Studiuesit kanë konfirmuar se vendbanimi palafit më i vjetër në Europë ndodhet në Lin. Ata kanë zbuluar se 8500 vite më parë në këtë zonë, u vendos një popullsi fermerësh, të cilët ndërtuan struktura druri buzë liqenit të Ohrit dhe shfrytëzuan natyrën me resurset përreth për bujqësi.
Në mbyllje të fazës së parë të projektit, realizuar nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Bernës, u prezantuan qindra objekte të zbuluara nën tokë dhe nën ujë gjatë kërkimeve në Lin, një pjesë e të cilave janë studiuar në laboratorin e dendrokronologjisë, i krijuar falë bashkëpunimit me universitetin zviceran, studion moshën e pemëve përmes rrathëve në to.
Drejtori i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës, Albert Hafner ka theksuar se, “gjetjet janë shumë premtuese. Ne e dimë që për 2000 vite njerëzit kanë jetuar këtu mes vitit 6000-4000 para Lindjes së Krishtit. Flitet për dhjetëra fshatra ose më shumë. Shtresa organike përmban edhe farëra të ndryshme që na japin dëshmi mbi bujqësinë gjatë prehistorisë. Një nga objektivat është të gjurmojnë si ka ardhur bujqësia nga Lindja drejt Evropës, një nga stacionet kryesore është siti Lin 3, që është ndryshe nga Selaniku, Thesalia apo vende të nxehta të Egjeut”.
Ndërkohë arkeologu Adrian Anastasi ka theksuar për mediat se, “Ky projekt për ne ka qenë një mundësi e madhe, sidomos sa i përket arkeologjisë nënujore shqiptare. Dentrokronologjia na jep mundësinë që të rishikojmë datimet, jo vetëm në pellgun e Korçës dhe Pogradecit, por është një mundësi shumë e mirë edhe për rajonin, Ballkanin”. Trungje pemësh, copëza guri qeramike e objektesh të ndryshme të nxjerra nga kërkimet e bëra në tokë apo gardhi rrethues i zbuluar në liqen tregojnë aktivitetin e popullsisë në prehistori, që studiuesit vlerësojnë të ketë ardhur nga Lindja.
Kërkimet pritet të vijojnë në faza të tjera me zgjerimin e perimetrit të gërmimeve.