kolegë

Si të trajtoni në mënyrë strategjike sjelljet e vrazhda të kolegëve në punë

Një nga sfidat më të lodhshme në punë është përballja me kolegë të vrazhdë ose të pasjellshëm. Injorimi i këtyre sjelljeve nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë, pasi mungesa e respektit në ambientin e punës mund të ndikojë negativisht në produktivitet dhe të çojë në konflikte që mund të rrezikojnë vendin e punës.

Të reagosh ndaj tyre kërkon një qasje të kujdesshme. Duhet të mbrosh veten pa dëmtuar imazhin profesional apo përshkallëzuar situatën. Kjo kërkon një strategji të bazuar në inteligjencën emocionale.

Edhe pse jo çdo ambient pune është toksik, sjellja e vrazhdë është më e përhapur sesa mendohet. Një studim nga Universiteti i Floridës Qendrore tregoi se 70% e punonjësve kanë përjetuar sjellje të tilla në punë. Edhe sjellje të vogla të pa këndhsme mund të kenë ndikim të madh. Sipas një studimi të publikuar nga MIT Sloan Management Review, edhe një situatë e vetme e pasjellshme mund të ulë përqendrimin, kreativitetin dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve deri në 61%. Prandaj, është e rëndësishme të kemi një strategji për t’u përballur me këto situata.

Mos u përgjigj menjëherë

Rregulli i parë është të shmangësh reagimin në momentin e parë të inatit. Merr frymë thellë ose, nëse është e mundur, largoju për disa minuta. Kjo të ndihmon të shmangësh përshkallëzimin e situatës dhe të mendosh qetësisht për veprimin e ardhshëm. Mund të përdorësh një shprehje si: “Më lejo të mendoj pak për këtë.” Kjo të jep kohë pa treguar dobësi.

Emërto sjelljen në mënyrë të qetë

Shpesh, njerëzit vazhdojnë të sillen keq sepse askush nuk ua vë në dukje këtë. Duke e identifikuar sjelljen e tyre në mënyrë të qetë dhe pa emocione të forta, i vendos ata përballë përgjegjësisë. Përdor fjali neutrale, si:

  • “Kur më ndërpret, më duket sikur mendimi im nuk vlerësohet.”
  • “Ajo që the më tingëlloi përçmuese. Ishte kjo ajo që doje të thoje?”

Duke reflektuar sjelljen e tyre, u jep mundësinë të korrigjojnë veten ose të shpjegojnë qëllimin e tyre.

Përdor fraza “çarmatosëse” për të kthyer bisedën në rrugë të duhur

Në vend që të përfshihesh në një konflikt të hapur, përpiqu të rikthehesh në një bisedë produktive. Përdor fraza që e largojnë negativitetin dhe e drejtojnë bisedën drejt një zgjidhjeje:

  • “Le të fokusohemi te zgjidhjet.”
  • “Kjo është një mënyrë për ta parë situatën, por ja si e shoh unë.”
  • “Dua që kjo bisedë të jetë konstruktive.”

Këto përgjigje tregojnë se nuk je i/e gatshëm/gatshme të përfshihesh në energji negative, por gjithashtu ruajnë profesionalizmin tënd.

Vendos kufij të qartë

Vendosja e kufijve është e rëndësishme jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe për t’u treguar të tjerëve si duhet të sillen me ty. Kur shpjegon qartë se çfarë nuk e pranon, e ndryshon dinamikën dhe u bën të ditur kolegëve pritshmëritë e tua.

Për shembull, nëse një koleg të ndërpret shpesh në mbledhje, mund të thuash: “Do të doja të përfundoja mendimin tim para se të vazhdojmë më tej.” Ose, nëse dikush të flet me një ton përçmues, mund të thuash: “Preferoj të flasim me respekt ndaj njëri-tjetrit. A mund ta rifillojmë këtë bisedë?”

Qëllimi është të jesh i/e drejtpërdrejtë, por i/e qetë, duke përdorur fjali që tregojnë ndikimin e sjelljes së tyre mbi ty.

Përqendrohu te bashkëpunimi

Shpesh, njerëzit sillen keq për shkak të stresit ose pasigurive të tyre. Duke e zhvendosur bisedën nga konfrontimi tek bashkëpunimi, mund të qetësosh situatën. Përdor pyetje që nxisin punën në grup:

  • “Si mund ta zgjidhim këtë bashkë?”
  • “Cili është mënyra më e mirë për të ecur përpara?”

Kjo i kujton të gjithëve se jeni pjesë e të njëjtit ekip dhe qëllimi kryesor është puna e suksesshme.

Dokumento dhe njofto nëse është e nevojshme

Nëse vrazhdësia ndaj jush bëhet shqetësuese ose fillon të ndikojë në punën tënde, fillo të mbash shënime për incidentet. Regjistro datat, orët dhe detajet specifike. Kjo të ndihmon nëse është e nevojshme të raportosh situatën te eprorët.

Para se ta çosh çështjen më lart, mund t’i thuash personit: “Do të preferoja ta zgjidhnim këtë mes nesh, por nëse vazhdon, do të duhet të përfshij menaxhmentin.” Kjo i jep mundësinë të reflektojë dhe të ndryshojë sjelljen e tij/saj.

Përballja me kolegët e pasjellshëm nuk do të thotë të zbresësh në nivelin e tyre. Është e rëndësishme të ruash profesionalizmin dhe të përdorësh strategji të mençura për të mbrojtur veten. Duke vepruar me zgjuarsi dhe qetësi, jo vetëm që mbron veten, por edhe krijon një kulturë pune më të shëndetshme dhe më respektuese.

forbes

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top