Europa vijon të mbetet një prej qendrave më të rëndësishme turistike globale, falë trashëgimisë së pasur kulinare, peizazheve të ndryshme natyrore dhe ofertave të shumta në fushën e mirëqenies. Por sipas një raporti të fundit, Tirana renditet si destinacioni urban me rritjen më të shpejtë në kontinent për periudhën 2019–2024.
Sipas raportit të bërë publik nga Instituti Ekonomik i Mastercard (MEI), kjo rritje është nxitur kryesisht nga rritja e vizitorëve italianë, duke e bërë kryeqytetin shqiptar një pikë tërheqëse për turistët europianë në muajt e verës.
Raporti thekson se, kërkesa për udhëtime drejt Tiranës është rritur ndjeshëm në muajt e verës, çka e bën kryeqytetin shqiptar një destinacion të spikatur për pushime verore urbane në Europë.
Tendencat kryesore europiane sipas raportit përfshijnë:
-
Sporti si nxitës i turizmit: Fitorja e Real Madrid kundër Borussia Dortmund në finalen e Champions League solli një rritje të shpenzimeve me 148% nga turistët spanjollë dhe 61% nga ata gjermanë në Londër, krahasuar me një vit më parë.
-
Destinacionet më të kërkuara për verën 2025: Përveç Tokios, Parisit, Londrës apo Palma de Mallorca, Tirana u veçua si qyteti me rritjen më të madhe të vizitave nga europianët në pesë vitet e fundit.
-
Udhëtime për mirëqenie: Italia dhe Polonia janë në krye të destinacioneve për udhëtime që lidhen me kujdesin ndaj vetes, sipas indeksit të mirëqenies të MEI, që mat shpenzimet ndërkufitare në këtë sektor.
-
Aventura në natyrë në vendet nordike: Parket kombëtare në Finlandë, Zvicër, Poloni, Francë dhe Norvegji po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë që kërkojnë qetësi dhe natyrë, me ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet turistike.
-
Mashtrimet në rritje gjatë sezonit turistik: Sipas MEI, mashtrimet financiare në zonat turistike shtohen me deri në 28% gjatë sezonit të lartë, ndërsa teknologjitë si inteligjenca artificiale ndihmojnë në parandalimin e tyre.
-
Udhëtimet biznesi: më të rralla, por më të gjata: Udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA që udhëtojnë për arsye biznesi qëndrojnë më gjatë se para pandemisë, me një kohëzgjatje mesatare që i kalon 8 ditët për vizitat në Europë.