Arben Malaj

Qeveritë në kryqëzim: midis ndërhyrjeve, lirisë dhe rezultateve

PROF. DR. ARBEN MALAJ

“Një qeveri e vogël që dështon t’u shërbejë qytetarëve është po aq problematike sa një qeveri e madhe që i mbyt ata”. Një nga debatet kryesore mes së djathtës dhe së majtës lidhet me konceptin e qeverisjes: qeveri e vogël apo qeveri e madhe. Ky debat është në qendër të përballjeve strikte partiake në emisionet televizive për zgjedhjet 2025-s. Diskutimet rreth madhësisë dhe rolit të qeverisë janë thelbësore në teorinë dhe praktikën ekonomike. Qëndrimet dalluese ideologjike1 përballen aktualisht midis liberalëve dhe neokejnsianistëve. Dallimet midis dy qasjeve ideologjike përmblidhen në pesë kolona kryesore.

1. Madhësia dhe Pjesëmarrja në Ekonomi

Qeveria e vogël kërkon të ketë një rol minimal në ekonomi, nivel të ulët të shpenzimeve publike dhe prani të kufizuar në sektorët ekonomikë. Thelbi Reganomics ishte reduktimi i funksioneve dhe përmasave të qeverisë. “Ta mbysim/ngordhim bishën/qeverinë”, synohej duke ulur taksa, që qeveria të kishte më pak fuqi në ekonomi. Kjo politikë dështoi, pasi ulja e shërbimeve i la shumë qytetarë pa ndihmën e nevojshme dhe i varfëroi më tej ata. Kongresmenë dhe senatorë republikanë pas uljes së taksave kërkonin vota. Kjo mund të arrihej vetëm duke rritur paketat mbështetëse për individë dhe rajone në varfëri kritike. “Kapitalizmi i dhimbsur” shpallur nga Presidenti Bush, a nuk ishte në këtë kontekst? Qeveritë e vogla i kanë shpenzimet nën 30% të PBB-së, psh., në Hong Kong, shpenzimet publike janë rreth 20% të PBB-së. Shtetet e Bashkuara janë 38% e PBBsë. Qeveria e madhe zhvillon një rol aktiv në ekonomi, nivele më të larta shpenzimesh publike dhe ndërhyrje në sektorë të ndryshëm, si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura. Qeveritë e mëdha në vitin 2021 i kishin shpenzimet mbi 50% të PBB-së. Suedia 50%, Franca rreth 55%, Norvegjia 55% të PBB-së. Por në vendet me qeveri të mëdha vetëpagimi i taksave është shumë i lartë. Kjo, pasi vetëpagimi ecën paralelisht me cilësinë e jetës, funksioneve, shërbimeve dhe programeve sociale. Qeveri Efektive: Përveç shpenzimeve, matja e efektivitetit të një qeverie shpesh përfshin vlerësimin e shërbimeve që ofron, si dhe kënaqësinë e qytetarëve me to. Nobelisti Krugman, duke komentuar krizën financiare 2008, thekson se në kohë krize, në fakt ne “të gjithë jemi nga pak Keynesianë”.

Ky është koncepti i qeverisë efektive pasi reflekton idenë se, pavarësisht nga ideologjitë ekonomike të mbështetura në kohë pa krizë, kur një ekonomi është e përfshirë në një rrënim ekonomik, ndërhyrja e qeverisë dhe strategjitë Keynesiane (si rritja e shpenzimeve publike dhe politika monetare stimuluese) shpesh konsiderohen si të nevojshme për të shmangur ose mënjanuar pasojat e saj shkatërruese.

