Sipërmarrësi Kevin Sekniqi shqiptaro-amerikani dhe bashkëthemelues i Ava Labs, ka realizuar investimin e tij të parë përmes fondit K4S6, duke marrë aksione tek Patoko – Gjithçka në Një Aplikacion, platforma me rritjen më të shpejtë për lëvizshmërinë dhe rezervimin e shërbimeve online në Shqipëri. Ky investim përfaqëson një hap vendimtar për zhvillimin e ekosistemit lokal të startup-eve dhe tërheqjen e interesit global ndaj sipërmarrjes shqiptare.
Kjo nismë e lançuar vitin e kaluar, synonte të identifikonte dhe mbështeste startup-et me potencial të lartë në Shqipëri. Pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje dhe takimesh me themelues vendas, Patoko u dallua si startup-i i parë që siguron mbështetjen e K4S6, duke vërtetuar se ekosistemi i startupeve në Shqipëri po konsolidohet dhe po tërheq vëmendjen e investitorëve seriozë.
Ky moment është i rëndësishëm sepse investitori, Kevin Sekniqi është një sipërmarrës serial që ka ndërtuar një startup miliarda-dollarësh në SHBA dhe tani po investon në brezin e ardhshëm të inovatorëve. Rrugëtimi i tij mishëron fuqinë transformuese të startup-eve, ku nga një ide e thjeshtë u kthye në një sukses global dhe më pas në mbështetje për ekosistemin që e ka frymëzuar. Gjithashtu vizioni i startup-it Patoko, ka evoluar me shpejtësi ku nga një aplikacion për rezervimin e taksive, është kthyer në një “super aplikacion”, ku ofruan një gamë të gjerë shërbimesh sipas nevojave specifike të tregut shqiptar. Duke nisur nga transporti e deri tek shërbimet e ndryshme në shtëpi, Patoko po krijon një model të ri për lehtësimin e jetës së përditshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
Kevin Sekniqi themelues i K4S6 ka thënë se ekosistemi i startup-eve në Shqipëri po hyn në një epokë të re”. Është analizuar tregu, për të kuptuar klimën e biznesit dhe për të identifikuar se ku mund të përcillet ndikimi më i madh. Patoko është veçuar për ekzekutimin e tij të shkëlqyer, për planet ambicioze të rritjes dhe për një ekip ndërkombëtar të fortë. Ky është lloji i startup-eve që mund të shkallëzohen me shpejtësi me mbështetjen e duhur, tregon ai.
Përmes Patoko, përdoruesit mund të rezervojnë një udhëtim me shërbime të besueshme taksish. Porosi të ndryshme shërbimesh për shtëpinë si pastrimi, hidraulike edhe më shumë. Bëjnë rezervime për kujdes personal si parukeri, sallone, estetike dhe të tjera gjithashtu jepen edhe shpërblime ku ka një sistem i integruar besnikërie për përdoruesit e aplikacionit.
Aktualisht, Patoko menaxhon më shumë se 700 taksi të regjistruara në platformë dhe mijëra rezervime shërbimesh çdo muaj. Në 2024 Platforma Patoko ka mbështetur dhjetëra mijëra persona pas një rritjeje të gjerë përdoruesish, ka shërbyer tek 194,000 udhëtarë dhe përdorues sipas Arber Kadia i cili është CEO dhe bashkëthemelues i Patoko.
Patoko pas këtij financimi synon të zgjerohet ndërkombëtarisht, synon përmirësimin e sistemeve të rezervimit të bazuara në inteligjencën artificiale për një përvojë më të thjeshtë dhe efikase, zgjerimin në tregje të reja evropiane dhe forcimin e partneriteteve me biznese lokale.
Sekniqi, i njohur si një nga inovatorët kryesorë të blockchain, ka qenë pjesë e Forbes 30 Under 30 dhe bashkëthemelues i Ava Labs, një prej kompanive më të suksesshme të teknologjisë blockchain në botë. Përmes K4S6, ai synon të ndërtojë ura mes skenës shqiptare të startup-eve dhe ekosistemeve ndërkombëtare të kapitalit sipërmarrës. Fondi ofron financime midis 25,000 dhe 250,000 dollarë për startup, duke u fokusuar te bizneset me ndikim të lartë dhe potencial për tu shkallëzuar e shtrirë në tregjet globale. K4S6 është një inkubator dhe fond investimi i themeluar nga Kevin Sekniqi, dedikuar për mbështetjen e startup-eve në Shqipëri dhe më gjerë.