Një libërth që përmban një botë. Botën e panjohur e të largët ku janë rritur prindërit, gjyshërit, kushërinjtë e afërt e të largët me të cilët fëmijët e diasporës mund të takohen në ato pak ditë që vizitojnë Shqipërinë.
Qytete që shpesh i shikojnë fluturimthi, ose ndoshta vetëm në google maps kanë një histori të tyre, kanë legjenda, rrëfime personazhe, ngjarje, gëlojnë nga pafundësia e informacionit.
Dhe ky informacion tashmë, në formën e një libërthi që përfshin vendet kryesore për të parë dhe gjërat për të bërë, vende historike, lagje argëtuese për t’u eksploruar, muze të lezetshëm, udhëtime ditore, harta, kënde lojërash dhe ushqime unike për t’u provuar shoqëruar me ilustrime tejet të veçanta është në duart e fëmijëve
Në kuadër të projektit “Jam Shqiptar” të Qendrës së Botimeve për Diasporën, janë parashikuar dhjetë udhërrëfyes që zbulojnë thesaret kulturore dhe historike të trojeve tona. Deri më tani, janë në qarkullim udhërrëfyesit për Shkodrën, Beratin, Prishtinën, Prizrenin dhe Gjirokastrën. Ndërsa sot QBD ka publikuar online dhe botimi për Gjakovën, një tjetër qytet i mrekullueshëm që pret të lexohet dhe të zbulohet nga lexuesit e vegjël
Në këtë intervistë të botuar në revistën “Flasim Shqip” autorja Milena Selimi tregon për sfidat me të cilat u përball, punën e madhe dhe kënaqësinë e realizmit të një projekti kaq unik.
Të shkruash për fëmijët është një gjë, por të hartosh një udhërrëfyes, të mbushur me informacion, histori, fakte, legjenda etj është një sfidë më vete. Si do ta përshkruaje këtë përvojë?
Më ndihmoi Xhani Rodari, që diku më kujtohej se e pata lexuar teksa pyeste se “nëse ia vlente që një fëmijë të mësonte duke qarë atë që mund të mësojë duke qeshur”. Të njëjtën pyetje i bëra edhe unë vetes ndërsa nisa të shkruaj këtë draft-ide për Turistët e Vegjël të projektit “Jam Shqiptar”.
Kështu udhërrëfyesit për turistët e vegjël filluan të marrin jetë me krijimin e qyteteve përmes legjendave të tyre, detajeve dhe kurioziteteve të vogla të cilave shpesh nuk u kushtohet vëmendje. Por ato janë gjithashtu një pikënisje për të reflektuar dhe stimuluar aftësitë e lexuesve të rinj.
Dhe Shqipëria ofron shumë ide për reflektim!
Kjo është arsyeja pse vendosa të mos sugjeroja ndonjë itinerar, por të tregoja qytetin në tërësi.
Ndoshta kjo duhet të ishte pyetja e parë, por Si lindi ideja për këto libra?
Ideja erdhi nga QBD, më saktë nga drejtoresha e qendrës Mimoza Hysa, që çdo ditë e më shumë projekton ide dhe strategji të reja në ndihmë të fëmijëve të diasporës, duke i pasuruar me botime që u falin jo vetëm dije dhe informacion, por edhe shumë dashuri nga toka e origjinës. Sapo e lexova publikimin në faqet e QBD-së më pëlqeu ideja dhe vendosa të eksperimentoj në një sfidë të re. Draft-ideja, e propozuar nga unë e kaloi ‘testin’ dhe ja ku jemi.
Sigurisht që të gjitha qytet janë qytete të rëndësishme shqiptare, por si u zgjodhën këto tri qytete Gjirokastra, Shkodra dhe Berati të cilat aktualisht botuar por gjenden dhe në faqen online të QBD për tu shkarkuar dhe shfletuar falas?
Sot që po flasim jemi në realizimin e pesë udhërrëfyesve për qytetet si: Gjirokastra, Berati, Shkodra, Prizreni dhe Prishtina. Përzgjedhja është realizuar nga projekti, në një kujdesje të veçantë për qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës. Nisa me Gjirokastrën dhe Shkodrën, si dy nga qytetet që i njoh pak më shumë se të tjerët. Falë punës sime si gazetare e kulturës kam patur mundësinë të shkruaj e të jem në kontakt me personalitete, ngjarje, apo të marr informacione në vazhdimësi për objekte të rëndësishme të trashëgimisë materiale dhe jomateriale. I zgjodha edhe për shkak të veçantisë, gjurmëve të diversitetit kulturor, historik, gjeografik, social dhe ekonomik. Se Shkodra, Gjirokastra e Prizreni janë shumëgjuhëshe, çka nuk është Berati për shembull, apo Gjakova.
