Çdo vit, rreth 30% e territorit të Bashkimit Evropian përballet me mungesë uji, ndërsa më pak se 40% e rrjedhave ujore ndodhen në gjendje të mirë ose shumë të mirë ekologjike. Bujqësia është njëkohësisht viktimë dhe kontribuese e këtij cikli të dëmtuar të ujit, një problem që BE-ja është zotuar ta zgjidhë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), evropianët tërheqin çdo vit rreth 200 miliardë metra kub ujë të ëmbël sa tetëfishi i vëllimit të liqenit Como në Itali dhe afërsisht 29% e kësaj sasie përdoret nga sektori bujqësor.
Rritja e efiçencës në përdorimin e ujit
Thatësirat e shpeshta dhe kërkesa gjithnjë e më e lartë për ujë po i detyrojnë fermerët të modernizojnë sistemet e ujitjes dhe të rrisin kursimin.
Një shembull frymëzues është , një vresht organik që ka reduktuar ndjeshëm konsumin e ujit përmes zgjidhjeve natyrore si ruajtja e tokës së mbuluar dhe mbjellja e varieteteve të rrushit më rezistent ndaj thatësirës por edhe përmes teknologjive të avancuara të “bujqësisë precize”, si sensorët nëntokësorë dhe sistemet e ripërdorimit të ujit.
Sipas të dhënave evropiane për mjedisin,përdorimi i ujitjes me pika ose nën sipërfaqe, reduktimi i rrjedhjeve dhe adoptimi i mjeteve inteligjente të menaxhimit të ujit mund të ndihmojnë fermerët evropianë të ulin konsumin e ujit deri në 20%.
Lufta kundër ndotjes
Programi gjithashtu ka vizituar Irlandën, ku bujqësia zë 70% të sipërfaqes së vendit dhe është burimi kryesor i ndotjes së lumenjve e ujërave nëntokësore, kryesisht për shkak të përdorimit të tepërt të plehrave kimike dhe pesticideve.
Iniciativa “Farming for Water”, me vlerë 60 milionë euro, synon të përmirësojë cilësinë e ujit duke bashkëpunuar ngushtë me fermerët për zbatimin e praktikave të qëndrueshme. Projekti synon të përfshijë deri në 15,000 fermerë për të financuar masa që reduktojnë ndotjen, si krijimi i pellgjeve natyrore dhe zonave mbrojtëse midis arave dhe lumenjve.
Sot, 54% e ujërave sipërfaqësore të Irlandës kanë status ekologjik të mirë ose shumë të mirë mbi mesataren evropiane prej 39.6%. Por, sipas Direktivës Evropiane për Ujin, vendet anëtare duhet të arrijnë 100% përputhshmëri deri në vitin 2027.
Projekti udhëhiqet nga Local Authority Waters Programme (LAWPRO) në bashkëpunim me Teagasc dhe Dairy Industry Ireland, dhe është partneriteti i parë kombëtar i Inovacionit Evropian (EIP) në Irlandë, i financuar kryesisht nga Ministria e Bujqësisë me mbështetje nga fondet kombëtare dhe ato të BE-së.
Rishikimi i burimit jetik
Ulja e ndikimit të bujqësisë mbi burimet ujore, si në sasi ashtu edhe në cilësi, është në thelb të Strategjisë së Qëndrueshmërisë së Ujit, një nismë e re e Komisionit Evropian e prezantuar në qershor.
Strategjia synon të rikthejë ciklin natyror të ujit, të sigurojë akses në ujë të pastër dhe të përballueshëm për të gjithë, si dhe të nxisë inovacionin dhe konkurrueshmërinë në sektorin e ujit,një fushë ku Evropa tashmë ka epërsi globale.
Banka Evropiane e Investimeve ka premtuar 15 miliardë euro investime deri në vitin 2027 për projekte që përmirësojnë infrastrukturën e ujit, ndërsa disa masa kombëtare dhe rajonale do të financohen plotësisht nga BE-ja.
Strategjia gjithashtu parashikon krijimin e Aleancës Industriale “Water Smart”, Akademisë Evropiane të Ujit dhe një Komuniteti të Ri të Njohurive dhe Inovacionit (KIC) për Ujin, Detin dhe Ekosistemet Detare që synojnë rritjen e efikasitetit të përdorimit të ujit me të paktën 10% në nivel BE-je deri në vitin 2030.
