Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale do t’i bëjë sërish të njohura diplomat në shkencat humane. Ja pse!

Ja një parashikim i papritur: Me AI që po merr përsipër gjithnjë e më shumë detyra rutinë të biznesit dhe teknologjisë, ekspertët thonë se vlera e një diplome në shkencat humane pritet të rritet.

Nga Jessica Stillman, kontribuuese, Inc.com 

 

Në vitin 2023, revista The New Yorker shpalli “fundin e degës së anglishtes”. Ishte një pretendim i guximshëm, por kishte mjaft të dhëna për ta mbështetur.

Nga viti 2012 deri në 2020, numri i studentëve në lëndë si Anglishtja dhe Historia ra me 46% në Universitetin e Ohajos. Në Tufts, Vassar dhe Notre Dame, regjistrimet në degët e shkencave humane u përgjysmuan. Universiteti i Bostonit shënoi rënie prej 42%. Në SUNY Albany situata ishte edhe më e rëndë, interesi për këto diploma ra në tre të katërtat.

Nga kolegjet e vogla të shkencave humane, deri te universitetet publike më të mëdha, historia ishte e njëjtë. Pothuajse askush nuk dëshironte më të studionte anglisht.

Nëse rënia është e qartë, po ashtu janë edhe arsyet që e shkaktuan. Duke marrë parasysh koston e madhe financiare të shumicës së diplomave universitare, shumë studentë duan që ato t’u sigurojnë një punë të mirëpaguar. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të kuptojnë se si studimi i filozofisë, apo i letërsisë krahasuese mund t’u sigurojë një vend pune. Diplomat në fushat STEM dhe biznes duken shumë më të sigurta.

Ky diskutim është bërë dy vite më parë, por shumëçka ka ndryshuar në dy vjet, përfshirë edhe zhvillimin marramendës të Inteligjencës Artificiale. Tashmë, disa zëra të veçuar, por intrigues, argumentojnë se ky trend është gati të përmbyset. Revolucioni i AI, thonë ata, do të rikthejë degët e shkencave humane, të cilat janë në prag të zhdukjes.

Një bankier e quan diplomën e tij në shkencat humane më të vlefshme se MBA. Deklaratat e fundit të Bill Winters, CEO i gjigandit bankar Standard Chartered, e ilustrojnë këtë prirje. Winters ka një MBA nga shkolla prestigjioze Wharton, por i tha një gazetari të Bloomberg se diploma e tij e biznesit ishte “humbje kohe.”

Cilën pjesë të arsimit të tij e vlerësoi më shumë? Diplomën bachelor në marrëdhënie ndërkombëtare nga Universiteti Colgate. “Në universitet mësova si të mendoj dhe për 40 vitet që kur u largova nga universiteti, ato aftësi janë zbehur, zbehur, zbehur. Tani po rikthehen”, vazhdoi Winters.

Çfarë po e shtyn rikthimin e këtyre aftësive të mendimit kritik, të formuara nga shkencat humane? AI, shpjegoi ai. “Aftësitë teknike po ofrohen nga pajisje ose nga njerëz shumë të aftë në pjesë të tjera të botës që i kanë përsosur këto aftësi teknike me një kosto relativisht të ulët. Unë do të kthehem tek kurioziteti dhe empatia. Të kuptosh me të vërtetë audiencën me të cilën po përballesh dhe të parashikosh nevojat e tyre paraprakisht.”

Diplomat ‘e sigurta’ nuk janë më aq të sigurta

Ai nuk është i vetmi që argumenton se, me inteligjencën artificiale, që kryen më shumë detyra teknike dhe analiza të dhënash, njerëzit do të sjellin vlerën më të madhe përmes mendimit krijues, empatik dhe gjithëpërfshirës, pikërisht lloji i aftësive që i zhvillon një diplomë në shkencat humane.

Marketerja dhe themeluesja e një kompanie teknologjike Lindsey McInerney mbrojti të njëjtin argument, madje në mënyrë më të thelluar, në një fjalim të fundit TEDx.

