Të gjitha vajzat e vogla luajnë me kukulla, i veshin ato me fustane të ndryshme. Për shumë prej nesh, kjo lojë ndalet këtu. Por, për stilisten Eva Sana, pikërisht lojërat e fëmijërisë, copat e bukura me shumë ngjyra, gërshërët e nënës sa saj të harruara në tavolinë, kanë qenë mjete eksperimenti dhe burim frymëzimi për të zhvilluar më vonë një biznes.
Në fushën e modës, sfida më e madhe është ajo e gjetjes së ekuilibrit mes komercializmit dhe artit dhe Eva dallohet për qasjen e saj ndaj krijimtarisë dhe sipërmarrjes së saj. Në një intervistë për VASPAS, ajo nuk ndalet tek vështirësitë, edhe pse ekzistojnë. Ajo fokusohet tek zgjidhja: krijimi me dashuri. Me pasion, qetësi dhe një modesti që e zbukuron më tej, Eva realizon veshje për artistët shqiptarë.
Si nisi pasioni për qepjen dhe stilimin, na trego pak për fillimet e tua?
Ka nisur që në moshë shumë të vogël. E rrethuar nga materialet, ngjyrat dhe modelet që krijonte nëna ime, e cila më mësoi dashurinë për këtë art, ndjeva që herët dëshirën për të ndjekur gjurmët e saj. Fillimisht, nisi si një lojë fëmijërore, duke eksperimentuar me copa të vogla, por shpejt u kthye në një pasion të vërtetë për të krijuar veshje unike dhe për të shprehur veten përmes stilimit. Ky rrugëtim, i trashëguar dhe i ndërtuar me dashuri, më ka udhëhequr drejt përqafimit të këtij profesioni që sot është pjesë e identitetit tim.
Si ishte fillimi i hapjes së atelies tënde, Na trego vështirësitë e para që ke hasur në tregun e modës?
Hapja e dyqanit tim të parë ishte si të bëja realitet një ëndërr që e kisha mbajtur gjithmonë në zemër. Fillova me një hapësirë të vogël, aty në lagjen time, mes pasigurive dhe ëndrrave të mëdha. Nuk ishte e lehtë; tregu i modës është sfidues, sidomos kur fillon nga e para dhe çdo klient është një mundësi për të treguar veten. Kishte ditë plot lodhje dhe momente kur dyshimet më pushtonin, por dashuria për këtë profesion më ka shtyrë gjithmonë përpara. Çdo veshje që krijoja, ishte një copëz nga shpirti im, një histori që doja ta ndaja me të tjerët. Falë përkushtimit dhe besimit që më dhanë klientët e parë, munda të rritem dhe të hap atelienë time të vërtetë, ku sot kam fatin të pres gjithnjë e më shumë njerëz që vijnë për të gjetur, jo vetëm veshje, por edhe një pjesë të ëndrrës time.
Na përshkruaj pak realizimin e një veshje nga ideja, gjetja e materialeve dhe realizimi i produktit?
Çdo veshje fillon si një ide e lindur nga frymëzimi ndonjëherë është një ngjyrë, një teksturë, një kujtim, apo thjesht dëshira për të sjellë diçka të re dhe të veçantë. Fillimisht, skicoj idenë time në letër, duke menduar për linjat, siluetën dhe detajet që do ta bëjnë veshjen të dallojë. Pasi koncepti merr formë, vjen një nga pjesët më të dashura për mua: përzgjedhja e materialeve. Kërkoj me kujdes pëlhura, që jo vetëm të jenë cilësore, por t’i japin jetë dhe ndjesi dizajnit tim. Çdo teksturë, çdo ngjyrë zgjidhet me dashuri dhe vëmendje.
Pastaj, kaloj te faza e prerjes dhe provës së parë. Ky është një moment magjik, ku ideja fillon të marrë formë reale. Çdo qepje, çdo detaj përpunohet me kujdes që veshja të jetë, jo vetëm estetikisht e bukur, por edhe komode. Procesi përfshin provat e nevojshme, rregullimet e vogla që i japin perfeksionin final, dhe sigurisht, përkushtimin për të sjellë një produkt që është më shumë se një veshje është një histori, një ndjenjë, një krijim i bërë me pasion dhe zemër.
Çfarë e dallon stilin tënd nga të tjerët, përzgjedhja e copave të kushtueshme, të larmishme në ngjyra dhe punime luksoze?
Për mua, bukuria e një veshjeje nis gjithmonë nga përzgjedhja e materialit. Zgjedh copa cilësore, të veçanta dhe me ngjyra të gjalla, sepse besoj se çdo veshje duhet të ketë shpirt dhe të tregojë një histori. Edhe pse është sfiduese të punosh me materiale delikate, kjo më jep kënaqësi të veçantë. Detajet, prerja, qepja kërkojnë përkushtim, por pikërisht aty gjej magjinë e këtij profesioni. Më pëlqen të krijoj veshje që nuk janë thjesht për t’u veshur, por për të bërë njerëzit të ndihen të bukur dhe të veçantë.”
Ke punuar me artistë të njohur, na trego për ndjesitë kur i sheh krijimet e tua në skenë apo në media?
Po, kam pasur fatin të punoj me artiste të njohura shqiptare si Era Rusi, Anxhela Peristeri, Ingrid Gjoni, Xhensila Myrtezaj, Olta Boka dhe të tjera që i admiroj si artiste dhe si gra me stil të veçantë. Të shohësh krijimet e tua në skenë, përpara një publiku të madh, është një emocion që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Është një ndjenjë krenarie dhe lumturie e veçantë, sepse aty shoh frytin e punës sime, sesi një ide e vogël e nisur në letër kthehet në një veshje që shkëlqen nën dritat e skenës. Çdo herë që shoh një nga krijimet e mia, duke u veshur nga një artiste që i beson punës sime, ndjej motivimin për të vazhduar e për t’u tejkaluar në çdo projekt të ri.
