Inflacioni në eurozonë u rrit lehtë në 2% në muajin qershor, sipas të dhënave paraprake të publikuara të martën nga agjencia e statistikave Eurostat. Kjo nënkupton se çmimet e konsumit në zonën me monedhë të përbashkët janë tashmë në përputhje me objektivin prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar që inflacioni vjetor për qershorin të arrinte pikërisht këtë nivel. Një muaj më parë, në maj, inflacioni kishte rënë më shumë nga sa pritej, në 1.9%.
Ndërkohë, inflacioni bazë – që përjashton çmimet e energjisë, ushqimeve, duhanit dhe alkoolit – mbeti i pandryshuar në nivelin 2.3% gjatë qershorit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm, inflacioni në sektorin e shërbimeve, u rrit në 3.3%, pasi në maj kishte zbritur në 3.2%, nga një nivel më i lartë prej 4% në prill.
Të dhënat individuale nga ekonomitë kryesore të eurozonës – të publikuara gjatë javës së fundit – treguan një zbutje të normës së inflacionit të harmonizuar në Gjermani, një rritje të lehtë në Francë dhe Spanjë, ndërsa në Itali nuk pati ndryshime për muajin qershor. Këto tendenca sugjeronin që niveli i përgjithshëm i inflacionit në eurozonë do të afrohej me objektivin e BQE-së.
Kjo situatë ka rritur më tej pritshmëritë që BQE-ja do të vendosë të mbajë të pandryshuar normën e saj kryesore të interesit – normën e depozitës – në nivelin 2% gjatë mbledhjes së radhës në fund të korrikut, përpara se të shqyrtojë një ulje të mundshme prej 25 pikësh bazë në shtator.
Pas publikimit të të dhënave, euro u forcua dhe së fundmi po tregtohej rreth 0.3% më lart ndaj dollarit amerikan.
Kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane, deklaroi për CNBC të martën se periudha e ndërhyrjeve monetare për të ulur inflacionin tashmë ka përfunduar.
“Ne besojmë se cikli i fundit është mbyllur. Ta ulësh inflacionin nga kulmi prej 10%, në nivelin 2% – ajo fazë ka përfunduar,” – u shpreh Lane në një intervistë gjatë Forumit vjetor të BQE-së në Sintra, Portugali. “Por, në aspektin e së ardhmes, duhet të jemi të gatshëm për të vepruar nëse shohim ndonjë devijim që rrezikon të ndryshojë pamjen afatmesme të inflacionit.”
Lane shtoi se BQE-ja do të mbetet e varur nga të dhënat, por nuk do të reagojë ndaj ndonjë “devijimi të përkohshëm” në nivelin e inflacionit. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar se faktorë të jashtëm mund të prishin trajektoren e zbutjes së inflacionit, përfshirë çmimet e paqëndrueshme të naftës si pasojë e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e tarifave tregtare nga SHBA.
Nëse nuk ndodhin tronditje ekonomike në muajt e ardhshëm dhe trendi disinflacionist vijon, shumë ekonomistë besojnë se BQE-ja do të mbajë të pandryshuar normat në korrik, por mund të shkruajë një ulje të tyre në shtator.