“Shkencat humane nuk janë të përkohshme dhe diplomat teknike nuk janë më zgjedhje të sigurta… Ndoshta në një prej historive më të mëdha të rikthimit ndonjëherë, përmes një kthese të çuditshme fati, po hyjmë në një botë ku aftësitë e fituara gjatë studimeve të shkencave humane, jo vetëm që do të jenë më të domosdoshmet, por edhe ndër më të kërkuarat,” parashikon ajo.

Ajo, padyshim ka të drejtë që AI do të ndikojë tregun e punës për programuesit dhe të diplomuarit e shkollave të biznesit. Disa ekspertë thonë se kjo tashmë ka filluar. CEO i IBM, Arvind Krishna, deklaroi së fundmi në SXSW se, së shpejti “20-30 për qind e kodit do të shkruhet nga AI.”

“Më shumë se një e katërta e të gjitha vendeve të punës për programues janë zhdukur në dy vitet e fundit,” sipas një analize të Washington Post. Shumica e vendeve të humbura duket se janë pozicione rutinë, pikërisht ato që AI i përballon më lehtë.

Mund të vazhdoja duke përmendur tituj alarmues mbi ndikimin e mundshëm të AI, veçanërisht te rolet më të ulëta në biznes dhe teknologji, por jam i sigurt që e kuptoni mesazhin: AI po i bën diplomat dikur të sigurta të duken shumë më pak të sigurta.

A nënkupton ngritja e AI rikthimin e shkencave humane?

Pyesni ekspertë si Sam Altman, i OpenAI dhe Jensen Huang, i Nvidia se, cilat aftësi do të jenë më të vlefshme në një të ardhme të mbushur me AI dhe ata do t’ju thonë gjëra të tilla si: aftësia për të krijuar lidhje dhe të mësuarit e shpejtë e fleksibël. Dave dhe Helen Edwards, bashkëthemelues të kompanisë kërkimore mbi AI, Intelligenstia.ai, thonë se aftësia për t’u përballur me kaosin dhe paparashikueshmërinë e njerëzve është aftësia më e mbrojtur nga AI.

Në një artikull të fundit në The Conversation, Sandra Sjoberg, dekane e Shkollës së Biznesit në Western Governors University, argumentoi se në një botë të dominuar nga teknologjia, aftësitë tradicionale “të buta” si empatia dhe gjithëpërfshirja po bëhen edhe më të vlefshme për punëdhënësit, 65 për qind e të cilëve “i identifikojnë aftësitë e buta si boshllëkun më të madh te të diplomuarit e rinj, sipas Raportit të Coursera për Ndikimin e Mikro-Çertifikatave 2025,” shkruan ajo.

E dini ku mund të mësoni të zhvilloni empati ndaj ndryshimeve, të hulumtoni çudinë e thellë të njerëzve dhe të ndiheni mirë me ndryshimin, pasigurinë dhe kompromiset e vështira? Duke u përballur me historinë e gjatë, të rrëmujshme dhe të bukur të artit dhe mendimit njerëzor, pra, duke studiuar shkencat humane.

Një kujtesë për vlerën e shkencave humane

Njerëz si unë, të apasionuar pas studimeve të anglishtes, kemi argumentuar prej vitesh se popullariteti i shkencave humane është gati të rikthehet. Duhet të pranoj se shumë nga këto parashikime kanë qenë të nxituara. Por, ndoshta këtë herë, parashikimi i rilindjes së shkencave humane nuk është thjesht një përpjekje për të na ngritur moralin, por një vëzhgim objektiv i realitetit.

Inteligjenca Artificiale me të vërtetë po e ndryshon botën, duke i bërë punët e pajisjeve më të disponueshme dhe më të lira se kurrë. Kjo duhet t’i bëjë më të vlefshme gjërat që vetëm njerëzit mund t’i bëjnë: empatia, krijimtaria dhe etika.

Për ta thënë në gjuhën e shkencave humane, siç ka kënduar dikur Tom Waits: “Asnjëherë nuk e dëgjova melodinë, derisa më duhej kënga.” Tani do të mësojmë, përmes mungesës së saj, sa shumë e vlerësojmë njerëzinë. Ndoshta këtë herë shkencat humane vërtet po rikthehen.

INC.COM

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top