“Po the Gjirokastra,/ I ke thënë të tëra.” Apo “Po të jesh shkodran, t’tana i ban”.
Shkurtimisht çfarë do të gjejnë turistët e vegjël nga diaspora në këto botime?
Kur nisa të shkruaj për turistët e vegjël të projektit “Jam Shqiptar” me sytë e mendjes pashë qytetet, shtetet, kontinentet ku ata kanë lindur. Të mëdhenj e të bukur, të largët e të afërt, me gjuhë e me kultura të ndryshme nga Shqipëria. Aty gjallojnë ditët e tyre, shokët, prindërit, shtëpia. Shtëpia mbetet elementi më i qenësishëm që na mbledh me të dashurit, na afron me njerëzit. U përpoqa të shkruaj edhe për një shtëpi tjetër për ta, një tokë të madhe e të dashur, që quhet Shqipëri, e cila i pret krahëhapur në katër stinët e vitit. Vendosa të rrëfej qytetet përmes legjendave, rrugëve dhe vendeve sekrete, sepse ato janë një fill lidhës për të udhëtuar në shtëpinë e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve. Kjo është arsyeja pse vendosa të tregoja qytetin në tërësi, me gjuhën, njerëzit, ndërtesat, jetën që gjallon.
Mendova që së bashku me lexuesin të zbulojmë rrugët që nuk janë rrugë, por çati, që mbajnë personazhe nga historia; apo nuk janë vende parkimi për makina, por për aventura, të rrugëtojmë me trimat nga kalaja që shpëtojnë jetë njerëzish e ndoshta të gjejmë edhe thesare që janë hedhur në det dhe kërkojnë zhytësa për t’i nxjerrë. Fantazia do të bëjë punën e saj përmes rrugëtimit. Jam e sigurt se ata do të jenë lexues kuriozë dhe plot pyetje në kokë!
Cilat ishin burimet tuaja të inspirimit dhe të hulumtimit ? A keni pasur botime të tjera (të huaja apo vendase si model).
Duhet të them se kjo është eksperienca ime e parë në këtë krijimtari, por unë jam marrë edhe më parë me fëmijët dhe shkrimin për ta. Jam autore e më shumë se 10 teksteve teatrore për fëmijë e të rinj, të cilat janë vendosur me sukses në skenën e teatrit Metropol dhe e kanë marrë duartrokitjen nga publiku. Gjithashtu fillesat e mia si gazetare radiofonike kanë nisur në redaksinë e fëmijëve. Le të themi se jam e njohur me pyetjet dhe kërshërinë e një fëmije që kërkon të zbulojë hapësira të reja e të panjohura.
Jo, nuk kam patur asnjë model, apo botim të huaj, apo vendas. Natyrisht që kam parë, kam lexuar, kam shfletuar dhe jam njohur me modele të ngjashme, por nuk jam ndaluar në asnjërin prej tyre.
Ideja jonë e të gjithë stafit realizues të projektit është dhe mbetet krijimi i shtëpisë Tjetër. Këtë element nuk e gjen në asnjë nga modelet, apo botimet e huaja.
Jam shumë e nderuar që marr pjesë në këtë projekt, i cili mbetet realizimi i parë në këtë fushë, në këto përmasa unike, një udhërrëfyes historik, gjeografik, kulturor, gjuhësor, gastronomik, etnografik, arkitekturor, me gojëdhana, legjenda dhe rrëfenja për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen.
Ky udhërrëfyes u hartua dhe po zbatohet në një bashkëpunim të ngushtë me stafin profesional të QBD-së dhe në konsulencën shkencore nga antropologu, studiuesi dhe pedagogu, dr. Rigels Halili.
Kam hulumtuar gjatë në bibliotekë duke iu referuar studiuesve të arkitekturës si Piro Thomo, Emin Riza, Ali Muka, apo Hamdi Bushati për studimin “Shkodra dhe Motet”, kronikanit turk Evlija Çelebi, udhëtares së jashtëzakonshme, antropologes dhe studiueses, Edith Durham, që gjeti Europën e harruar në Shqipëri, apo jam ndalur në studimet e Prof. Zija Shkodrës dhe Rexhep Dizdarit për qytetin e Shkodrës, si dhe disa rrëfime nga aktori Bekim Fehmiu për qytetin e Prizrenit, etj.
Një vend të rëndësishëm në mbledhjen e informacionit kanë zënë edhe vetë rrëfimet nga njerëzit që e njohin qytetin, kanë jetuar, ose kanë dëgjuar të thëna e të pathëna për to.
