Demokracia dhe rritja ekonomike

Demokracia dhe rritja ekonomike. Kush ushqen kë?!


Shkruar nga Prof. Dok. Arben Malaj

Një përgjigje për pyetjen se kush ushqen kë, domethënë, është demokracia ajo që ushqen rritjen ekonomike, apo është rritja ekonomike ajo që konsolidon demokracinë, qartësohet edhe nga Presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt, kur thekson se “Demokracia nuk është e sigurt nëse populli nuk ka mundësinë ekonomike për të ushtruar lirinë”. Në vitet 1990, në kohën e entuziazmit për “fundin e historisë” pas rënies së komunizmit dhe valës globale të demokratizimit, ekonomistët dhe shkencëtarët politikë u përballën me një pyetje të thellë dhe sfiduese: A çon demokracia në rritje ekonomike, apo ndodh e kundërta? A është demokracia një luks për vendet e pasura, apo një mekanizëm që e bën pasurinë të mundur dhe të shpërndarë drejtësisht? Ky debat vazhdon edhe sot – dhe nuk është vetëm teorik. Ka pasoja reale në mënyrën si hartohen politikat, si kuptohet tranzicioni demokratik dhe si vlerësohen rreziqet e autokratizimit, edhe në vende që dikur shiheshin si modele. Robert Barro ekonomisti i Harvardit, në vitin 1996, botoi një studim të rëndësishëm “Demokracia dhe Rritja/Democracy and Growth” ku analizonte të dhëna për mbi 100 vende gjatë disa dekadave.

Përfundimi i tij ishte i matur, por jo optimist për ithtarët e idealizmit demokratik: Demokracia nuk prodhon automatikisht rritje ekonomike – përkundrazi, në fazat e hershme mund ta ngadalësojë atë. Sipas Barro-s, vendet me (i) të ardhura të ulëta për frymë; (ii) institucione të dobëta dhe (iii) tensione sociale të pazgjidhura, mund të përballen me pasiguri më të madhe nëse përpiqen të demokratizohen shpejt. Vetëm pasi të kalojnë një prag të caktuar zhvillimi (ekonomik, institucional dhe arsimor), demokracia fillon të japë rezultate pozitive, duke rritur cilësinë e qeverisjes, stabilitetin dhe besimin në institucione. Ky model e vë theksin te fazat e ndërmjetme të tranzicionit, ku shumë vende mbeten të bllokuara – as autoritare, as vërtet demokratike dhe shpesh pa rritje të qëndrueshme. Shqipëria, mund të argumentohet, ka kaluar për dekada në këtë zonë gri. Pas më shumë se 35 vjetësh, shumë prej gjetjeve të Barro-s mbeten të vlefshme.

Studimet e mëvonshme kanë theksuar se jo vetë demokracia, por institucionet cilësore, të cilat janë më të gjasëshme të zhvillohen në demokraci, janë ato që gjenerojnë rritje të qëndrueshme. Analisti politik i CNN, Fareed Zakaria, u bë një nga zërat më kritikë të asaj që ai e quajti “demokraci joliberale”. Vende që mbajnë zgjedhje, por ku: (i) sundimi i ligjit; (ii) ndarja e pushteteve; (iii) liria e medias dhe të (iv) drejtat e individit janë të shtypura ose të manipuluara. Zakaria propozoi një pikë “kritike” sipas tij: nëse një vend e kalon pragun e 6,000 dollarë të ardhura për frymë, demokracia e tij nuk do të kthehet më pas. Me fjalë të tjera, pasuria është garanci për stabilitet demokratik. Por përvoja e dekadës së fundit e ka sfiduar këtë konkluzion. Turqia – me të ardhura për frymë mbi 10,000 dollarë në një moment përjetoi një regres të thellë demokratik.

Rusia, Venezuela, Hungaria dhe India kanë shfaqur forma të autokratizmit ose kufizime sistematike të lirive, edhe pse kanë kaluar pragun e të ardhurave të përmendura nga Zakaria. Vetë SHBA dhe disa vende perëndimore janë përballur me kërcënime të brendshme ndaj standardeve demokratike, pavarësisht nga pasuria e tyre. Pasuria ndihmon demokracinë, por nuk është garanci e pakthyeshme. Në mungesë të : (i) ndërgjegjësimit demokratik; (ii) mediave të lira; (iiii) të institucioneve të pavarura dhe (iv) të një elite politike me etikë shërbimi dhe jo grabitjeje, pasuria madje mund të ushqejë autokraci të sofistikuara. Përvoja shqiptare: një tranzicion i mbetur në rrugë? Në Shqipëri, diskutimi mbi demokracinë dhe zhvillimin shpesh është zhvendosur në sipërfaqe.