2. Rregullat dhe Rregullatorët.

Ekonomistët e krahasojnë rregullimin në ekonomi me hedhjen e rërës në vajin e makinës. Rregullimi i tepërt/sasia e madhe e rërës e bënë vajin e makinës ekonomik, rrezikon ta bëjë aq të trashë sa ai mund të thyejë motorin e ekonomisë. Nobelisti Hayek e mbronte këtë ide, e pasqyron besimin në rëndësinë e funksionimit të lirë të tregjeve dhe frikën nga tepria e rregullimit. Qeveria e madhe zhvillon një strukturë më të fortë rregullatore për të mbrojtur konsumatorët, punonjësit dhe mjedisin, duke ndikuar në mënyrën se si funksionojnë tregjet. Musk duke i urryer institucionet rregullatore dhe mbikëqyrëse në ditën e parë si shef i DOGE2 me pushtet të pakufizuar paralajmëroi mbylljen e autoritetit amerikan të mbrojtjes së qytetarëve nga mashtrimet financiare, me argumentin se rregullimi “vret” iniciativën e lirë dhe novacionin. Agjencia ka kompensuar me 20 miliardë dollarë të dëmtuarit nga mashtrimet financiare. Musk ishte shumë agresiv ndaj kësaj agjencie publike me mision publik (mbrojtjen e të paditurve ndaj investimeve euforike), sepse e kishte penguar dhe penalizuar lidhur me kriptomonedhën e tij DOGE dhe ndërhyrjet deformuese në tregjet e kriptomonedhave.

3. Ndihma Sociale dhe Shërbime Publike

Qeveria e vogël ofron shërbime minimale sociale dhe mbështetje për individët, duke incentivuar iniciativa private dhe vetëpërgjegjësinë. Qeveria e madhe ofron shërbime të gjera sociale dhe mbështetje për individët, duke përfshirë programe si shëndetësia universale, edukimi falas dhe pensionet. Gjatë pandemisë 2019 të gjitha qeveritë pa përjashtim të djathta apo të majta, duke filluar nga SHBA dhe BE harxhuan miliarda dollarë dhe euro për të ndihmuar ekonominë për të mos arritur depresion dhe recesion afatgjatë.

4. Politikat Fiskale

Qeveria e vogël praktikon politikë fiskale të ulët me taksa më të ulëta dhe shpesh nxit rritjen e ekonomisë përmes stimujve të tregut. Reganomics synonte që qeveria të “ngordhte” nga uria e mungesës së fondeve buxhetore.

Reduktimi i burimeve nga të ardhurat ishte një parim që në praktikë reflektonte uljen e shërbimeve, duke i lënë shumë qytetarë pa ndihmën e nevojshme. Qeveria e madhe zbaton politikë fiskale më të lartë, duke ngarkuar taksa më të larta për të financuar shërbime sociale dhe investime. (V) Prirja Ideologjike – qeveria e vogël bazohet në ideologji libertariane ose konservatore, se tregjet e lira janë më efektive për krijimin e pasurisë dhe rritjen ekonomike.

Qeveria e madhe e frymëzuar nga ideologji sociale ose progresiste, duke besuar se roli aktiv i shtetit është i domosdoshëm për të adresuar pabarazitë shoqërore dhe për të siguruar mirëqenie për të gjithë. Rastet tipike të qëndrimeve strikte ideologjike mund të përfshijnë: Presidenti Regan u fokusua tek ulja e taksave dhe reduktimi i shpenzimeve. Kryeministrja britanike Thatcher promovoi privatizimin. Reduktimin e rolit të qeverisë në ekonomi dhe shpërbërjen e sforcuar të sindikatave. Presidenti demokrat, Franklin D. Roosevelt, gjatë Depresionit të Madh 1929-1933; shpalli “New Deal” për të stimuluar ekonominë dhe për të ofruar mbrojtje sociale. Vendet nordike kanë ndërtuar modele të suksesshme të qeverive të mëdha që ofrojnë mbrojtje sociale dhe shërbime të mirëqenies. Pyetja që do të bëhet përherë nuk është nëse qeveria duhet të bëjë më shumë apo më pak, por nëse ajo bën atë që duhet bërë, në mënyrën e duhur”.

Njohja historike e ndarjeve ideologjike, e argumenteve përkatëse dhe pasojave të mundshme është e nevojshme për të kuptuar se si mund të formësojmë qeveritë tona për të arritur më shumë zhvillim dhe mirëqenie sociale. Në demokracitë moderne edhe opozita është potencialisht pjesë kontribuuese e mirëqeverisjes së vendit si opozitë racionale dhe produktive për të sjellë një përmirësim pozitive mbi individët dhe sidomos në sfidat prioritare të vendit të saj.

Panorama

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top