Si ishte procesi i përzgjedhjes dhe filtrimit të informacioneve dhe fakteve që u përfshinë në librat tuaj? A kishit një qasje të veçantë në selektimin e tyre?
Gjithçka nisi nga një ide dhe propozim tejet ambicioz nga QBD-ja, pastaj si çdo ndërtim duhen hedhur themelet, duhen ndërtuar muret, kolonat, dritaret, portat e në fund të hidhet çatia. Duhet thënë se unë krijova një qytet, i ngjashëm dhe i ndryshëm nga një vend në tjetrin, një qytet ku gjallojnë njerëzit, historitë e tyre, origjina, identiteti dhe dëshmia përse jetojnë akoma në ato toka, përse shtëpitë e të parëve janë akoma në sinoret e gjenezës.
Si mendoni se mund të përdoren këto materiale në orët e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë?
Gjuha mbetet një organ që njeriu e zhvillon së bashku me të gjithë organet e tjera gjatë rritjes, që duhet kultivuar e mësuar, që, me kalimin e viteve të kthehet në një organ frymues dhe pjesë të vetes. Ky udhërrëfyes do të forcojë dijet në gjuhën shqipe, duke u dhënë mundësinë e nxënies të fjalëve të reja në gjuhën shqipe. Ai do të jetë një mik i çmuar gjatë vizitës në Shqipëri. Jo më kot e përshkrova si një udhërrëfyes unik.
Fëmijëve sigurisht që nuk u pëlqen të dëgjojnë vetëm për stilet arkitekturore dhe datat e ndërtimeve. Informacionet e këtij udhërrëfyesi i ngjajnë një labirinti, që hap shumë dyer të tjera. Jam munduar të gjejë çelësin për të mbajtur gjallë kureshtjen dhe habinë, të cilat do të marrin përgjigjet e sakta nga mësuesit e apasionuar të gjuhës shqipe në Diasporë.
Çelësi është gjithmonë i njëjtë: Aftësia për të intriguar, stimuluar dhe tërhequr vëmendjen e fëmijëve, mes mitit dhe legjendës, pa humbur kurrë lojën dhe habinë.
Stili karakterizohet nga një ton i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, asnjëherë i mërzitshëm apo i rëndë. Ai synon të intrigojë fëmijët pa u dhënë përshtypjen se janë në shkollë.
Fëmijët do të krijojnë kujtime të qëndrueshme të udhëtimit të tyre me këtë udhërrëfyes unik. Një libër ndërveprues shumëngjyrësh dhe argëtues i mbushur me informacione të përqendruara te fëmijët për qytetet shqiptare dhe kosovare, duke përfshirë vendet kryesore për të parë dhe gjërat për të bërë, vende historike, lagje argëtuese për t’u eksploruar, muze të lezetshëm, udhëtime ditore, harta, kënde lojërash dhe ushqime unike për t’u provuar.
Por ky udhërrëfyes është shumë më tepër sesa thjesht një udhëzues udhëtimi, ai është gjithashtu një libër aktivitetesh. Plot lojëra dhe enigma, duke përfshirë kërkime fjalësh, labirinte dhe gjëra të vogla, që besoj se do t’i argëtojnë fëmijët në avion, në makinë dhe gjatë udhëtimit. Ka gjithashtu shumë hapësirë për të realizuar edhe ditarin rreth udhëtimit dhe për të vizatuar kujtimet e preferuara dhe nëpërmjet udhërrëfyesve të trashëgimisë kulturore të zbulohen veçoritë e Atdheut.
Mendoj se fëmijët në diasporë do të ndiejnë aromën, ngjyrat, qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës për trashëgiminë kulturore, figurat e shquara shqiptare, si dhe do të afrohen më tepër me gjuhën shqipe. Do të kultivohet ndjenja e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në diasporë, duke i njohur fëmijët dhe të rriturit me pasurinë tonë trashëgimore.
Si e strukturuat hartimin e librit? A kishte sfida të veçanta gjatë këtij procesi?
Sfida më e madhe mbetet qasja e rrëfimit. Kush do të tregojë qytetin? Do të jetë si një përrallë, tregim, apo një lëndë mësimi? E mendova si një ftesë për lexuesin për të udhëtuar së bashku në një qytet të panjohur, e kështu hap pas hapi për çdo qytet krijova një personazh që flet, këndon e qesh duke hyrë në të gjitha qoshkat e qytetit: Gjirokastrën e rrëfen Guri, gur i shtëpisë, gur i themelit, i çatisë, apo gur i unazës, Shkodrën –Biçikleta, (dyrrotaku), biçikleta e lirisë, e shëtitjes, e rebelimit, Beratin- Dritarja, Dritare dialogu, Dritare e dritës, Dritare e mendjes, Dritare e imagjinatës, Dritare malli, Prizrenin -Lumi Lumbardh, Prishtinën- Hyjnesha në fron, e kështu me radhë.
