Guvernatori, Gent Sejko, u bëri sot thirrje bankave tregtare të shfrytëzojnë programet e ofruara nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare për kreditimin e bujqësisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e diskutimit për nxitjen e kreditimit në sektorin bujqësor, Sejko theksoi se përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi jetike për një vend të populluar si i tiji.
Sejko kujtoi edhe njëherë se ky sektor siguron afërsisht 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale. Për më tepër, Guvernatori nënvizoi se tendencat e viteve të fundit nuk janë aspak pozitive.
“Arsyet e shkallës së ulët të kreditimit të sektorit bujqësor – duke filluar nga problemet e pronësisë dhe duke vijuar me nivelin e lartë të informalitetit, rrezikun relativisht të lartë të biznesit, si dhe produktivitetin e ulët si pasojë e mungesës së ekonomive të shkallës, – i kemi diskutuar në vazhdimësi. Një pjesë e këtyre problemeve mbeten ende relevante, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre janë drejt zgjidhjes. Megjithatë, edhe në këtë kontekst sfidues, nivelet aktuale të kreditimit për bujqësinë mbeten të ulëta. Kjo është një mangësi, e cila duhet korrekuar një orë e më parë, nëse synojmë të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare,” tha Sejko.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë vendosi në fokus të Programit të saj të Financimit të Biznesit Mikro, të Vogël e të Mesëm, rritjen e kredisë për sektorin bujqësor, që ofron një bazë të sigurt të të qëndrueshme fondesh, me kosto të ulët, për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor, duke përfshirë edhe agroturizmin dhe industrinë agroushqimore.
Së fundmi, edhe Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke vënë në dispozicion një skemë garancie sovrane për kreditë e dhëna ndaj sektorit bujqësor. Kjo garanci ul ndjeshëm rrezikun e kreditimit të këtij sektori, duke reduktuar ndjeshëm dhe një nga problemet kryesore për kreditimin e bujqësisë, kolateralin.
“Në gjykimin tonë, këto dy projekte zhvillimi ofrojnë një platformë solide për të hedhur një hap të ri cilësor përpara në kreditimin e bujqësisë. Megjithatë, suksesi i kësaj platforme varet në një masë të madhe nga përfshirja dhe angazhimi juaj për shfrytëzimin e instrumenteve të saj.”
Në aspektin e ngushtë të interesit të bizneseve që ju drejtoni, dëshiroj të theksoj se shkalla e ulët e kreditimit të sektorit bujqësor nuk duhet të shihet vetëm si dëshmi e problemeve që ekzistojnë në këtë proces, por dhe si tregues potenciali i kthimit të lartë që mund të siguroi nga investimi në të. Për këtë arsye, ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton,” tha Guvernatori.
Ai shtoi se, në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, rritja e sektorit bujqësor në sinkron dhe paralel me sektorët e tjerë të ekonomisë, duhet parë si një element esencial për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.
“Nga ky këndvështrim, si aktorë primarë në jetën ekonomike dhe financiare të vendit, ju duhet të konsideroni kreditimin e sektorit bujqësor, si një investim me kthim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të vendit.
Si aktorë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vend në të cilin zhvillimi me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet me të vërtetë jetike për një vend të populluar si i tiji,” u shpreh Sejko.
Sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar portofoli i kredisë për bujqësinë ra në 6.3 miliardë lekë, nga 8.6 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa pesha e këtij portofoli kundrejt totalit të kredisë për ekonominë u tkurr më shumë në 1.3%, nga1.6% që kishte qenë një vit më parë.