Nga Albana Muçaj
Përpjekja për të informuar audiencën shqiptare brenda dhe jashtë vendit është rritur me ritme të shpejta vitet e fundit përmes shtimit të ndjeshëm të numrit të mediave (TV, Radio dhe mbi të gjitha platformat mediatike online). Por, si zhvillimi i rrëmujshëm i një qyteti, edhe media online, pasqyron rritjen dinamike në sasi, por jo me të njëjtin ritëm në cilësinë e informacionit.
Dhjetëra gazetarë profesionistë kanë hapur platformat e tyre, me objektiv informimin e audiencës dhe kontributin në fushat e tyre të ekspertizës, si pasojë e rritjes së audiencës së tyre përmes emisioneve televizive, ose si “protestë” ndaj medias ku nuk kanë mundur ta ushtrojnë lirshëm profesionin e tyre.
Por, krahas kësaj, janë zhvilluar platforma të tjera që nuk kanë si bazë parimet e gazetarisë dhe udhëhiqen nga interesa parësorë si: audiencë e lartë, mbrojte të interesave të një grupimi politik apo ekonomik, madje deri në dezinformim.
Mbizotërimi i këtyre mediave në shpërndarjen e informacionit, ka përkeqësuar cilësinë. Shqipëria ka marrë vlerësime më të dobëta për situatën e mediave online në pothuajse të gjitha raportet ndërkombëtare rreth medias dhe lirisë së fjalës.
Raportet
Sipas raportit të fundit të Barometrit të Dinamikës së Informacionit (2023, “Ekosistemi mediatik i Shqipërisë karakterizohet nga një numër në rritje informacioni dhe burime lajmesh, por me një rënie të përgjithshme të cilësisë, duke kontribuar në një rënie të pikësimit të vendit nga 22 në studimin VIBE 2022 në 19 në studimin e këtij viti”.
Përpjekjet për rritjen e cilësisë dhe rregullimin e këtij segmenti informativ që ka marrë pothuajse të gjithë vëmendjen e audiencës në moshë të re, mund të vinin nga një panoramë e qartë e medias digjitale në Shqipëri. Por, ende sot, nuk kemi një numër të saktë të mediave digjitale në vend.
Shumë studime i referohen gjetjes së Unionit të Gazetarëve për rreth 800 media online në të gjithë vendin. Unioni ka identifikuar në këtë rast, përmes degëve të tij në 12 qarqe, platformat mediatike që synojnë dhënien e informacionit, por pa vendosur kritere përjashtuese, siç mund të jetë pasja e stafit, regjistrimi i një selie, etj. Ky numër ka rënë disi vitet e fundit dhe sot përllogaritet tek rreth 750 platforma online. Me këto kritere vlerësimi, Kosova vlerësohet të ketë rreth 250 media digjitale.
Një nga sfidat e mediave online, për një pjesë ende të madhe të saj, është mungesa e identifikimit të administratorit të mediave online me pronësi shqiptare që regjistrohen jashtë kufijve të vendit dhe prodhojnë informacion për audiencën shqiptare.
Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve thotë se, “Ne kemi kërkuar, që në kuadër të proceseve rregulluese dhe vetërregulluese, administratori të regjistrohet edhe kur nuk është në territorin shqiptar”.
Tregu dixhital
Sipas Raportit të Monitorimit të Pluralizmit në Epokën Digjitale të Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias, publikuar në 2024, “tregu digjital në Shqipëri nuk është i rregulluar dhe, për rrjedhojë, nuk ka asnjë raportim zyrtar, as nga autoritetet dhe as nga kompanitë. Kjo sjell mungesë të dhënash, gjë që vlerësohet si rrezik dhe redukton transparencën e tregut të medias në përgjithësi”
Besar Likmeta, Bashkëautor i Raportit të Monitorimit dhe redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, (BIRN) thotë se, “Media online ka struktura më të dobëta editoriale në krahasim me median tradicionale. Mungesa e këtyre strukturave dhe e kodeve vetërregulluese në praktikë, përkthehet në shkelje etike dhe profesionale. Duke qenë se financimi i medias online në Shqipëri nuk është transparent, tregu ka dështuar të funksionojë si rregullator i sjelljes joprofesionale dhe i shkeljes së parimeve etike nga disa publikime online, të cilat shpesh i japin një reputacion të keq gjithë sektorit”.
Edhe publikimi i janarit 2025 nga Instituti i Medias, “Ndryshon peizazhi mediatik, problemet mbeten po ato”, me autor Ilda Londo-n, vëren se nuk ka një vlerësim të qartë për numrin e mediave online në Shqipëri, ndërsa këto media, së bashku me mediat sociale janë burimi më i rëndësishëm i informacionit për audiencën e moshave të reja. “Gjatë viteve të fundit, mediat online dhe rrjetet sociale kanë fituar më shumë terren në tregun mediatik, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po i përdorin këto rrjete për të marrë informacione dhe lajme”, thuhet në këtë studim. Ai thekson se, “është e vështirë të bësh dallimin midis informacionit të marrë nga rrjetet sociale dhe mediat online, pasi kufijtë janë zbehur dhe janë bërë gjithnjë e më të paqartë”.