Po lë disa surpriza për qytetet e tjera. Ky personazh pastaj u vendos të mos sugjerojë ndonjë itinerar, por të tregojë qytetin në tërësi duke ndaluar në disa linja kryesore.
Qyteti si Kujtesë historie;
Duke u nisur nga origjina e qytetit, legjendat e gojëdhanat, apo ndryshe rrëfimet nga gjyshet, udhërrëfyesi tregon se si u ndërtuan shtëpitë në Gjirokastër, Berat, Gjakovë, apo Krujë dhe sesi vazhdojnë të jetojnë edhe sot.
Qyteti si Gjuhë që gjallon;
Qytetet që i vijnë rrotull kështjellës së vet siç i sillen dhe historisë së tij shumëshekullore, të magjepsin me mprehtësinë e ngrohtë dhe me mpleksjen monumentale të kulturave, zakoneve dhe vlerave natyrore, ku ata që e kanë lënë një herë, siç thotë Ismail Kadare, “rikthehen për të njohur më mirë vetveten”.
Qyteti si Gjurmë identiteti;
Gjenden gjithmonë shtigje të vockla që do t’i udhëheqin lexuesit nëpër qendrën e qytetit, duke iu treguar histori dhe legjenda të së shkuarës dhe duke i ftuar të mbajnë gjithmonë një laps pranë për të zgjidhur enigma, për të skicuar një vizatim ose për të mbajtur shënime. Çdo shteg është i ndarë në kapituj të shkurtër, secili kushtuar një monumenti ose një vendi përgjatë rrugëtimit.
Qyteti si Lëvizje kulturash;
Hapësira që do të tregojë disa përralla të lashta të qytetit nga mitet, apo gojëdhanat duke filluar nga veprat e artit të ekspozuara në muze, galeri dhe objekte kulti. Në këtë lëvizje shekullore flasim edhe për promovimin e njohurive për Qytetin duke zhvilluar ndërgjegjësimin për pasurinë e trashëgimisë së tij unike arkeologjike dhe historike në botë.
Dëgjuar për ta ndërsa rrugëtohet në shtëpitë e poetëve, shkrimtarëve, rilindasve, piktorëve e
muzikantëve, figurave të Pavarësisë, etj. Pak i njohim potencialet kulturore e historike të qytetit.
Qendrat kulturore dhe muzeale do të sjellin një botë të tërë për t’u zbuluar. Banesat karakteristike
dhe historia e tyre me një personalitet (sipas qyteteve) na tregon se në kulturë periferia humbet kuptimin e fjalës, sepse është thjesht një fakt kulture, i cili kthehet në një pasuri, një mjet komunikimi e njohjeje reciproke.
Qyteti si Shkëmbim idesh;
Personalitete, udhëtarë, studiues, vendas apo të huaj që kanë lënë gjurmët e shkrimit për qytettin, herë tjetër duke kontribuar në arkitekturë, kulturë, apo arte të ndryshme.
Bashkëpunimi me ilustruesin sigurisht që do të ketë qenë shumë i ngushtë pasi ilustrimet që shoqërojnë botimet janë jo vetëm të
bukura por edhe autentike? Cili ka qenë reagimi i lexuesit të Disaporës deri më tani ?
Gjithçka shoqërohet me imazhet shumë të këndshme, profesionale, plot dritë, ngjyra dhe gëzim të ilustratorit/piktorit Bertrand Shijaku, piktor, regjisor i filmit të animuar dhe një nga emrat me kontribut të vyer kombëtar e ndërkombëtar në fushën e animacionit, i cili prezanton linja dhe ngjyra qëllimisht shumë të thjeshta, thuajse të skicuara, ku edhe objektet kanë dy sy, një hundë dhe një gojë, ashtu siç do t’i përshkruante një fëmijë! Personazhet që ai krijoi: Guri, Lumi, Dritarja, Biçikleta, etj janë të stilizuara dhe e ndihmojnë rrëfimin të shkojë në shtratin e një udhërrëfyesi unik. Do të doja ta falenderoja për këtë punë të jashtëzakonshme, e cila vjen edhe falë eksperiencës së tij artistike, por edhe fryt i një bashkëpunimi të suksesshëm mes autorit dhe piktorit. E falenderoj për çdo sugjerim, zbulim, apo hulumtim që kemi ndarë së bashku, me dëshirën për të realizuar më të mirën e mundshme. Mendoj se udhërrëfyesi do të mbvetet unik edhe për mënyrën sesi mjeshtri Bertrand Shijaku i ka parë dhe zgjidhur raportet qytet/objekt/ njeri.
