Banka Botërore rekomandoi masa dhe reforma radikale për të përmirësuar më tej transparencën për borxhet shtetërore të vendeve në të gjithë botën.
Në raportin “Radical Debt Transparency” që u publikua së fundmi nga Bankës Botërore, vendet në zhvillim me të ardhura të mesme të larta ku bën pjesë edhe Shqipëria ka mungesë transparence në disa segmente të huamarrjes.
Për këto vende, përfshirë Shqipërinë, raporti rekomandon një sërë reformash konkrete për të forcuar transparencën dhe për të parandaluar krijimin e borxheve të fshehura apo të keqmenaxhuara. Grupi i vendeve ku bën pjesë edhe Shqipëria duhet të miratojë një legjislacion që detyron publikimin e detajuar të huave, përfshirë termat e kontratës dhe kolateralin.
Kërkohet që të përcaktohet më qartë përkufizimi i borxhit publik në përputhje me standardet ndërkombëtare (duke përfshirë edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike dhe garancitë), teksa duhet të limitohet përdorimi i klauzolave konfidenciale dhe të ndalohet nënshkrimi i marrëveshjeve që kërkojnë fshehtësi totale.
Të borxhi publik duhet të përfshihen detyrimet e ndërmarrjeve shtetërore, huamarrjet e autoriteteve vendore, detyrimet e kushtëzuara (garancitë, PPP etj.).
Për vendet si Shqipëria kërkohet të rritet roli i Kuvendit dhe i Kontrollit të Lartë të Shtetit në shqyrtimin e strategjisë së borxhit, në aprovimin e huave të reja dhe auditimin e kontratave ekzistuese.
Gjithashtu sugjerohen auditime të rregullta nga institucione të pavarura për huat me risk të lartë (p.sh., të lidhura me burime natyrore apo projekte të mëdha infrastrukturore).
Nëse ndodh ristrukturim i huave vendi ynë duhet të publikojë kushtet e reja të dakorduara dhe të shmangë marrëveshjet selektive.
Grupit të vendeve ku bën pjesë Shqipëria i kërkohet publikimi i një formati të strukturuar hua pas huaje të çdo marrëveshjeje të re borxhi, me termat kryesorë financiare.
Gjithashtu rekomandohet krijimi i një portali zyrtar mbi borxhin publik ku publikohen kontratat kryesore, raportet e rregullta analitike dhe planifikimi i huamarrjeve dhe vlerësimi i rreziqeve.
Në 2024 borxhi publik arriti në 54,74% e PBB-së, me një rënie prej 2,7 pikësh në raport me vitin 2023. Ky ishte niveli më i ulët i borxhit publik në raport me PBB-në që nga viti 2008. Ulja e borxhit vitin e kaluar nuk erdhi për shkak të një programi të planifikuar, por nga mosrealizimi i shpenzimeve buxhetore sipas planit. Paaftësia për të shpenzuar çoi në një konsolidim fiskal të detyruar. Por ndërkohë një seri detyrimesh nga ndërmarrjet publike dhe të tjera nuk janë të përfshira në treguesit zyrtarë të borxhit publik.