A keni dëgjuar për The Cafe Apartments në Ho Chi Minh, Vietnam? Ai ndodhet në zemër të Nguyen Hue Walking Street, një nga rrugët më të njohura të qytetit, dhe u krijua fillimisht si një kompleks banimi në mes të shekullit të 20-të.
Transformimi i kësaj ndërtese nisi rreth viteve 2010, kur disa kafene dhe hapësira kreative të vogla, si The Letter Cafe, nisën të marrin me qira apartamente të braktisura dhe t’i shndërrojnë në vende unike për kafe dhe kreativitet. Ky hap i parë tërhoqi biznese të tjera të vogla dhe artistë, duke e kthyer ndërtesën gradualisht në një “komunitet vertikal” kreativ dhe një destinacion urban tërheqës, pa humbur sharmën e saj historike.
Ndërtesa është një kompleks me nëntë kate dhe ruan shumë nga elementët e saj origjinalë arkitektonikë, si korridoret e ngushta, dyshemetë me pllaka të dekoruara, dyert prej druri dhe ballkonet vintage. Çdo kat ka një karakter të veçantë: disa janë të dedikuara për kafene dhe restorante me shije nga e gjithë bota, të tjerat për dyqane butike, kozmetikë organike, librari dhe suvenire. Katet e sipërme ofrojnë pamje mahnitëse të rrugës për këmbësorë dhe qytetit, ndërsa disa hapësira mbeten më intime dhe të fshehta, duke krijuar eksperienca unike për vizitorët.
Pavarësisht se është një ndërtesë e vjetër, The Cafe Apartments vazhdon të funksionojë pa u prishur dhe pa pësuar ndryshime të mëdha, duke ruajtur sharmën e saj historike dhe duke u përshtatur me kohën moderne. Banorë, biznese dhe turistë gëzojnë të njëjtin ambient nostalgjik që lidh të shkuarën e Saigonit me energjinë e sotme urbane.
Një nga elementët më tërheqës të ndërtesës është fasada e saj, ku çdo biznes ka logon dhe tabelën e vet, duke krijuar një mozaik ngjyrash dhe dritash. Ajo duket si një ekran gjigand reklamesh, ku secili ballkon duket se të thërret për të hyrë dhe për të zbuluar zgjedhjet e pafundme. Në mbrëmje, dritat neon e bëjnë ndërtesën të duket si një projektor i madh, që ndriçon rrugën dhe tërheq vëmendjen e çdo kalimtari.