Ju keni dyqanin SanaStore me veshje të qepura nga ju. Si po ecën sipërmarrja, duke pasur parasysh konkurrencën dhe nevojën e fokusit tuaj tek detajet artistike.
Ideja lindi natyrshëm, nga dëshira për t’u sjellë vajzave dhe grave një eksperiencë ndryshe — jo thjesht të marrin një veshje me qira, por të ndihen sikur është krijuar posaçërisht për to. Çdo veshje e përshtas sipas trupit të klientit, sepse detajet bëjnë diferencën dhe veshja duhet të rrijë përkryer për të nxjerrë në pah bukurinë e secilës.
E vërteta është që konkurrenca në tregun e veshjeve me qira është e fortë, por besoj se dashuria për punën, personalizimi dhe përkujdesja për çdo klient më ndihmojnë të qëndroj ndryshe. Klientet e vlerësojnë shumë këtë dhe më kthehen gjithmonë me besim. Ato e dinë që tek ‘Sanastore’ do të gjejnë, jo vetëm një veshje të bukur, por edhe një eksperiencë që i bën të ndihen unike.
Me çfarë sfidash, apo mungesash po përballet aktualisht biznesi juaj?
Sfidat e përditshme lidhen kryesisht me dinamizmin e tregut dhe pritshmëritë gjithnjë në rritje të klientëve. Në një industri ku tendencat ndryshojnë shpejt dhe konkurrenca është e fortë, sfida më e madhe është të mbetesh gjithmonë krijues dhe i freskët në ofertën që sjell. Po ashtu, është një angazhim i vazhdueshëm të mbash standardet e larta të cilësisë dhe personalizimit për çdo klient, gjë që kërkon përkushtim dhe vëmendje ndaj detajeve. Por, unë e shoh si një mundësi për t’u zhvilluar çdo ditë dhe për ta çuar biznesin tim përpara me ide të reja dhe dashuri për punën që bëj.
Cilat janë veshjet më të kërkuara nga klientët dhe sa e vështirë është bashkëpunimi për realizimin e tyre sot?
Veshjet më të kërkuara nga klientet janë padyshim fustanet elegante për evente speciale, si dasma, fejesa apo festa të veçanta. Klientet kërkojnë gjithmonë diçka unike, që të mos jetë thjesht e bukur, por që t’u përshtatet përkryer dhe t’i bëjë të ndihen të veçanta. Shpesh kërkojnë edhe modele më të guximshme, me prerje interesante apo detaje delikate që i japin personalitet veshjes.
Sa i përket bashkëpunimit, mund të them se është një proces shumë i bukur, por kërkon durim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Klientet sot janë shumë të informuara dhe vijnë me ide të qarta, gjë që më ndihmon ta kuptoj më mirë vizionin e tyre, por gjithashtu kërkon kujdes të madh për t’ua përshtatur modelin sipas trupit dhe stilit personal. Sidoqoftë, ky është pikërisht procesi që e bën punën time kaq të veçantë dhe të kënaqshme: kur bashkëpunimi sjell si rezultat një veshje që është më shumë se thjesht një krijim, është një përjetim për klienten.
Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?
Objektivi im afatgjatë është që ta zgjeroj atelienë dhe markën time përtej kufijve të një dyqani fizik, duke krijuar nje website online dhe duke arritur klientë edhe jashtë Shqipërisë. Dëshira ime është që ‘Sanastore’ të bëhet një emër i njohur për veshje të personalizuara dhe elegante, ku çdo klient, pavarësisht vendndodhjes, mund të ketë akses te krijimet e mia. Gjithashtu, dua të vazhdoj të investoj në zhvillimin e teknikave të reja dhe përdorimin e materialeve cilësore, për t’u ofruar klientëve gjithmonë më shumë risi dhe përvojë unike.
Për mua, rritja e biznesit nuk ka të bëjë vetëm me zgjerimin e klientelës, por edhe me rritjen personale si stiliste duke sjellë gjithmonë ide të freskëta dhe duke u përshtatur me trendet, pa humbur asnjëherë identitetin tim.
Cila do të ishte këshilla juaj për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin pasionin për modën dhe dizajnin, me synimin për ta shndërruar atë në një aktivitet sipërmarrës?
Këshilla ime është të mos heqin dorë kurrë nga pasioni, edhe kur përballen me vështirësi. Ky profesion kërkon shumë durim, përkushtim dhe mbi të gjitha besim te vetja. Është e rëndësishme të punojnë çdo ditë për të përmirësuar aftësitë e tyre, të jenë kureshtarë, të eksplorojnë materiale dhe teknika të reja, por edhe të mos kenë frikë të dallohen me stilin e tyre unik.
Në sipërmarrje, asgjë nuk vjen menjëherë, por kur puna bëhet me dashuri, rezultatet vijnë natyrshëm. Suksesi nuk është vetëm tek shitja e veshjeve, por tek kënaqësia që merr kur sheh krijimet e tua të veshura me krenari nga klientët. Prandaj, të jenë guximtarë, të mendojnë jashtë kornizave dhe ta ndjekin ëndrrën me këmbëngulje sepse është absolutisht e mundur që pasioni për modën të kthehet në një biznes të suksesshëm.