Aksesi i gjerë i informacionit online e bën edhe më të rëndësishme nevojën për një panoramë të qartë të mediave online dhe më tej monitorimin e cilësisë së përmbajtjes.
KSHM
Studimi i Këshillit Shqiptar të Medias, “Mapping the Albanian Online Media” ka analizuar 123 faqe web që funksionojnë si media online, duke përdorur si kriter përzgjedhje në studim, publikimi i adresës fizike të medias, publikimin e administratorit, autorit të shkrimit, etj.
Edhe pse me kritere më të shtrënguara për kategorizimin si media digjitale, studimi vëren se, “vetëm 14% e mediave kanë artikujt e tyre me autorësi, duke u prezantuar si burim i parë informacioni dhe me përmbajtje origjinale. E gjithë pjesa tjetër e mediave qarkullojnë artikuj me burime të ndryshme informacioni, shpesh pa respektuar kriteret e publikimit me të drejtën e autorësisë”. Mes 123 mediave online të analizuara, “vetëm 5.4% e tyre plotësojnë të gjitha kriteret e transparencës, duke vënë në dukje hendekun e madh për të kuptuar transparencën në fushën e medias”, thuhet në “Mapping the Albanian Online Media”.
Raporte të mëparshme dhe drejtues të mediave online kanë pohuar se kostot e një infrastrukture mediatike janë të larta, duke nënvizuar se, pamundësia financiare mund të ndikojë në cilësinë e informacionit. Cilësia dhe misioni i mediave informative rrezikon të cënohet, si nga mungesa e financave, edhe nga financimi i tyre nga burime të panjohura për publikun e gjerë.
Po sipas këtij studimi, “pjesa më e madhe e mediave nuk ka deklaruar si burim financimi një organizatë apo grup investitorësh, ndërsa janë pak të financuara nga reklamat e sipërmarrjeve private. Mbi 50% e mediave të analizuara në raportin e KSHM nuk përdorin reklama në faqet e tyre ose përdorin deri në 3 reklama. Kjo nënkupton se këto platforma kanë burime të tjera financiare, duke mbrojtur ose zhvilluar interesat e donatorit”.
Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali thekson se, “hapja e tregut është një lajm i mirë për lirinë e informimit. Por, kur ky treg është falas, pra askush nuk paguan për lajmin, fillojnë deformimet. Sot e prej disa kohësh, tregu mediatik shqiptar është i deformuar, por, në totalin e vet, jo thjesht portalet. Tregu është i deformuar ekonomikisht, përderisa bizneset që marrin tendera publikë, leje ndërtimi publike, PPP, etj, kanë dhe një media si një mjet presioni ndaj qeverisë dhe kjo media, shpesh, për të mos thënë gjithmonë, del me humbje financiare”.
Sipas tij, pesha e mëkatit bie tek portalet, por, studime të gazetarisë tregojnë që informacioni kryesor prodhohet në TV, portalet thjesht e shumëfishojnë atë online përmes transkriptimeve. Njëjtë dhe me keqinformimin. Në shumicën e rasteve buron nga mediat tradicionale dhe përhapet online.
Ai sugjeron se zgjidhja vjen përmes instrumenteve ekonomikë: transparencë totale financiare se nga vijnë paratë për të financuar të gjitha mediat, tradicionalet dhe digjitalet si dhe transparencë se ku shkojnë paratë publike dhe cilat media trajtohen në mënyrë të privilegjuar nga paratë publike?!
Nga ana juridike, ai mendon se nuk ka nevojë për ligje të reja, por ka nevojë për instrumenta funksionalë për të zbatuar ligjet ekzistuese. “Ne kemi një ligj shumë të mirë për shpifjen, që ka nevojë vetëm për një instrument më të mirë brenda gjyqësorit që të trajtojë me prioritet dhe brenda një kohe të shkurtër paditë e shpifjes apo ato të shkeljes së kopirajtit”, thotë Cukali.
Shqetësimi se informacione të pasakta dhe me qëllime të caktuara do të merren të mirëqena nga audienca, rritet ndjeshëm kur shohim se audienca ka një lidhje të fortë me kanalet mediatike dhe përdor gjerësisht mediat sociale. Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP) 82% e shqiptarëve përdorin rrjetet sociale çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, 6% të paktën çdo javë dhe 2% të paktën çdo muaj. Televizioni përdoret nga 75% e popullsisë çdo ditë dhe nga 13% të tjerë çdo javë. 69% e të anketuarve përdorin media online çdo ditë dhe 14% të paktën një herë në javë.
Pasiguria për dezinformim duket se shkon në një trend me tregun ndërkombëtar.
Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror tregon se dezinformimi dhe keqinformimi mbeten rreziqet kryesore afatshkurtra për vitin e dytë me radhë, duke theksuar kërcënimin e vazhdueshëm për kohezionin shoqëror dhe qeverisjen, duke vënë në rrezik besimin dhe duke thelluar ndarjet brenda dhe midis kombesh. Rreziqe të tjera kryesore afatshkurtra përfshijnë ngjarje ekstreme klimatike, polarizimin shoqëror, spiunazhin kibernetik dhe luftën kibernetike.
