar mbi mënyrën e saktë të krijimit të startup-it dhe për një vit rrjesht kam ndjekur intensivisht programe të ndryshme që lidheshin me sipërmarrjen. Doja të isha e informuar dhe e përgatitur për shërbimet që do të ofroja. Pasi kalova fazën e inkubimit vijova ta konkretizoj biznesin duke hartuar me ekspertë një plan biznesi të saktë e të qartë. Kështu u krijua Trojal, biznes që ofron shërbime pastrimi ekologjike të tekstileve për strukturat hoteliere, familjet dhe individët e zonës së Tropojës.
Sot keni krijuar tashmë klientët e parë? Si e keni organizuar punën?
Jemi në hapat e parë. Kemi krijuar një sistem të thjeshtë dhe praktik për klientët tanë, duke u ofruar shërbime të personalizuara në bazë të nevojave specifike që kanë, si edhe marrja e dërgesave në adresën e tyre, duke u kursyer kohë. Klientët potencialë shprehen entuziastë dhe të lumtur që një biznes i ri u vjen në ndihmë dhe u jep zgjidhje nevojave të tyre specifike! Aktulisht po operojmë me familje dhe individë, duke marrë parasysh që sezoni turistik hapet në muajt e ardhshëm, por kemi realizuar takime biznesi me disa nga hotelet dhe bujtinat e zonës, të cilat janë të hapur për bashkëpunim. Ato shprehin interes për një partner të jashtëm, që i suporton me pastrimin e tekstileve. Hotelet dhe bujtinat në Tropojë dhe kryesisht në zonën e Valbonës, hasin vështirësi në rekrutimin e punonjësve dhe në këte mënyrë një zgjedhje ideale është marrja e një shërbimi të jashtëm, i cili redukton kostot operacionale.
Si shumë vajza të reja në biznes, ju po punoni njëkohësisht, (në këtë rast në real estate). Si po i menaxhoni të dyja angazhimet?
Është sfidë! Si çdo biznes në fillimet e tij ka nevojë për vëmendje dhe investim të vazhdueshëm në pamundësi për të kthyer të ardhura direkte gjatë viteve të para. Ndaj, duhet suportuar me të ardhurat e një pune të dytë, por për mua është një nga sfidat më të bukura, pasi puna në Real Estate në vetvete ka të bëjë me komunikimin e vazhdueshëm me klientët, negocimin dhe ruajtjen e marrdhënieve e relatave të mira! Një shkollë më vete nga e cila mëson çdo ditë.
Kohën e ndaj mes Tropojës dhe Tiranës, ku vëmendje të madhe ka biznesi në Tropojë.
Pse nuk vendosët ta hapni lavanderinë në Tiranë ku ka më shumë kërkesë, por në Tropojë?
Ka disa arsye që më shtynë të investoj në qytetin tim të lindjes. Së pari, dëshira e madhe për t’i dhënë një kontribut komunitetit, duke ofruar një shërbim që i mungonte zonës dhë së dyti, me rikthimin tim të sjell një frymë të re dhe të jap një mesazh pozitiv për bashkëmoshatarët e mi, të cilët po zgjedhin të largohen çdo ditë nga Tropoja, pa menduar që secili nga ata mund të ofrojë diçka që i vjen në ndihmë zhvillimit të vendit, duke ndikuar në përmirësimin e ekonomisë lokale.
Duke u nisur nga përvoja juaj, çfarë i nevojitet një të riu në veri të vendit për të hapur një biznes?
Ju duhet një dëshirë e madhe për të sjellë risi dhe vlerë në sektorë të ndryshëm. Studim dhe analizë e tregut për investimin dhe sensibilizim më i lartë se të gjitha aftësitë e fituara gjatë shkollimit, si jashtë dhe brenda Shqipërisë t’i inkorporojmë në zvillimin e zonave rurale dhe urbane, duke shfrytëzuar rritjen dhe numrin e lartë të turistëve të huaj dhe vendas që kanë treguar interes në eksplorimin e veriut të Shqipërisë. Po ashtu, të krijojnë sinergji dhe bashkëpunim me persona të tjerë që kanë zgjedhur të investojnë në këto zona.
Si mund të nxitet sipërmarrja e re, jo vetëm në Tropojë, por edhe në Has, Kukës, Dibër?
Veriu i Shqipërisë është një perlë e turizmit, akoma i pa eksploruar, ndaj ka nevojë për biznese që ofrojnë shërbime e produkte që mungojnë. Të rinjtë duhet të komunikojnë me banorët e zonës për të kuptuar se çfarë vërtet kanë nevojë ose i mungon komunitetit. Por, atyre u nevojiten mbështetje (mentorim dhe mbështetje financiare) Më kryesorja: duhet shumë durim dhe shumë punë!
Cilat janë planet e tua në vazhdim dhe çfarë mesazhi do të kishe për të rinjtë në Shqipëri?
Synimi kryesor është që biznesin ta rris duke diversifikuar shërbimet, shtimin e tyre dhe njëkohësisht zgjerimin në qytete të tjera. Të rinjve do t’ju lutesha të mos largohen nga Shqipëria, por të fokusohen në zhvillimin e ideve të tyre në çdo fushë të ekonomisë së vendit duke marrë parasysh nevojën e madhe që vendi ka sot për idetë e tyre, të cilat i kanë fituar nga studimet në vende të ndryshme të botës.