BashkimiEuropian

A mund të jetë BE-ja një lidere në klimë dhe të rrisë konkurrueshmërinë e saj ekonomike?

Një propozim i ri i Komisionit Evropian për të vendosur një objektiv reduktimi të emetimeve me 90% deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990, po kritikohet nga eurodeputetë, shtete anëtare dhe ambientalistë.

Në qendër të debatit është pyetja nëse blloku me 27 vende anëtare mund të ruajë lidershipin në politikat klimatike, ndërkohë që mbetet një fuqi ekonomike. Sipas Ligjit të Klimës, BE ka premtuar të bëhet neutrale ndaj klimës deri në mesin e shekullit, me një objektiv ndërmjetës për të ulur emetimet me 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e 1990-s. Rishikimi i këtij ligji, i prezantuar nga Komisioni në korrik, synon vendosjen e objektivit të ri për vitin 2040.

Propozimi përfshin edhe mundësinë që vendet e BE-së të marrin pjesë në tregun ndërkombëtar të karbonit për të kompensuar një pjesë të ndotjes.

“Pra, një shtet anëtar i BE-së mund t’i paguajë një vendi të tretë jashtë BE-së për të ulur emetimet e tij të gazeve serrë,” tha për Euronews gazetari Gregoire Lory. “OJQ-të e konsiderojnë këtë si të pakuptimtë, sepse bie ndesh me opinionin shkencor,” shtoi ai.

Propozimi parashikon edhe forma të tjera fleksibiliteti. “Njëra është heqja e karbonit, e cila mund të bëhet nëpërmjet natyrës ose teknologjive industriale. Por, sipas OJQ-ve, këto teknologji industriale nuk janë ende të zhvilluara mjaftueshëm për t’u përdorur në shkallë të gjerë,” shpjegoi Lory. Një tjetër formë është “fleksibiliteti mes sektorëve, pra sektorët që kanë arritur më shumë ulje mund të kompensojnë ata që kanë mbetur pas.”

“Nuk mund ta zgjidhim krizën klimatike vetëm”

Një përpjekje për ta kaluar shpejt rishikimin në Parlamentin Evropian u refuzua. “E bllokoi e djathta ekstreme bashkë me grupin e qendrës së djathtë (EPP),” tha për Euronews eurodeputetja austriake e të Gjelbërve, Lena Schilling. “Tani, së bashku me socialdemokratët dhe liberalët, duhet të bindim EPP-në të bashkëpunojë. Po përpiqemi të punojmë në mënyrë konstruktive për një raport dhe ndryshime të tjera,” shtoi ajo.

Përçarjet nuk janë vetëm mes ligjvënësve. Presidenti francez Emmanuel Macron, në qershor, kërkoi që Komisioni të shtyjë propozimin, duke argumentuar se duhet më shumë kohë për një kompromis evropian që të mos dëmtojë konkurrueshmërinë e dobët globale të bllokut.

Sipas Schilling, ky qëndrim i Macron “prish planet për negociatat e ardhshme në COP”, që do të mbahen në Brazil në nëntor.

“Ne gjithmonë themi se nuk mund ta zgjidhim krizën klimatike vetëm në Evropë. Na duhet Kina, SHBA, India, vendet e tjera. Dhe në të njëjtën kohë, pak para se të shpallim angazhimet tona kombëtare (NDC), të tërhiqemi? Kjo është e papërgjegjshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme,” u shpreh ajo.

Megjithatë, duket se lufta kundër ndryshimeve klimatike ka humbur prioritetin në Komision. Në propozimin e muajit të kaluar për buxhetin prej 2 trilionë eurosh për periudhën 2028-2034, fokusi kryesor ishte tek konkurrueshmëria, siguria dhe mbrojtja.

Euronews

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top