media sociale

Ekspozimi i vazhdueshëm në rrjetet sociale dhe ndikimi në shëndetin mendor: çfarë thonë psikologët?

Sot është bërë shumë e vështirë të ndash jetën private me atë publike. Gjithnjë e më shumë njerëzit, qofshin personazhe të njohur apo dhe përdorues të zakonshëm, ndajnë çdo moment të jetës së tyre në rrjetet sociale duke u nisur nga më të zakonshmet, deri tek ato më personalet. Kanale si YouTube, podcast-et apo profilet personale në rrjete të ndryshme sociale, po marrin vëmendje të madhe ku shpesh po ndërtojnë edhe një karrierë mbi atë çfarë ndajnë.

Në një botë ku mund të bëhesh i famshëm për pak minuta, por edhe të përballesh me gjykim dhe presion po aq shpejt, lind pyetja: si ndikon gjithë kjo në shëndetin tonë mendor?

Për të kuptuar më mirë këtë fenomen që po bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme, sidomos për të rinjtë, zhvilluam një bisedë me psikologët e PsikologuOnline. Ata na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë ndodh pas ekranit, çfarë ndikimesh ka kjo mënyrë jetese dhe si mund ta menaxhojmë më mirë jetën tonë dixhitale dhe pa e humbur veten rrugës.

Miliona njerëz ndjekin me interes jetën e dikujt tjetër në transmetim të drejtpërdrejtë, 24/7, histori që shpesh nuk kanë skenar apo nuk shënojnë ngjarje madhore. Si e shpjegoni që po shtohet kjo kategori?

Shumë njerëz mund të ndihen të vetmuar dhe kjo mund të jetë arsyeja kryesore përse ka një numër të lartë ndjekësish për shfaqjet 24/7.

Kur dikush ndjek jetën e dikujt, e bën të ndihet pjesë e diçkaje (që është një nevojë e fuqishme emocionale), sidomos nëse u mungojnë lidhjet e vërteta në jetën reale. Personi mund të ndërtojë një marrëdhënie virtuale me atë që shikon dhe kjo, në psikologji, vlerësohet si mekanizëm zëvendësues i lidhjeve të vërteta.

Njerëzit kanë një tendencë natyrore për të qenë kuriozë për jetën e të tjerëve dhe kjo mënyrë për të “vëzhguar” pa marrë pjesë u jep ndjekësve një ndjenjë kontrolli dhe pushteti.

Pra, ka një kompleksitet të arsyeve pse ka rritje të njerëzve pasivë – vëzhgues.

Si ndikon ndjekja e jetës së të tjerëve në kohë reale dhe ndarja e përvojave personale?

Për shumë njerëz, ndjekja e jetës së të tjerëve në kohë reale sjell ndjenja afërsie, qetësie dhe identifikimi, duke shërbyer si një formë mbështetjeje psikologjike ose frymëzimi. Për ata që ndajnë jetën e tyre, kjo mund të jetë një mënyrë për të ndërtuar komunitet, për të shprehur veten dhe për të gjetur qëllim përmes ndarjes së përvojave të zakonshme.

A po zëvendësohet lidhja me botën reale nga një ndjesi “komuniteti virtual” që ndërtohet përmes ekranit?

Po, në shumë raste lidhja me botën reale po zëvendësohet me atë virtuale.

Në mungesë të kontakteve reale, truri e pranon si mjaftueshëm të vlefshme edhe një marrëdhënie virtuale, pasi aktivizohet e njëjta zonë neurologjike që lidhet me ndjenjën e përfshirjes sociale.

Por, ato nuk janë të mjaftueshme, pasi kur ekrani fiket, njerëzit dëshmojnë për një dëshpërim të thellë, pakuptimësi, varësi dhe vetmi. Kontakti i vërtetë e stimulon njeriun të aftësohet në nivel shoqëror, të përmirësojë komunikimin, të njohë veten më shumë, të përballet me zhgënjimet etj.

Cilat janë efektet psikologjike për njerëzit që jetojnë jetën e tyre online, nën vëzhgim të vazhdueshëm?

Varësia nga vëmendja është pasoja e parë e rëndësishme.
Ndjesia se duhet të jesh gjithmonë interesant dhe i pëlqyeshëm. Kjo njihet dhe si stresi i performancës.
Personi ndërton një vete ideale online, duke u shkëputur nga vetja autentike.
Jetesa përpara kamerës zë vendin e marrëdhënieve të thella jashtë ekranit.
Kritikat publike apo krahasimet e vazhdueshme mund ta dëmtojnë ndjeshëm vetëbesimin.
Nën presionin e vazhdueshëm të imazhit dhe gjykimit, rritet rreziku për çrregullime emocionale si ankthi dhe depresioni.

Po për audiencën – si ndikon në mendimin kritik, emocional dhe mënyrën si e përjetojmë realitetin?

Për audiencën, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj jetëve të të tjerëve online ul ndjeshëm mendimin kritik, pasi realiteti filtrohet përmes narrativave të kuruara dhe emocioneve të manipuluara.

Kjo çon në krahasime të pavetëdijshme, ndjesi pamjaftueshmërie dhe shtrembërim të pritshmërive ndaj jetës reale. Gradualisht, përjetimi emocional bëhet më sipërfaqësor dhe realiteti perceptohet më shumë si spektakël sesa përvojë autentike.

