Finalja e Women Startup Competition Albania, 10 startupet që prezantuan

Finalja e Women Startup Competition Albania mblodhi në Tiranë sipërmarrës dhe ekspertë shqiptarë që vende të ndryshme. Eventi që kurorëzoi 10 startupet finaliste, duke theksuar rolin e grave në sipërmarrje dhe inovacion.

Juria e përbërë nga sipërmarrës dhe profesionistë të suksesshëm si Nevila Dudaj, sipërmarrëse Adriatik Hotel dhe Adriatik Travel; Linda Shomo, drejtuese e EasyPay; Ergyseda Prenga, Associate, EBRD Këshillim për Bizneset e Vogla; Orfea Dhuci, CEO, UBA Bank dhe Albana Vrioni CEO, Vrioni Consulting dhe Drejtore Ekzekutive e WOB AL ofroi këshilla të vlefshme dhe mundësi bashkëpunimi për pjesëmarrësit. Juria drejtoi pyetje kritike mbi planet e biznesit të konkurentëve, duke u fokusuar në potencialin e tyre për zhvillim dhe sukses.

Pas 10 prezantimeve startup, eventi vijoi me një panel diskutimi rreth progresit të bërë për lehtësimin e startup-eve, pozicionimin e grave në tregun e punës dhe inovacionin në punën e tyre. Paneli përfshinte gra të mirënjohura për profilin e tyre profesionale dhe kontributet në ekonomi dhe shoqëri. Paneli përfshinte znj. Herjola Spahiu, Drejtor i Përgjithshëm, NOA Financojmë, Felice Emanuels, nga startupi i saj Dren Abazi Brand, Antonela Hako, Kryetare e Dhomës Ekonomike të Gruas, Fationa Myftari, zhvilluese pranë Logical Albania dhe Jorina Kadare, përfaqësuese e Startup Albania.

Fitueset e Woman Startup Competition

Në fund të ngjarjes, bursat prej 80% në Universitetin New Heaven për degën e lidershipit u dhuruan për të gjithë konkurentët finalistë.

Çmimet kryesore shkuan për:

1. Çmimi i parë: Psikologu Online
-Duke qenë se problemet e shëndetit mendor po prekin gjithmonë e më shumë njerëz në mbarë botën, ky startup sjell idenë e një platforme online që e bën mbështetjen e shëndetit mendor më të aksesueshme, të shpejtë dhe profesionale. Fokusi është kujdesi për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke adresuar nevojat dhe sfidat e tyre unike të shëndetit mendor. Platforma e Psikologu Online, synon të forcojë pozicionin e saj si një platformë e besueshme për shërbime psikologjike.

2. Çmimi i dytë: Sun Language Center
– Sun Language Center, aktualisht një qendër kursesh në Sukth, e cila dëshiron të shtojë shërbime të tjera në dobi të komunitetit ku jeton. Kjo është arsyeja pse synon që qendra e saj të jetë një bazë edhe për programe të tjera edukimi dhe formimi në fushën e formimit profesional. Përmes kurseve në IT dhe soft skills, ajo do të synojë punësimin e shpejtë të personave të papunë në zonën përrreth.

3. Çmimi i tretë: Zahire.al
-Zahire.al po punon për krijimin e një tregu digjital për të kontribuar në ekonomitë e familjes rurale dhe për të ruajtur një traditë të dashur. Një treg online, i cili lidh hendekun midis prodhuesve ruralë dhe blerësve urbanë, duke ruajtur trashëgiminë kulturore dhe duke mbështetur ekonomitë rurale.  Platforma do të lançohet në shtator me një website të gatshëm, duke synuar të ofrojë produkte të veçanta dhe autentike shqiptare.

Startupe të tjera pjesëmarrëse  ishin:

Dr Luke
– Ky startup po punon për krijimin e një platforme për konsultime mjekësore në distancë, dizenjuar posaçërisht për të mbushur hendekun në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor për banorët e zonave të largëta, duke ofruar shërbime telemjekësie. Shërbimi bazë është falas, duke ju kursyer kohë dhe duke siguruar akses të shpejtë te specialistët. Skuadra sipërmarrëse ka formim në mjekësi dhe kanë punuar më parë për kompani amerikane.

Puja creatives
– Puja vjen me idenë e krijimit të produkteve kreative kuptimplota me impakt social dhe mjedisor. Përmes Puja Creatives, synohet të ndërtohet dhe promovohet një lidhje e thellë me vlerat, kulturën, artin dhe historinë teksa nxitet konsumi i vetëdijshëm. Grupet e synuara janë të rinjtë, diaspora, turistët, si dhe të apasionuarit pas artit, historisë dhe kulturës. Ky startup i gjendur në sferën kulturore, artistike, dhe artizanale, duke ofruar produkte eco-friendly dhe një gamë të gjerë artikujsh si tote bags, bookmarks, postcards, dhe libra me ngjyrosje.

SpiritCraft Albanian Souvenirs
– Ofrojnë suvenire autentike shqiptare me QR code për më shumë informacion. Një aspekt që duhet përmirësuar është prodhimi i disa produkteve në Kinë, duke synuar të jenë 100% autentike shqiptare në të ardhmen.Misioni tyre është të krijojnë suvenire që kombinojnë traditën me inovacionin. Ata synojnë të ofrojnë një përvojë të re blerjeje dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë me klientët. Me produkte unike që pasqyrojnë trashëgiminë dhe kulturën skuadra e SipiritCraft Albania kërkon të sjellë një frymë të re në tregun e suvenireve.

KreoSpace

-Kreospace vjen me një ide për krijimin e një hapësirë bashkëpunimi inovative e vendosur në hapësira publike (park ose tarracë). Hapësira vjen me një numër të kufizuara vendesh, ku mund të rezervoni vendin tuaj, nëpërmjet aplikacioni kundrejt një tarife. Startupi synon të sjellë hapësira pune, me mjedise frymëzuese dhe pranë natyrës.

Ratt Tech Legal
– Ky startup synon të revolucionizojë peizazhin ligjor, duke siguruar inovacion dhe zgjidhje ligjore të aksesueshme. Qëllimi i Ratt Tech është të bëjë ligjin më të aksesueshëm për të gjithë, përmes fuqisë së AI. Gjithëçka do të jetë transparente dhe e përballueshme për klientët.

Finalja e Woman Startup Competition Albania ishte një event inspirues për promovimin e grave në sipërmarrje, duke ofruar një kombinim të këshillave praktike, mundësive për bashkëpunim, dhe njohje për punën dhe inovacionin e tyre.

Për të dytin vit radhazi, Women Startup Competition në Tiranë ka si mbështetës kryesor BERZH Këshilla për Bizneset e Vogla, financuar nga EU – Western Balkans Enterprise Development & Innovation Facility (EDIF).

Partnerët mbështetës gjatë këtij viti ishin edhe kompanitë me emer në fushën e financave, inovacionit dhe teknologjisë në vend si, kompania fintech Easy Pay, Institucioni Financiar NOA, Kompania Softwerike Logical AlbaniaAdriatik Hotel si dhe UBA Bank.  Pjesë e skuadrës mbështetëse ishin edhe organizata Women on Boards Albania, Agjencia Shtetërore Startup AlbaniaMinistria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit Albania Tech dhe Businessmag.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top