Getty Images

Si ndikon stresi i përditshëm te personaliteti dhe inteligjenca juaj

Shkencëtarët sapo kanë zbuluar se mënyra se si përballeni me stresin e përditshëm mund të ndikojë në personalitetin dhe inteligjencën tuaj.

Shumica prej nesh e dimë tashmë që stresi ndikon negativisht në jetën tonë. Rreth 80% e punonjësve në SHBA thonë se përjetojnë stres në punë dhe gjysma e tyre thonë se kjo ndikon në sjelljen e tyre. Për më tepër, mbi 75% raportojnë se stresi u shkakton dhimbje koke, lodhje dhe probleme me gjumin.

Stresi mund të jetë edhe i rrezikshëm për jetën. Një studim nga Universiteti Shtetëror i Oregonit tregoi se personat që përballen për një kohë të gjatë me nivele të moderuara ose të larta stresi kanë 50% më shumë mundësi të kenë një shkallë më të lartë vdekshmërie.

Por ajo që shumë njerëz nuk dinë është se stresi mund të ndryshojë personalitetin dhe si pasojë, të ndikojë edhe në nivelin e inteligjencës.

Çfarë ndodh me personalitetin?

Një studim 20-vjeçar i botuar në revistën Psychology and Aging zbuloi se sa më keq që njerëzit përballeshin me stresin e përditshëm, aq më të mbyllur, të përmbajtur dhe më pak të shoqërueshëm bëheshin me kalimin e kohës.

Të qenit më pak ose më shumë ekstravert nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe por të qenit më pak i dashur dhe më pak i hapur ndaj përvojave të reja ka pasoja.

  • Një studim i Harvard Business Review tregoi se njerëzit më të pëlqyeshëm kanë më shumë sukses në punë sesa ata që janë thjesht kompetentë.

  • Një tjetër studim tregoi se njerëzit e dashur kanë më shumë ndikim, edhe kur nuk kanë fakte të forta pas ideve të tyre.

  • Siç shprehet edhe sipërmarrësi Mark Cuban: “Të jesh i sjellshëm është një nga aftësitë më të nënvlerësuara në biznes.”

Nga ana tjetër, të qenit i hapur ndaj përvojave të reja është shumë e rëndësishme. Sipas një studimi të botuar në revistën PNAS, hapja mendore është e vetmja tipar personaliteti që lidhet drejtpërdrejt me inteligjencën.

Më shumë inteligjencë lidhet me më shumë lumturi. Një studim tjetër tregoi se njerëzit me IQ më të lartë raportojnë nivele më të larta lumturie.

Nëse nuk përballeni mirë me stresin…

Studimi përmend se ata që nuk përballen mirë me stresin e përditshëm (jo domosdoshmërisht ngjarje madhore, por situata të vogla të përditshme) kanë më shumë gjasa të bëhen më të mbyllur, më pak të dashur dhe më pak të hapur.

Me fjalë të tjera: sa më dobët e përballoni stresin, aq më shumë ndryshon personaliteti juaj me kohën dhe kjo ndikon në inteligjencën dhe lumturinë tuaj.

Po çfarë mund të bëjmë?

Sigurisht, të menaxhosh stresin është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Gjumë më i mirë? Më shumë kohë për veten? Shpesh nuk është e mundur.

Por një teknikë që mund të ndihmojë është ndryshimi i mënyrës se si e shohim stresin, e njohur ndryshe si riformulim njohës (angl. cognitive reframing). Kjo do të thotë të ndryshojmë mënyrën se si e interpretojmë një situatë stresuese.

Shembuj praktikë:

  • Je i shqetësuar për një takim të rëndësishëm në punë? Mendoje ankthin si një sinjal që kjo është një mundësi për të treguar aftësitë e tua.

  • Ke presion për të përfunduar një projekt në kohë? Shikoje si një rast për të shkëlqyer dhe për të ndihmuar klientin.

Sipas një studimi të botuar në Journal of Experimental Psychology, kur njerëzit e shihnin reagimin e trupit të tyre ndaj stresit si një përgjigje pozitive, trupi reagonte ndryshe. Nuk kishte rritje të tensionit, dhe profili i trupit dukej si në momente gëzimi dhe guximi.

Kjo do të thotë: vetëm duke ndryshuar mendësinë, mund të ndikosh reagimin e trupit dhe të përballesh më mirë me sfidën.

Përfundim

Nuk mund t’i shmangim gjithmonë emocionet apo ndjesitë e stresit, por mund të ndikojmë mënyrën se si i menaxhojmë ato. Kjo jo vetëm që ndihmon në momentin konkret, por në afatgjatë na ndihmon të ruajmë apo përmirësojmë personalitetin, inteligjencën dhe mirëqenien tonë.

INC

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top