Ku qëndron kufiri etik kur çdo aspekt i jetës transmetohet në kohë reale, duke filluar nga grindjet banale te momentet e bukura emocionale?

Kufiri etik vendoset kur ndarja e jetës në ekran fillon të dëmtojë veten apo të tjerët. Kur momentet më personale si sherret apo emocionet e thella bëhen pjesë e spektaklit, lind rreziku që realiteti të shndërrohet në teatër për vëmendje.

Pyetja që duhet bërë është: A po ndaj për të lidhur njerëzit, apo po shes jetën time për klikime? Dhe çfarë pasojash ka kjo për mua dhe për ata që më ndjekin?

A po shkelen sot parimet morale dhe edukative mbi të cilat është ndërtuar qytetërimi modern, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave vulnerabël?

Kur fëmijët ekspozohen para se të kuptojnë çfarë është privatësia apo dinjiteti, shoqëria nuk është më edukatore, por konsumatore e pafre.

Po ushqejmë një kulturë ku vëzhgimi zëvendëson mbrojtjen dhe klikimet vlejnë më shumë se zhvillimi i shëndetshëm psikologjik — dhe kjo është një formë e pranuar, por shumë e rrezikshme.

Si ndikon fakti që sot individë të ndryshëm mund të fitojnë të ardhura thjesht duke dokumentuar jetën e tyre në rrjete sociale, në ndërtimin e identitetit, raportin me veten dhe kufijtë mes jetës private e publike? A ndikon kjo në shëndetin mendor?

Kur individët mund të fitojnë të ardhura të konsiderueshme vetëm duke dokumentuar çdo aspekt të jetës së tyre, identiteti shpesh transformohet në një produkt.

Studiuesit e psikologjisë sociale dhe të sjelljes njerëzore tregojnë se përmbajtja e vetes e vazhdueshme krijon një lloj presioni psikologjik që detyron njerëzit të ndërtojnë versionin e vetes jo mbi bazën e vetëdijes dhe reflektimit të brendshëm, por mbi bazën e reagimeve dhe pritshmërive të audiencës.

Rezultate të shumta të studimeve kanë treguar se zhdukja e kufirit midis jetës private dhe asaj publike nxit një gjendje të përhershme ankthi dhe stresi, pasi truri përjeton vazhdimisht nevojën për të qenë në vëmendje dhe për të performuar (Sbarra & Coan, 2018).

Ky stres kronik lidhet drejtpërdrejt me rritjen e çrregullimeve të shëndetit mendor, si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e identitetit.

Mungesa e hapësirës për intimitet dhe reflektim të sinqertë përbën një kërcënim serioz për mirëqenien psikologjike. Në këtë mënyrë, pasuria dhe fama që mund të vijnë nga ekspozimi i vazhdueshëm shpesh paguhen me një çmim të lartë psikologjik.

A mendoni se ky trend global i ekspozimit pa kriter është thjesht një trend kalimtar apo do të jetë një mënyrë e zakonshme jetese në të ardhmen?

Nuk duket se është thjesht një modë kalimtare, por po shndërrohet në një formë të re dhe të zakonshme të jetesës. Ka të ngjarë të thellohet dhe nuk duket se është thjesht një modë kalimtare.

Psikologët e kulturës dhe sociologët si Sherry Turkle dhe Zygmunt Bauman paralajmërojnë se po krijojmë një shoqëri të dukjes, ku të jesh i vëzhguar bëhet baras me të qenit i vlefshëm.

Pas, vështirë të shkojmë, por me siguri do përshtatemi. Me “përshtatje” kuptoj faktin e zhvillimit të mjeteve dhe ligjeve të reja të mbrojtjes.

Çfarë këshille keni për të rinjtë që janë aktivë në rrjetet sociale dhe kanë hasur problematika ndaj ekspozimit të tepërt, si dhe për ata të tjerë që duan të ndjekin këtë trend?

Për të rinjtë që janë aktivë në rrjetet sociale dhe ndiejnë pasojat e ekspozimit të tepërt, këshilla më e rëndësishme është: mos e sakrifikoni mirëqenien tuaj për vlerësim të përkohshëm.

Kur ndiheni të lodhur, të paqetë, të krahasuar apo të humbur në pritshmëritë e ndjekësve, është koha të bëni një hap pas dhe të pyesni veten: A po ndërtoj një jetë që më plotëson, apo një imazh që duan ta shohin të tjerët?

Përdoreni rrjetin për të shprehur veten, jo për ta humbur atë.

Vendosni kufij të qartë: çfarë ndani, me kë, pse dhe si ndikon kjo te ju. Kujtoni se privatësia është një formë fuqie, jo dobësi.

Për ata që duan të ndjekin këtë trend, është jetike të kuptojnë që të qenit i dukshëm nuk është njësoj me të qenit i vlerësuar. Ndërtimi i një pranie të qëndrueshme kërkon autenticitet, por edhe vetëdije. Shikoni përtej likes dhe shikimeve… Si ndikon kjo rrugë në jetën tuaj reale, marrëdhëniet, përqendrimin, ndjenjën e identitetit?

Trajtojeni veten si një njeri, jo si një markë, sepse në fund të ditës, shëndeti mendor, vetë-respekti dhe e vërteta personale vlejnë më shumë se çdo algoritëm.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top