Një debat i fortë ka nisur mes egjiptologëve pasi disa studiues pretendojnë se kanë zbuluar një “qytet të fshehur” poshtë Piramidave të Gizës. Por a është ky një zbulim i madh apo një ekzagjerim?
Studiues italianë të udhëhequr nga Prof. Corrado Malanga nga Universiteti i Pizës thonë se kanë gjetur një rrjet të madh nëntokësor nën piramidat egjiptiane.
Sipas tyre, imazhet e marra me radar tregojnë boshte të mëdha vertikale, shkallë spirale, kanale që duken si tuba të një sistemi ujor dhe struktura të fshehura mbi 610 metra nën sipërfaqe. Ata madje sugjerojnë se brenda këtij kompleksi mund të gjendet edhe “Salla e Regjistrave”, një bibliotekë legjendare e përmendur në mitet e lashta egjiptiane.
“Kur të analizojmë më në detaje imazhet, do të zbulojmë një qytet të vërtetë nën tokë,” tha ekipi në një konferencë për shtyp.
Por jo të gjithë ekspertët janë të bindur. Profesori i radarëve, Lawrence Conyers nga Universiteti i Denverit, i quajti këto pretendime një “ekzagjerim të madh”. Ai shpjegoi se teknologjia e përdorur – valë radari të dërguara nga një satelit, të ngjashme me ato që përdoren për të skanuar oqeanet – nuk mund të depërtojnë aq thellë në tokë.
Ai ka shprehur dyshime për ekzistencën e një qyteti të fshehur, por pranoi se mund të ketë struktura më të vogla poshtë piramidave. Ai theksoi se në kulturat e tjera të lashta, si ajo e Maja-ve, shpesh piramidat ndërtoheshin mbi hyrje të shpellave apo zgavrave që kishin rëndësi ceremoniale.
Arkeologu egjiptian Dr. Zahi Hawass, u shpreh se këto pretendime janë “plotësisht të gabuara” dhe se nuk bazohen në fakte shkencore.
Studimi nga Prof. Malanga dhe kolegët e tij, Filippo Biondi dhe Armando Mei, u prezantua në Itali javën e kaluar, por deri tani nuk është publikuar në ndonjë revistë shkencore. Ekipi u përqendrua kryesisht tek piramida e Khafres, një nga tre piramidat e kompleksit të Gizës, së bashku me piramidën e Khufusë dhe Menkaurës. Këto struktura ikonike mendohet se janë ndërtuar rreth 4,500 vjet më parë dhe ndodhen në bregun perëndimor të lumit Nil, në Egjiptin verior.