Shkruar nga Gentjan Bushati
Në procesin e mbylljes së grupkapitujve të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, lind natyrshëm një pyetje: Si do të ndikojë ky moment i shumëpritur në tregun automotiv shqiptar?
Standardet e BE për homologimin dhe regjistrimin e automjeteve imponojnë kritere dhe kushte strikte, që aktualisht në Shqipëri janë të aplikuara sipërfaqësisht ose mungojnë. Homologimi, megjithëse parashikohet në ligjin shqiptar, nuk zbatohet në praktikë. Pa hyrë në arsyet e kësaj situate, dua të shtjelloj shkurtimisht pasojat e pashmangshme që do të sjellë aplikimi i plotë i standardeve teknike, funksionale dhe mjedisore të BE në tregun vendas të automjeteve.
Në të ardhmen e afërt, çdo automjet që do të regjistrohet në Shqipëri duhet të jetë i pajisur me Certifikatë Konformiteti (CoC) të BE, e cila vërteton në masë të kënaqshme përmbushjen e standardeve prej automjeteve të lejuara për qarkullim.
Gjithashtu, çdo model automjeti, përpara se të mund të regjistrohet, duhet të jetë i certifikuar pranë një autoriteti homologues kompetent, që ndjek, sigurisht, standardet e BE.
Këto kushte të pashmangshme do të sjellin për blerësit e mjeteve të reja dhe atyre ekzistuese që nuk plotësojnë standardet e BE efekte të ndryshme.
Në 2026 bëhet i zbatueshëm standardi EURO 7, si kusht për regjistrimin e mjeteve, i cili përcakton norma më të ulëta të emetimit të CO₂ dhe NOx. Për automjetet ekzistuese me djegie, EURO 7 kërkon që për 10 vjet ose deri në 200,000 km ato të ruajnë standardet e emetimit CO2 (0.50G/km nafta dhe 1.0g/km benzina) dhe NOx (0.08g/km nafta dhe 0.06g/km benzina), ndërsa për EV/Hibrid parametrat e baterisë janë: deri në 5 vjet/100,000 km → ≥ 80% kapaciteti i baterisë dhe 8 vjet/160,000 km → ≥ 72% kapaciteti i baterisë.
Kjo do të kërkojë: cilësi më të lartë të riparimeve, karburant më cilësor dhe me shumë mundësi kosto shtesë për përdoruesit.
Rritja e numrit të makinave elektrike është një zhvillim pozitiv për mjedisin, falë emetimeve zero. Megjithatë, mbetet një shqetësim për automjetet elektrike të importuara që nuk disponojnë një CoC të BE.
Dua të sjell në vëmendje gjithashtu disa rreziqe që lidhen me automjetet elektrike që po hyjnë aktualisht në tregun shqiptar.
Në 2027, makinat elektrike pa certifikatë CoC nuk do të lejohen të regjistrohen më në Shqipëri. Përdoruesit aktualë të këtyre makinave (referuar mjeteve me specifika teknike jo sipas standardeve europiane, si p.sh., mjetet që regjistrohen sot në Shqipëri, por që janë të prodhuara sipas standardeve dhe për tregun e Kinës) do të përballen me: rënie të ndjeshme të vlerës së makinës, vështirësi në rishitje, pasiguri në shërbime teknike (pasi importuesit e autorizuar nuk ofrojnë servisim për automjete jashtë standardit BE).
Për vitin 2024, automjetet elektrike përbëjnë rreth 38% të regjistrimeve të makinave të reja. Nga të dhëna të tregut të importuesve të autorizuar, vlerësohet se përafërsisht 80% e këtyre mjeteve nuk përmbushin standardet europiane. Ky trend parashikohet edhe për 2025.
Konsumatorët duhet të jenë të informuar për këto pasoja të natyrshme të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, kompanitë që importojnë makina jo të standardit evropian (siç pasqyrohet edhe në dokumentacionin e tyre nga vendet e origjinës) do të përballen me sfida serioze. Shumë prej tyre rrezikojnë të mbyllen ose të ndryshojnë aktivitet, duke shkaktuar humbje të vendeve të punës dhe probleme për konsumatorët në aksesimin e shërbimeve të domosdoshme.
Ky shqetësim nuk lidhet me interesat e importuesve të autorizuar, por me përgjegjësinë që kemi si aktorë të tregut automotiv, dhe më gjerë, për të informuar dhe ndërgjegjësuar konsumatorët. Për fat të keq, deri më sot mungon një informacion zyrtar nga institucionet për ndikimin që do të ketë procesi i anëtarësimit në BE mbi këtë sektor.
Është në interesin e të gjithëve që Shqipëria të ecë drejt integrimit evropian, por është gjithashtu detyra jonë të sigurohemi që konsumatori shqiptar të jetë i mbrojtur dhe i informuar!