Azil

Mbi 7,000 shtetas nga Shqipëria aplikuan për azil në Europë në 2024

Agjencia Europiane e Azilit thotë në raportin e saj vjetor të sapo publikuar se 7,325 shtetas nga Shqipëria paraqitën kërkesën për azil në një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë dukshëm listën e kërkesave për azil nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane për Azilin, 6,791 shtetas nga Kosova kërkuan azil në Europë, ndërsa nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut u paraqitën 3,506 kërkesa, nga Serbia 3,227, nga Bosnja dhe Hercegovina 1,432 kërkesa dhe nga Mali i Zi 337 kërkesa.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet europiane shënoi rënie krahasuar me vitin 2023, ku sipas të dhënave, ishin 9,145 shtetas shqiptarë që aplikuan për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Franca vijon të jetë vendi më i pëlqyer për shtetasit e Shqipërisë për të kërkuar azil, e pasuar nga Gjermania, Italia dhe Greqia.

Raporti i Agjencisë Europiane për Azilin thotë se në vitin 2024, vendet e Bashkimit Europian morën rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi.

Ndërkohë, sipas të dhënave, në fund të vitit 2024, kishte rreth 4.4 milionë përfitues të mbrojtjes së përkohshme në vendet e Bashkimit Europian, të cilët kishin ikur nga Ukraina. Gjysma e tyre u pritën në Gjermani dhe Poloni, ndërsa Çekia priti më shumë përfitues në raport me numrin e popullsisë.

Nga të dhënat e raportit, vihet re një rënie e lehtë e kërkesave për azil krahasuar me vitin 2023, ndërsa sirianët ishin grupi më i zakonshëm që kërkonte mbrojtje në vendet e Bashkimit Europian, ndonëse gjatë vitit 2024 ata paraqitën më pak aplikime se në 2023, pas rënies së regjimit të Asadit.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top