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë e qëndrueshme, por jo gjithëpërfshirëse dhe jo demokratike në origjinë – sepse shpesh ka ardhur si produkt i investimeve të mëdha publike, remitancave apo liberalizimit të tregut, por jo përmes forcimit të shtetit të së drejtës apo kontrollit demokratik të pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen rregullisht, por liria e medias është në rënie, sistemi i drejtësisë është ende në tranzicion dhe partitë politike sillen më shumë si klane klienteliste sesa si institucione demokratike.

Kjo tregon se rritja ekonomike nuk e ka forcuar demokracinë tonë, por as demokracia nuk ka prodhuar një model zhvillimi gjithëpërfshirës dhe të drejtë. Cila është rruga përpara? Nga Barro tek Zakaria, nga Przeworski tek Acemoglu dhe Robinson, një mesazh është i qartë: as demokracia, as rritja ekonomike nuk janë të qëndrueshme pa institucione që garantojnë (i) llogaridhënie; (ii) gjithëpërfshirje dhe (iii) drejtësi juridike dhe sidomos drejtësi sociale. Për Shqipërinë, kjo nënkupton: Rritje të cilësisë së arsimit dhe kulturës politike. Forcim real të ndarjes së pushteteve dhe të rolit të Kuvendit si kontrollor i ekzekutivit. Media të lira dhe të qëndrueshme ekonomikisht. Elita politike me ndjeshmëri demokratike, dhe jo vetëm aftësi propagandistike. Transparencë në vendimmarrje dhe integritet në administrim.

Nëse nuk e thellojmë demokracinë dhe nuk e lidhim me zhvillimin, atëherë rrezikojmë të mos kemi as zhvillim të qëndrueshëm, as demokraci funksionale. Prandaj Barro qartësonte se “Demokracia ka efekte pozitive mbi rritjen ekonomike, por vetëm pasi vendi ka arritur një nivel të mjaftueshëm të të ardhurave për frymë dhe institucioneve funksionale. “Zgjedhjet janë të rëndësishme, por pa liri, ato mund të prodhojnë autokraci. Pa mirëqenie shpërndarë drejtësisht, demokracia mund të zbrazet nga kuptimi”, – thekson Fareed Zakaria.

Kultura e dobët e ndërtimit të shtetit, paqëndrueshmëria institucionale e vendit, duke filluar nga autokracia deri te modeli sulltanat i qeverisjes, dështimi për të respektuar ndarjen, balancimin dhe kontrollin e tri pushteteve, korrupsioni epidemik dhe kapja e shtetit, jo vetëm që e pengojnë demokracinë tonë të jetë funksionale, e bëjnë atë të paqëndrueshme dhe rritjen ekonomike jo gjithëpërfshirëse në ndarjen e përfitimeve të saj. Amartya Sen fitues i çmimit Nobel në ekonomi do te theksonte se: “Demokracia ka efekte pozitive mbi rritjen ekonomike, por vetëm pasi vendi ka arritur një nivel të mjaftueshëm të të ardhurave për frymë dhe institucioneve funksionale”.

Ndërsa Daron Acemoglu dhe James Robinson (Why Nations Fail) qartësojnë se: “Zhvillimi afatgjatë është rezultat i institucioneve politike gjithëpërfshirëse dhe këto janë të mundshme vetëm në një sistem demokratik të vërtetë”. Pra, vendet përfshi edhe Shqipërinë, pasurohen kur krijojnë institucione përfshirëse (inclusive institutions), që: Sigurojnë pronësinë private. Garantojnë sundimin e ligjit. Lejojnë konkurrencën ekonomike dhe lirinë e sipërmarrjes. Ofron akses të barabartë në arsimin, shëndetësi dhe tregjet për qytetarët. Vendet ngecin në varfëri kur dominohen nga institucione përjashtuese (extractive institutions), që: (i) Koncentrojnë pushtetin politik dhe ekonomik në një elitë të vogël. (ii) Përdorin shtetin për të shfrytëzuar shumicën e popullsisë. (iii) Parandalojnë inovacionin dhe pengojnë mobilitetin shoqëror.

Demokracia nuk është e mjaftueshme, por është thelbësore. Demokracia krijon mekanizma llogaridhënieje dhe kontrolli që ndihmojnë në ndërtimin e institucioneve përfshirëse. Megjithatë, nëse nuk shoqërohet me ndërtime institucionale efektive, edhe demokracitë mund të çojnë në rritje të korrupsionit dhe keqqeverisjes. Sfida jonë e përhershme do të mbetet në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore funksionale. Institucione demokratike, shkëputje të politikës nga nepotizmi, klientelizimi, korrupsioni epidemik dhe kapja e shtetit.

/Gazeta Panorama 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top