Gjiganti teknologjik ndërton një “park humanoid” në SHBA për të provuar robotët, të cilët mund të “hidhen jashtë” nga furgonët e Amazon-it për të shpërndarë pakot
Amazon po zhvillon një softuer për robotë humanoidë që mund të zëvendësojnë punonjësit e shpërndarjes dhe të “hidhen” jashtë furgonëve për të dorëzuar pakot te klientët, raportoi faqja e lajmeve teknologjike The Information.
Sipas këtij raportimi, kompania me vlerë mbi 2 trilionë dollarë po ndërton një “park humanoid” në SHBA për të testuar këta robotë, duke u bazuar në informacionin e marrë nga një person që ka qenë pjesë e projektit.
Thuhet se Amazon po punon për zhvillimin e softuerit të inteligjencës artificiale që do t’i japë funksion robotëve, ndërkohë që pajisjet (hardware-i) do të vijnë nga kompani të tjera.
Testimet po zhvillohen në një hapësirë të brendshme në zyrat e Amazon në San Francisko – një ambient me përmasa sa një kafene – ku robotët duhet të kalojnë pengesa. Qëllimi është që këta robotë të jenë në gjendje të udhëtojnë me furgonët elektrikë të Amazon-it (të prodhuar nga Rivian) dhe të dorëzojnë pakot direkt prej tyre. Edhe nëse mjeti ka një shofer njerëzor, një robot mund të përshpejtojë procesin e shpërndarjes duke dërguar një pako në një adresë tjetër njëkohësisht me shoferin.
Amazon aktualisht ka më shumë se 20,000 furgonë Rivian në SHBA dhe sipas raportit, një prej tyre është vendosur në zonën e testimit me robotë humanoidë. Pasi të përfundojnë testet në parkun humanoid, kompania synon t’i dërgojë robotët në “ekskursione në terren”, për të parë si funksionojnë në situata reale – duke dorëzuar porosi në shtëpi.
Kjo nuk është hera e parë që Amazon eksperimenton me robotë humanoidë. Kompania amerikane Agility Robotics ka zhvilluar robotin Digit, i cili tashmë është përdorur në disa magazina të Amazon.
Gjithashtu, Amazon ka marrë leje në Mbretërinë e Bashkuar për të testuar dronë që fluturojnë përtej fushëpamjes së kontrollit njerëzor – një hap drejt përdorimit të tyre për dorëzime në shtëpi.
Profesor Subramanian Ramamoorthy, drejtues i Departamentit të Mësimit të Robotëve dhe Autonomisë në Universitetin e Edinburgut, tha se Amazon ka një ekip shumë të respektuar në fushën e robotikës dhe që fokusi në “kilometrin e fundit” të dorëzimit (pika përfundimtare tek klienti) nuk është befasues. Ai shtoi se hardueri për robotët humanoidë që mund të përmbushin këtë rol po bëhet gjithnjë e më i disponueshëm dhe fusha po zhvillohet me shpejtësi.
Megjithatë, ai theksoi se sfida më e madhe mbetet performanca e qëndrueshme jashtë mjediseve të kontrolluara si “parku humanoid”. “Nëse Amazon e kufizon përdorimin në ambiente më të qarta – me rrugica të drejta dhe hyrje standarde – detyra do të jetë më e thjeshtë. Por, sapo ambienti të bëhet më i ndërlikuar, me elementë si fëmijë të vegjël apo kafshë shtëpiake, sfidat bëhen shumë më të mëdha,” u shpreh ai.