Dua të ndaj me ju se jemi përpjekur të gjejmë fillin lidhës midis tekstit dhe imazhit, duke u parë nga sytë e një fëmije kurioz. Promovimi i parë i udhërrëfyesve në diasporë do të mbahet në datën 21 shkurt 2024 në Gjenevë, në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare. Besoj se aty do të marrim edhe përvojat e para të lexuesit.
Çfarë përvoje dëshironi që fëmijët të marrin nga leximi i këtyre librave?
Kureshtje dhe habia janë dhuratat më të bukura për njeriun. E para e ka shtyrë drejt udhëtimeve e dyta të tregojë për to. Nëse jeta e njeriut është si anije në det atëherë vendlindje është limani i tij. Në këtë sens të udhëtimit njeriu dhe vendlindja janë bashkëudhëtarë: Afër dhe larg njëri- tjetrit. Do të doja ta gjenin shtëpinë shqiptare. Do të doja të zbulonin shumë shtigje lëvizjesh dhe shëtitjesh për të gjetur miq e shokë të rinj dhe për të parë malin, detin, liqenin, kodrat, ullishtat, qingjat e kecat në kullota, absolutisht një herë të vetme për të soditur lindjen dhe perëndimin e diellit, në qytetin e të parëve, të gjyshit, stërgjyshit, nënës e babait. Le të shkruajnë në këtë libërth dhe të mbajnë shënimet që në formën e një ditari-kujtesë mund ta rikthejnë pastaj në vendet ku jetojnë, si drita e farit, që në këto kohë të pasigurta duhet të shkojë drejt arsimit dhe kulturës, investimet më të rëndësishme të njerëzimit.
Po ju a keni pasur ndonjë përvojë personale që ju shtyu të hartoni këto libra udhërrëfyes për fëmijët e diasporës shqiptare?
Kam një histori personale që lidhet me historinë e nënës sime bullgare, përkthyesja e mirënjohur Janka Trifonova Selimi, e cila jetoi të gjithë jetën e saj larg vendit të origjinës. Kujtesa më trand me tregimin magjepsës të saj për shtëpinë në kodër, mbi fushat e arta të Dobruxhës, ku vetëm 5- vjeç kërkonte të kapte diellin që zhdukej pas kodrës. Ngjiste shkallët një e nga një, në pritje të habisë, kërshërisë, zbulimit të madh se ku shkonte dielli. Çfarë kishte pas kodrës ku zbriste dielli? Shtëpi, njerëz, toka të tjera? Dhe dielli nuk humbte. Dhe shkallët nuk mbaronin çdo prag muzgu…
Kush është shtëpia?
Më ngroh një shprehje që më pëlqen shumë ta shkruaj… shtëpia mbron ëndërrimtarin… atë që sheh dhe kërkon diellin…
A do të ketë një vazhdim seria? Cilët do/ mund të jenë qytete e radhës? Do të ketë edhe qytete nga trojet?
“Beratin e ke qëlluar, shumë i arrirë”- më shkruajti një nënë beratase që jeton në Bolonjë, apo “më ktheve në mahallën e fëmijërisë” – më tha një mik imi nga Gjirokastra që jeton në Gjermani. Projekti është ideuar për 10 qytete, po, jemi duke vazhduar me qytetet e tjera: Tirana, Gjakova, Vlora, Kruja. Duke parë mbështetjen dhe mikëpritjen nga diaspora, jam e sigurt se do të udhëtojmë edhe në Tetovë, apo Ulqin e gjetkë.
Cili është ndikimi që dëshironi që këto libra të kenë në fëmijët e diaspores dhe si shihni rolin e tyre në ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore shqiptare?
Dua që, falë këtij udhërrëfyesi, ata të ndihen në Shtëpi. Sepse ajo që nuk gabon gjatë udhëtimit dhe përfundimit të tij është dashuria. Ajo është e pranishme edhe në nisje edhe në kthim. Vendlindja nuk Zgjidhet ajo- Ndodhet.
Duhet nisur udha që të lind tregimi.
Si do të përshkruani eksperiencën tuaj personale në hartimin e këtyre librave dhe impaktin që ata kanë pasur në jetën tuaj dhe në lidhjet tuaja me komunitetin dhe kulturën shqiptare?
Një lumë që rrjedh dhe gjen dritare plot diell ku projektohen fjalë, emocione, histori, njerëz, imazhe.