ora e vjeshtes

A ndikon ndryshimi i orës në shëndetin tonë? Ja çfarë thonë ekspertët

Ndryshimi i orës në fund të tetorit ndikon më pak në shëndetin tonë, sesa ndrrimi i orës në pranverë, i cili lidhet me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër dhe aksidenteve rrugore.
Çdo vit, kur ora kthehet pas, miliona njerëz gëzohen për “një orë gjumë më shumë”. Por sa ndikon ky ndryshim i vogël në trupin, gjumin dhe humorin tonë?

Sipas ekspertëve, ndryshimi i vjeshtës është më i lehtë për organizmin, por nuk është krejtësisht i padëmshëm. Ai prek lehtë ritmin biologjik, orën e brendshme që rregullon gjumin, hormoneve dhe gjendjen shpirtërore.

Çfarë është ndryshimi sezonal i orës?

Praktika e ndryshimit të orës konsiston në lëvizjen e akrepave një orë përpara në pranverë dhe një orë pas në vjeshtë, për të shfrytëzuar më shumë dritën natyrale.
Ky sistem ndiqet në pjesën më të madhe të Europës, Amerikës së Veriut dhe disa vende të Azisë e Afrikës.

Për shumëkënd kjo do të thotë një “orë më shumë gjumë”, por ndryshimi gjithsesi prek ritmin e trupit dhe disa njerëz e ndiejnë më fort.

Pse ndryshimi i vjeshtës përjetohet më lehtë

“Edhe pse ditët bëhen më të shkurtra dhe mbrëmjet errësohen më shpejt, ndryshimi i vjeshtës zakonisht përjetohet më lehtë,” thotë profesori Malcolm von Schantz, kronobiolog.
Sipas tij, errësira e mbrëmjeve është thjesht pasojë e sezonit dhe vendndodhjes gjeografike, jo e orës.
Për trupin tonë, drita e mëngjesit është shumë më e rëndësishme sesa ajo e mbrëmjes.

Profesori Partonen shton: “Ndryshimi i vjeshtës është më i lehtë sepse i shton një orë ditës sonë, dhe trupi përshtatet më shpejt. Megjithatë, gjumi mund të mos jetë aq i freskët si gjatë verës. Shumë njerëz nuk e përdorin këtë orë për të fjetur më shumë, por qëndrojnë zgjuar dhe grumbullojnë lodhje.”

Si ndikon ndryshimi i orës në trup

Ndryshimi i orës në pranverë, lidhet me rritje të aksidenteve rrugore, lodhjes dhe rasteve të infarkteve. Një studim i American Heart Foundation tregoi se rreziku për sulm në zemër rritet me 24% ditën pas kalimit në orën verore.

Por edhe ndryshimi i vjeshtës ka efekte të buta. Një studim i vitit 2025 nga Liverpool John Moores University dhe University of Oxford zbuloi se gratë raportuan më shumë ankth, hutim dhe stres në ditët pas kthimit të orës.
Ndryshimet në rutinën e fëmijëve, si fjetja më vonë ose vështirësia për t’u zgjuar mund të shtojnë stresin në familje.

Pasojat afatgjata

Studimet tregojnë se ndryshimet e përsëritura të orës mund të dëmtojnë shëndetin afatgjatë.
Sipas një analize të Stanford Medicine, ndryshimi dy herë në vit mund të rrisë rastet e goditjeve në tru dhe obezitetit.
Kalimi në kohë standarde gjatë gjithë vitit mund të parandalonte rreth 300,000 goditje në tru në vit dhe të ulte obezitetin tek 2.6 milionë njerëz.

Si ta përballojmë më lehtë

Ekspertët këshillojnë:

  • Ruani një orë të qëndrueshme gjumi para dhe pas ndryshimit.

  • Shfrytëzoni dritën natyrale të mëngjesit.

  • Kufizoni përdorimin e ekraneve para gjumit.

Këto veprime ndihmojnë trupin të përshtatet më shpejt me orarin e ri dhe të ruajë ekuilibrin e ritmit biologjik.

Si përfundim, ndryshimi i orës në vjeshtë është më i butë për trupin, por trupit i duhen disa ditë për t’u përshtatur. Ekspertët këshillojnë: përdorni orën shtesë për gjumë të mirë, jo për të qëndruar zgjuar më gjatë.

Euronews

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top