Theth

Turizmi në Shqipëri: Rasti i Thethit dhe nevoja për një strategji të qëndrueshme

Vitin e kaluar, Shqipëria u përmend në disa media ndërkombëtare si një ndër destinacionet më premtuese të rajonit, falë natyrës së saj të paprekur, mikpritjes tradicionale dhe çmimeve konkurruese. Zona të tilla si Thethi u kthyen në shembull të turizmit alternativ shqiptar, duke tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve nga vende të ndryshme të Europës.

Por ndërsa viti 2025 po vazhdon, është evidente që ritmi dhe dinamika e vitit të kaluar nuk po përsëritet në të njëjtën formë. Numri i vizitorëve mbetet i qëndrueshëm, por entuziazmi duket i zbehur. Kjo nuk lidhet me mungesën e potencialit turistik, por më shumë me mungesën e një strategjie të mirëfilltë dhe afatgjatë për menaxhimin e këtij sektori jetik.

Në të njëjtën kohë që Shqipëria përpiqet të pozicionohet në tregun rajonal, konkurrenca me vendet fqinje është bërë më e ndjeshme. Greqia ofron shërbim të standardizuar dhe çmime të arsyeshme. Mali i Zi ka investuar ndjeshëm në infrastrukturë dhe promovim. Ndërkohë, paketa turistike për vende si Turqia, Egjipti apo Emiratet e Bashkuara janë të organizuara mirë dhe gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët nga Europa.

Pikërisht në këtë kontekst, rasti i aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, në kulmin e sezonit turistik, ngre një sërë shqetësimesh.

Nuk ka dyshim që ndërtimet pa leje përbëjnë një problem serioz për çdo vend. Por kur zbatimi i ligjit vjen në mënyrë të papërgatitur, pa koordinim dhe pa respektuar kohën e ndjeshme të sezonit, pasojat mund të jenë të dëmshme jo vetëm për bizneset lokale, por për të gjithë imazhin turistik të Shqipërisë.

Thethi, si një prej destinacioneve më të spikatura të turizmit natyror, ka një ndikim ekonomik të ndjeshëm në gjithë qarkun e Shkodrës. Turistët e huaj që kalojnë nëpër qytete si Shkodra, ndalojnë për të fjetur, për të konsumuar ushqim, për të blerë produkte artizanale. Kur përballen me skena të shembjeve në mal, në vend të qetësisë dhe përvojës që kërkojnë, përjetojnë pasiguri dhe shqetësim. Në disa raste, kanë pyetur gazetarët dhe operatorët turistikë: “A është e sigurt të qëndrojmë këtu?”

Ky perceptim, në një epokë ku çdo përvojë shpërndahet menjëherë në rrjete sociale, krijon një dëmtim afatgjatë për industrinë.

Për më tepër, pasoja më e thellë është ajo që nuk shihet menjëherë: kur i prishet investimi një familjeje që ka ndërtuar me mundësi të kufizuara, shpesh zgjidhja e vetme që ajo sheh është emigrimi. Në këtë mënyrë, vendi humbet njerëz që kanë pasur guximin të krijojnë diçka, të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit lokal. Janë pikërisht këta persona që përbëjnë “elitën lokale” që na nevojitet më shumë dhe ikja e tyre është një humbje e dyfishtë: ekonomike dhe sociale.

Rasti i Thethit nuk duhet parë si një problem i izoluar, por si shenjë alarmi për të ndërtuar një model zhvillimi turistik të qëndrueshëm. Nevojitet një strategji kombëtare që jo vetëm lufton informalitetin, por e bën këtë në mënyrë të strukturuar, me afate të qarta, me komunikim me komunitetet dhe me synimin për të ruajtur ekuilibrin mes ligjit dhe zhvillimit.

Turizmi nuk është vetëm natyrë. Turizmi është industri. Dhe si çdo industri, kërkon planifikim, cilësi, trajnim, infrastrukturë, mbështetje dhe, mbi të gjitha, qëndrueshmëri.

Shqipëria ka çdo potencial për të qenë një lider turistik në Ballkan. Por për ta realizuar këtë, nevojitet më shumë se bukuri natyrore. Nevojitet vizion dhe veprim i përgjegjshëm.

amcham

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top