Përqendrimi i informacionit
Nëse kjo është panorama e mediave digjitale, në mediat tradicionale shqetësimi lidhet me përqendrimin e informacionit. Sipas Raportit të Monitorimit të Pluralizmit në Epokën Digjitale të Qendrës për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias, publikuar në 2024,“Fusha e Pluralitetit të tregut vlerësohet me rrezik të lartë (92%), duke regjistruar një rritje të rrezikut në krahasim me vitin e mëparshëm. Vlerësimi i rrezikut si i lartë vjen si pasojë e mungesës së parashikimeve në ligjin kombëtar për transparencën dhe deklarimin e pronësisë së medias, detyrimeve për raportim financiar dhe deklarimeve të pronarëve fundorë përfitues. Legjislacioni kombëtar nuk ka kufizime apo kritere të tjera që të kufizonin një përqendrim të lartë horizontal për gazetat dhe mediat online, ndërsa në praktikë, shkalla e përqendrimit për mediat audiovizive mbetet e lartë, ku katër pronarët kryesorë në tregun e transmetimeve kontrollojnë 72% të të ardhurave dhe 87% të audiencës. Në sektorin e gazetave, katër pronarët kryesorë kontrollojnë 89% të të ardhurave”. Raporti thekson se, “Interesat politike dhe ekonomike të pronarëve të medias vijojnë të ushtrojnë presion mbi prodhimin e përmbajtjes editoriale, për shkak të mungesës së rregullave dhe masave mbrojtëse si dhe në mungesë të autonomisë apo pavarësisë reale, gjë që shtyn shumë gazetarë drejt vetëcensurës”
Në fakt, për shkak të presioneve dhe përqëndrimit, liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar. Indeksi i Reporterëve pa Kufi 2024, mes 180 vendeve, na rendit në vendin e 99-të, 4 vende më poshtë se një vit më parë, duke theksuar se, “Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”.
Edhe Freedom House konfirmon lirinë e përkeqësuar të medias në Shqipëri. Për 2024, e rendit në vendin e 68-të ndaj 100 vendeve, duke u përkeqësuar një vend në vlerësim krahasuar me vitin 2023. Në panoramën globale, vendi ynë cilësohet pjesërisht i lirë. Raporti thekson se, “Ndërsa Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, përzierja e interesave të fuqishme të biznesit dhe politico-mediatike, pengon zhvillimin e mediave të pavarura; shumica shihen si të njëanshme ndaj PS ose PD. Gazetarët kanë pak siguri në punë, paga të ulëta dhe janë subjekt i padive gjyqësore”.
Platformat mediatike online kanë një lidhje të fortë me mediat sociale, si burimi kryesor i shpërndarjes së tyre në një audiencë më të gjerë. Megjithatë, nisur nga fakti se ato janë më të reja dhe të vogla në përmasa (investim, punonjës dhe teknologji) në tërësinë e tyre, arrijnë të lexohen dhe rrjedhimisht të ndikojnë tek rreth 1/6 e audiencës së televizioneve, apo grupeve mediatike. Kështu, platformat mediatike të analizuara nga Instituti i Medias arrijnë 105 mijë like dhe 115 folloëes, ndërsa televizionet kapin 615 mijë like dhe po kaq followers.
Raporte të viteve të kaluara lidhur me platformat ëeb në Shqipëri, tregojnë se ka mbi 900 portale në gjuhën shqipe në total, të cilat nuk kanë cilësitë e medias.
Mjedisi mediatik është i larmishëm dhe ka infrastrukturën e nevojshme për të operuar, por kontrolli i fakteve dhe verifikimi i informacionit, së bashku me cilësinë e informacionit, nuk janë në të njëjtin nivel, çka sipas ekspertëve të komunikimit ka çuar në përhapjen e dezinformacionit, sidomos në mediat online.
Panorama në Ballkanin Perëndimor
Situata e medias në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet si rezultat i sulmeve të përsëritura ndaj lirisë së medias dhe minimit sistematik të profesionit. Vendet e Ballkanit Perëndimor renditen ndër më të ulëtat nga të gjitha vendet evropiane në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufi (RSF) 2024.
Nga 180 vendet e listuara nga RSF, Bosnja dhe Hercegovina është në vendin e 81-të, e ndjekur nga Kosova (75-ta), Shqipëria 99, Serbia 98 dhe Mali i Zi 40, të gjitha këto me përkeqësim të theksuar krahasuar me një vit më parë. Një përmirësim të lehtë ka vetëm Maqedonia e Veriut, e cila renditet në vendin e 36-të
Mediat Online në Shqipëri
Rreth 750 media online në Shqipëri
Unioni i Gazetarëve
Nga 123 media online të analizuara, vetëm 5.4% e tyre plotësojnë të gjitha kriteteret e transparencës.
Raporti i KSHM
Artikulli është publikuar nga: Faktoje.al