Studiuesit thonë se inteligjenca artificiale mund t’u japë të gjitha vendeve në zhvillim një sistem paralajmërimi të hershëm kundër fenomeneve ekstreme.
Parashikimi i motit është bërë gjithnjë e më i sofistikuar me kalimin e kohës. Ai është bërë gjithashtu edhe shumë më i rëndësishëm, sidomos tani që klima është më e paparashikueshme dhe ngjarjet ekstreme kërcënojnë me pasoja të mëdha ekonomike dhe humbje jete. Prandaj, një sistem paralajmërimi i hershëm është jetik.
Në shumicën e vendeve të zhvilluara, parashikimet e përditshme të motit mbështeten në sisteme kompjuterike gjigante, që realizojnë miliona llogaritje për disa orë me radhë. Fatkeqësisht, shumë vende të botës — shpeshherë edhe më të rrezikuarat nga ngjarjet klimatike të rënda — nuk kanë fondet, personelin apo fuqinë kompjuterike për të ndërtuar një sistem parashikimi 10-ditor që u nevojitet.
Por studiuesit në Universitetin e Kembrixhit besojnë se kanë gjetur një zgjidhje duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale. Ata përdorin AI për të krijuar parashikime të avancuara të motit, që sipas tyre jo vetëm që i tejkalojnë rezultatet e superkompjuterëve, por janë edhe mijëra herë më të shpejta, duke funksionuar vetëm me fuqinë e një laptopi të zakonshëm.
Kompania Aardvark Weather, e mbështetur nga Instituti Alan Turing, Microsoft Research dhe Qendra Evropiane për Parashikime Afatmesme të Motit, pohon se sistemi i tyre mund të zëvendësojë plotësisht metodat aktuale të parashikimit të motit. Ai mund të ofrojë parashikime lokale, për shembull, për temperaturat ekstreme që prekin të korrat në Afrikë apo për shpejtësinë e erës në parqet me turbina ere në Evropë.
Më e rëndësishmja, ky sistem do t’u jepte të gjitha vendeve në zhvillim dhe zonave të rralla të banuara një parashikim të besueshëm dhe një sistem paralajmërimi të hershëm për katastrofa të mundshme.