The Sun shkruan se Shqipëria, e njohur gjithnjë e më shumë si “Maldivet e Europës”, po bëhet një nga destinacionet më tërheqëse për pushime me buxhet të ulët. Tani, falë fluturimeve të reja të linjës ajrore Wizz Air, udhëtarët nga Britania e Madhe do të kenë mundësinë të vizitojnë këtë perlë të Ballkanit për vetëm 19.99 £.
Fluturimet e reja do të nisin më 26 tetor, duke operuar pesë herë në javë dhe do të lidhin Mbretërinë e Bashkuar me qytetin e Tiranës, kryeqytetin shqiptar që gjithashtu shërben si pikënisje për ata që duan të zbulojnë Rivierën Shqiptare.
Ndërsa Tirana është një destinacion interesant për një pushim të shkurtër urban, shumica e vizitorëve e përdorin si bazë për të eksploruar bregdetin spektakolar të vendit. Me ujëra të kristalta, plazhe me rërë të bardhë dhe një natyrë të paprekur, Shqipëria ka fituar krahasimin me Maldivet, por me një çmim shumë më të përballueshëm.
Në jug të vendit, qyteti bregdetar Sarandë ofron eksperienca të jashtëzakonshme për pushuesit. Në klubin e plazhit Lost Seaside, vizitorët mund të shijojnë pishinën, detin, restorantin dhe ambientet relaksuese, me shezlongë që ndodhen mbi det apo pishinë. Një gotë birrë kushton vetëm 250 lekë (rreth 2.22 £), ndërsa një gotë verë varion nga 200 në 400 lekë (1.78 £ – 3.55 £).
Edhe ushqimi është i lirë. Një darkë e kompletuar për dy persona, me tre pjata, kushton rreth 4,500 lekë (afërsisht 39.94 £).
Sipas të dhënave të platformës Kayak, çmimi mesatar për një dhomë dyshe në Shqipëri është 83 £ për natë, duke e bërë atë një nga destinacionet më ekonomikë për pushime në Evropë.
Yvonne Moynihan, drejtore menaxhuese në Wizz Air UK, tha:“Me Shqipërinë që po njihet gjithnjë e më shumë si ‘Maldivet e Europës’, kjo linjë e re do t’i lejojë klientët tanë të zbulojnë destinacione të paprekura në Evropën Juglindore.”
Krahas fluturimeve drejt Shqipërisë, Wizz Air ka njoftuar edhe pesë linja të reja drejt Spanjës, si dhe një linjë direkte nga Londër Gatwick për në Medinë, hera e parë që kjo kompani ofron këtë destinacion.